Kolumbia njihet si terren rekrutimi për gjithë botën. Ushtria e Kolumbisë ka luftuar rrjete të ndryshme të trafikimit të drogës dhe grupe rebele për shumë dekada, duke e bërë ushtrinë më me përvojë në botë. Pagat jo të larta në Kolumbi, konsiderohen shtytje për të vepruar në shtete të tjera
Spanjishtja kolumbiane kumbon në një spital ku trajtohen ushtarët e plagosur kolumbianë që po luftojnë kundër forcave ruse në Ukrainën lindore.
Ushtria e Ukrainës është dobësuar nga dy vjet të vazhdueshme luftë. Teksa lufton me ushtrinë ruse, Ukraina po mirëpret luftëtarë të fortë që vijnë të përgatitur nga një prej konflikteve më të gjata në botë.
Ushtarët profesionistë nga Kolumbia forcojnë radhët e vullnetarëve të ardhur nga e gjithë bota të cilët i janë përgjigjur thirrjes së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyyit për luftëtarë të huaj që t'i bashkohen luftës së kombit të tij me Rusinë.
Një 32-vjeçar nga qyteti i Medellini po përpiqej të shpëtonte një bashkëluftëtar të plagosur gjatë tri ditëve luftime të ashpra me forcat ruse. Dronët rusë sulmuan grupin dhe copëzat nga një granatë e hedhur ia shpuan nofullën.
“Mendova se do të vdisja”, ka thënë burri, të cilin e thërrasin me nofkën “Checho”. Luftëtarët këmbëngulën që të identifikoheshin nga nofkat e tyre ushtarake, sepse kanë frikë për sigurinë e tyre dhe të familjeve të tyre.
“Ne u ngritëm dhe vendosëm të iknim nga pozicioni luftues për të shpëtuar jetën tonë”, ka thënë Checho. “Nuk kishte vend ku të fshiheshim nga trupat kundërshtare”.
Ushtria e Kolumbisë ka luftuar kartele të ndryshme të trafikimit të drogës dhe grupe rebele për shumë dekada, duke i bërë ushtarët e saj, ushtarët më me përvojë në botë.
Me ushtri prej 250 mijë vetash, Kolumbia ka ushtrinë e dytë më të madhe në Amerikën Latine, pas Brazilit. Më shumë se 10 mijë ushtarë dalin në pension çdo vit. Dhe qindra të tjerë po shkojnë për të luftuar në Ukrainë, ku shumë prej tyre fitojnë katër herë më shumë sesa që fitojnë nënoficerët me përvojë në Kolumbi, ose edhe më shumë.
“Kolumbia ka ushtri të madhe me personel shumë të trajnuar, por paga nuk është e madhe kur e krahason atë me pagën e ushtrive të tjera”, ka thënë Andrés Macíasi nga Universiteti Externado i Bogotas, i cili studion punën kolumbiane për kontraktorët ushtarakë në mbarë botën.
Ushtarët e pensionuar kolumbianë filluan të shkonin jashtë shtetit në fillim të viteve 2000 për të punuar për kontraktorët ushtarakë amerikanë të cilët mbrojnë infrastrukturën, përfshirë këtu puset e naftës në Irak. Anëtarët e pensionuar të Ushtrisë së Kolumbisë janë punësuar gjithashtu si trajnerë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe i janë bashkuar betejës së Jemenit kundër rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani.
Roli i Kolumbisë si terren rekrutimi për industrinë globale të sigurisë ka gjithashtu anët e saj të errëta e mercenare: dy kolumbianë u vranë dhe 18 u arrestuan pasi u akuzuan se morën pjesë në vrasjen e presidentit Haitian, Jovenel Moïse.
Në spitalin ushtarak, që trajton normalisht ushtarët e plagosur ukrainas, gjendet edhe një grup prej rreth 50 luftëtarësh kolumbianë, të cilët e kalojnë pjesën më të madhe të kohës duke shikuar ekranet e telefonave të tyre – duke telefonuar në shtëpi, duke shfletuar nëpër internet dhe duke dëgjuar muzikë ndërmjet vakteve dhe procedurave mjekësore. Shumica janë aty për lëndime të lehta.
Teksa dyvjetori i luftës po afrohet, forcat ukrainase janë në ngërç. Ukraina po e zgjeron sistemin duke lejuar njerëz nga e gjithë bota të bashkohen me ushtrinë e saj, ka thënë Oleksandr Shahuri, oficer i Departamentit të Koordinimit të të Huajve në Forcat e Armatosura të Ukrainës.
Në fillim të vitit 2022, autoritetet kanë thënë se rreth 20 mijë njerëz nga 52 vende të ndryshme ndodheshin në Ukrainë. Tani, në përputhje me sekretin rreth numrave ushtarakë, autoritetet nuk do të tregojnë se sa prej tyre janë në fushën e betejës, por ata thonë se profili i luftëtarëve ka ndryshuar.
“Valët e para të vullnetarëve erdhën kryesisht nga vendet post-sovjetike ose anglishtfolëse. Njohja e gjuhës ruse ose angleze e bëri më të lehtë për këta vullnetarë integrimin në ushtrinë e Ukrainës”, ka thënë Shahuri. “Vitin e kaluar ushtria zhvilloi infrastrukturën e rekrutuesve, instruktorëve dhe oficerëve të rinj operacionalë spanjisht-folës”.
