Gara për ta gjetur prodhuesin e pejxherëve që shpërthyen në Liban dhe Siri ka marrë një kthesë të papritur – drejt një kompanie tajvaneze, për të cilën pak kanë dëgjuar deri të mërkurën në mëngjes.
Të paktën 12 persona janë vrarë dhe afro 3000 janë lënduar në shpërthimet e së martës që shënjestruan anëtarët e grupit të armatosur Hezbollah, gjë që shkaktoi një stuhi gjeopolitike në Lindje të Mesme.
I zënë në mes të kësaj krize, themeluesi i firmës tajvaneze, Gold Apollo, Hsu Ching-Kuang, ka mohuar se kompania e tij ka gisht në këto sulme.
Hsu tha se ia ka dhënë licencën e markës së tij tregtare një kompanie në Hungari, të quajtur BAC Consulting për ta përdorur emrin Gold Apollo në pejxherët e tyre. Përpjekjet e BBC-së për të kontaktuar BAC Consulting kanë qenë të pasuksesshme.
“Shikoni pamjet nga Libani. Nuk kanë asnjë shenjë që thotë ‘Made in Taiwan’ në to, ne nuk i kemi bërë ata pejxherë!” – ka thënë Hsu për gazetarët të mërkurën.
Zyrat e Gold Apollo janë në një park të ri biznesi në periferi të kryeqendrës së Tajvanit, Taipei.
Duken njëjtë si mijëra kompani të vogla tregtare dhe prodhues që përbëjnë pjesën më të madhe të ekonomisë së ishullit – me përjashtim se gjenden dy zyrtarë policorë në hyrje para një grumbulli të madh të gazetarëve dhe ekipeve televizive.
Në muret e zyrës së Gold Apollo janë posterë të produkteve të kompanisë, pajisje të vogla në formë kutie me ekrane të vogla LCD. Ata janë pejxherët.
Deri këtë mëngjes, uebfaqja e kompanisë kishte një faqe kushtuar secilit produkt, duke lartësuar virtytet dhe praktikalitetin e tyre. Por, me të dalë lajmi se Gold Apollo ishte burimi i supozuar i pajisjeve të përdorura në sulmet në Liban, uebfaqja ra nga funksioni.
Hsu ka thënë se ishin pejxherët e prodhuar nga BAC Consulting që u përdorën në sulmet në Liban. Ai u tha gazetarëve se kompania ka nënshkruar kontratë me BAC Consulting tri vjet më parë.
Paratë e transferuara nga BAC ishin “shumë të çuditshme”, thotë ai. Ka pasur probleme me pagesat dhe disa u bënë nëpërmjet Lindjes së Mesme, u tha ai gazetarëve, por nuk dha detaje.
Fillimisht, ai tha se BAC donte të blinte pejxherë nga Gold Apollo dhe t’i shiste në Evropë. Por, pas një viti, dolën me plan të ri për të prodhuar pejxherët e tyre dhe të përdornin emrin Gold Apollo.
“Ne vetëm kemi dhënë autorizimin për të përdorur emrin e markës dhe nuk jemi përfshirë në prodhim apo dizajn të këtij produkti”, është thënë në komunikatë nga Gold Apollo.
Por, fakti se ekipe nga hetuesia e Tajvanit gjenden në zyra të Gold Apollos, dëshmon se autoritetet tajvaneze nuk janë plotësisht të bindura me këtë.
Por, deklarimet e Hsu-së se kompania e tij nuk i ka prodhuar pajisjet janë të besueshme.
Sistemi i prodhimit të Tajvanit është një labirint kompleks i kompanive të vogla, shumë prej të cilave në fakt nuk prodhojnë produktet që shesin. Ata mund të zotërojnë emrin e brendit, pronësinë intelektuale dhe të kenë departamente kërkimore dhe dizajni. Por, pjesa më e madhe e prodhimit aktual kryhet në fabrika në Kinë apo në Azinë Juglindore.
Pejxherët po ashtu nuk janë ndonjë teknologji e avancuar, ka shumë kompani në mbarë botën që janë të afta t’i prodhojnë ata.
Ata janë radiomarrës të vegjël me ekrane LED që mund të marrin dhe shfaqin mesazhe. Në vitet ‘80 dhe ’90, pejxherët elektronikë konsideroheshin teknologjia e fundit, e përdorur nga dhjetëra miliona njerëz. Përpara telefonave celularë, kompanitë përdornin pejxherë për të dërguar mesazhe të shkurtra me tekst te punonjësit në terren.
Por, në dy dekadat e fundit, me rritjen e telefonave të mençur, ata u shtynë buzë zhdukjes. Tash janë të rrallë dhe përdoren në vende si spitalet – ku mbesin të lira dhe metoda të besueshme për të dërguar mesazhe te mjekët e infermierët, kurdo që linjat e komunikimit ndërpriten.
Duke filluar nga fundi i viteve 2000, Gold Apollo nisi të largohej nga prodhimi i pejxherëve elektronikë dhe nisi të prodhonte pajisje si radio të distancave të shkurtra – veçanërisht për restorantet. Produkti më i suksesshëm i kompanisë tash është një disk i rrumbullakët që u dorëzohet konsumatorëve në restorante me të kryer porosinë – dhe ai nis të bëjë dritë dhe të vibrojë kur porosia është e gatshme.
Ka shumë gjasë që emri i Gold Apollos – si një prodhues i besueshëm i pejxherëve – ndikoi në shitjen e pejxherëve që përfunduan te Hezbollahu.
Por, ka ende shumë pyetje në këtë storie të jashtëzakonshme.
Nuk dihet thuajse asgjë për BAC Consulting – kush është prapa tij?
Nëse Gold Apollo nuk ka bërë pejxherët që u përdorën në sulmin në Liban, atëherë kush dhe ku i bëri?