Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kreu i entitetit Republika Serbe, Milorad Dodik, kanë reaguar pas informatave se më 2 maj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së pritet të votohet një projektrezolutë për gjenocidin në Srebrenicë.
Një kopje të projektrezolutës e ka siguruara KOHA. Projektrezoluta është e sponsorizuar nga Gjermania e Ruanda dhe u është shpërndarë të gjitha misioneve të OKB-së. Ajo përmban shtatë pika.
Në pikën e parë flitet për caktimin e 11 korrikut si Ditë Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, e që do të shënohet çdo vit, derisa në pikën e dytë flitet për dënimin pa rezerva të gjithë atyre që e mohojnë këtë vepër.
Më 11 korrik 1995, forcat serbe në Bosnjë-Hercegovinë vranë mbi 8.000 burra e djem myslimanë të paarmatosur.
“Dënon pa rezerva çdo mohim të gjenocidit të Srebrenicës dhe u kërkon shteteve anëtare të ruajnë faktet e vërtetuara, duke përfshirë përmes sistemeve të tyre arsimore, duke zhvilluar programe të përshtatshme, gjithashtu në kujtim, drejt parandalimit të revizionizmit dhe shfaqjes së gjenocideve në të ardhmen”, thuhet në pikën 2 të këtij drafti.
Vuçiq ka thënë se do të dërgojë përfaqësuesin e tij te presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për t’ia dërguar letrën e tij “ku do të kërkohet të shqyrtohen me kujdes gjitha procedurat”.
Ai tha se Serbia do të vazhdojë të luftojë “ndonëse e di se gjasat janë minimale”.
“Pastaj ju arsyetoni se si morët vendim, që do të jetë ndoshta 65 vota pro. Pra, 10, 15 apo 20 vota më shumë se ata që janë kundër. E kundërshtari i juaj i vetëm është Serbia e vogël”, tha Vuçiq transmeton “B92”.
Vuçiq ka thënë se “Serbia pothuajse me çdo kusht do të tentojë ta ruajë paqen, rendin dhe të drejtën ndërkombëtare”.
E Dodik sërish ka thënë se në Srebrenicë “nuk ndodhi gjenocid”.
“Ata duan të cilësojnë çështjen e Srebrenicë si gjenocid. Së pari kam thënë dhe e them publikisht se nuk ndodhi gjenocidi, se gjenocidi ishte një formë e shpikur me të cilën u munduan ta demonizojnë të gjithë popullin serb dhe nëpërmjet gjykimeve individuale në gjykata në Hagë të transferojnë atë në përgjegjësi kolektive të popullit serb”, tha Dodik.