Hector Bernal, mjek ushtarak i pensionuar, i cili drejton një qendër mjekësore ushtarake jashtë kryeqytetit të Kolumbisë, ka thënë se në tetë muajt e fundit ka trajnuar më shumë se 20 kolumbianë, të cilët pastaj shkuan të luftojnë në Ukrainë.
“Vullnetarët janë si emigrantët e Amerikës Latine që shkojnë në SHBA në kërkim të një të ardhmeje më të mirë”, ka thënë Bernali. “Këta nuk janë vullnetarë që duan të mbrojnë flamurin e një vendi tjetër. Ata janë thjesht të motivuar nga nevoja ekonomike.”
Përderisa në Kolumbi gjeneralët marrin rreth 6,000 dollarë në muaj nga rrogat dhe shpërblimet, njësoj si ministrat e qeverisë, gradat më të ulëta fitojnë të ardhura shumë më modeste.
Tetarët në Kolumbi marrin pagë bazë prej rreth 400 dollarë në muaj, ndërsa rreshterët me përvojë mund të fitojnë deri në 900 dollarë. Paga minimale mujore në Kolumbi aktualisht është 330 dollarë.
Në Ukrainë, çdo pjesëtar i forcave të armatosura, pavarësisht nga shtetësia, ka të drejtë për pagë mujore deri në 3300 dollarë, në varësi të gradës dhe llojit të shërbimit. Ata gjithashtu kanë të drejtë të marrin deri në afro 29 mijë dollarë nëse lëndohen, në varësi të ashpërsisë së plagëve. Nëse ata vriten në aksion, familjeve të tyre u jepet një kompensim prej 400 mijë dollarësh.
Checho thotë se parimi e shtyu të udhëtonte në Kiev shtatorin e kaluar. Ai vlerëson se vetëm në njësinë e tij, ishin rreth 100 luftëtarë të tjerë nga Kolumbia që kishin bërë të njëjtin udhëtim.
“E di që nuk jemi shumë, por po përpiqemi të japim maksimumin që mundemi në mënyrë që të arrihet diçka dhe të shohim ndryshim sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Checho.
Në Kolumbi, fjalët për rekrutim në ushtrinë ukrainase përhapen kryesisht përmes mediave sociale. Disa nga vullnetarët që tashmë luftojnë në Ukrainë ndajnë njohuritë e tyre mbi procesin e rekrutimit në platforma të tilla sociale si TikTok ose WhatsApp.
Por kur diçka shkon keq, marrja e informacionit mbi të dashurit e tyre është e vështirë për të afërmit.
Diego Espitia humbi kontaktet me kushëririn e tij Oscar Triana, pasi Triana iu bashkua ushtrisë ukrainase në gusht të vitit 2023. Gjashtë javë më vonë, ushtari i pensionuar nga Bogota ndaloi së postuari përditësime në mediat sociale.
Pa ambasadë ukrainase në Bogotë, familja e Trianës kërkoi informacion për të dashurin e tyre nga ambasada ukrainase në Peru dhe konsullata kolumbiane në Poloni - vendi i fundit ku Triana kaloi gjatë rrugës për në Ukrainë. Asnjëri nga institucionet nuk u përgjigj.
“Ne duam që autoritetet e të dyja vendeve të na japin informacione për atë që i ka ndodhur atij, për t'iu përgjigjur emaileve tona. Kjo është gjithçka që ne po kërkojmë tani”, ka thënë Espitia.
Një luftëtar kolumbian që përdor nofkën “Oso Polar” (ariu polar) thotë se ai ishte personi i fundit që e pa Trianën të gjallë më 8 tetor të vitit 2023. Ai thotë se njësia e Trianës ishte zënë në pritë nga forcat ruse në rajonin e Kharkivit. Pas kësaj fati i tij nuk dihej.
Njësia ushtarake ukrainase ku Triana po shërbente, konfirmoi zyrtarisht se Triana është zhdukur, por ka zbuluar asnjë detaj rreth rrethanave në të cilat ai u zhduk.
Espitia, kushëriri i tij, ka thënë se nuk është i sigurt se çfarë e motivoi Trianën të luftonte në Ukrainë. Espitia ka thënë se 43-vjeçari kishte shërbyer në ushtrinë kolumbiane për më shumë se 20 vjet dhe largimi nga ajo kishte qenë “mentalisht i vështirë”.
“Motivi ka shans të kishin qenë paratë ose mungesa e adrenalinës së të qenit në betejë. Por ai nuk u hap rreth arsyeve për të shkuar dhe për të luftuar në Ukrainë”, ka thënë Espitia.
Pas gati tri javësh në spital, Checho është kthyer në vijën e parë të frontit të Ukrainës. Kështu janë kthyer edhe më shumë se 50 luftëtarë të tjerë kolumbianë që u trajtuan në të njëjtin institucion për plagë.
“Situata këtu është e vështirë”, ka thënë Checho. “Jemi të rrezikuar nga bombardimet e vazhdueshme, por do të vazhdojmë të luftojmë”.
Përktheu: Latra Gashi