Votuesit austriakë i kanë dhënë Partisë së Lirisë (FPO) fitoren e parë në zgjedhjet e përgjithshme, sipas projeksioneve, duke shfaqur mbështetjen në rritje për partitë e djathta në Evropë, e nxitur nga shqetësimet e nivelit të imigracionit.
FPO-ja, parti me raporte të mira me Rusinë, ka mbajtur epërsi të vogël në sondazhet e opinionit për muaj të tërë ndaj Partisë Popullore Austriake (OVP) konservatore të kancelarit Karl Nehammer, në një fushatë të dominuar nga problemet e imigracionit dhe shqetësimet për ekonominë, ka raportuar Reuters.
E udhëhequr nga Herbert Kickl, FPO është projektuar të sigurojë 29.1 për qind të votave, para OVP-së me 26.2 për qind dhe Social Demokratët me 20.4 për qind, ka treguar një projeksion nga anketuesi Foresight, pas mbylljes së votimeve.
“Çfarë është në rrezik është nëse FPO-ja do ta zgjedhë kancelarin apo jo”, ka thënë Kathrin Stainer-Haemmerle, profesoreshë e shkencave politike në Universitetin Carinthia. “Nëse ndodh kjo, mund të them se roli i Austrisë në Bashkimin Evropian do të jetë goxha i ndryshëm. Kickl shpesh ka thënë se kryeministri hungarez, Viktor Orban është model për të dhe se do t’i qëndrojë pranë”.
Fituesi nuk do të ketë shumicë absolute, por do të marrë të drejtën për të udhëhequr një koalicion.
Projeksionet kanë marrë brohoritje në një tubim të FPO-së në Vienë, nga stafi i partisë dhe aktivistët e gëzuar.
Fitorja e Kickl mund të bëhet pirrike, ndërsa 55-vjeçari është figurë polarizuese, nën të cilën drejtuesit e tjerë partiakë kanë refuzuar të shërbejnë.
Ai nuk ka dhënë asnjë indikacion deri më tani se mund të tërhiqet, në mënyrë që partia e tij ta udhëheqë qeverinë.
FPO-ja, e cila dëshiron ta ndalojë plotësisht dhënien e azilit dhe të ndërtojë një “Austri të blinduar” që parandalon hyrjen e emigrantëve, fillimisht është drejtuar nga një ish-ligjvënës nazist në vitet ‘50.
Ajo është përpjekur ta përmirësojë imazhin e saj, por i janë shfaqur polemika të reja për të kaluarën në fundjavë, në një video e publikuar nga gazeta Der Standard, ku shihen anëtarët e partisë në një funeral ku këndohej një këngë e njohur naziste.