Studimet meteorologjike në mbarë botën tregojnë se prilli i vitit 2024 ishte më i ngrohtë se çdo prill i mëparshëm që kur shkencëtarët filluan mbledhjen e të dhënave. Është muaji i 11 rresht që temperaturat thyejnë rekordet e mëparshme, sipas agjencisë së BE-së për ndryshimet klimatike “Copernicus”.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga “Copernicus”, agjencia e Bashkimit Evropian për ndryshimet klimatike, prilli i sivjetmë ka qenë prilli më i nxehtë në histori duke marrë mesataret globale.
“Copernicus” ka thënë se temperatura e ajrit sipërfaqësor muajin e kaluar ishte 15.03 gradë celsius, që është 0.67 gradë më lartë se mesatarja për prillin e llogaritur midis 1991-tës dhe 2020-s.
Kjo është gjithashtu 1.58% më e lartë se pika e referencës e përcaktuar në Samitin e Klimës në Paris.
Është prilli i dytë më i ngrohtë në Evropë. Jashtë Evropës vendet e tjera përjetuan ngritjen më të madhe të temperaturave. Ato përfshijnë Amerikën e Veriut, Azinë Lindore, pjesë të Lindjes së Mesme, pjesë të Amerikës së Jugut dhe pjesën më të madhe të Afrikës.
Carlo Buontempo, drejtor i Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike “Copernicus”, ka thënë se tendenca e vazhdueshme rritëse nuk mund të injorohet.
“Nëse bazohemi te temperatura, përsëri kemi një muaj tjetër që po thyen rekord. Kjo do të thotë se vargu i muajve me thyerje të rekordeve që nisi në qershor të vitit të kaluar nuk u ndërpre asnjëherë. Prilli është muaji i njëmbëdhjetë me radhë. E njëjta vlen edhe për temperaturën e sipërfaqes së detit”, ka thënë Buontempo.
Ai ka thënë se studimi tregon se oqeanet janë më ngrohtë se kurdo ndonjëherë më parë.
Që nga dhjetori Buontempo ka thënë se bota ka kaluar nga sistemi i motit i njohur me emrin “El Niño” në sistemin “La Niña”. Kjo duhet të ndihmojë që temperaturat e ujit të ftohen, por Buontempo ka thënë se kjo mund të mos jetë e mjaftueshme për të ulur temperaturat e oqeanit aq sa duhet.
“Ne do të shohim përsëri ‘El Ninon’ dhe ‘La Ninan’ të alternuar me njëri-tjetrin. Do të shohim vite më të freskëta, më të lagështa dhe më të thata, por prapëseprapë po shkojmë drejt një klime më të ngrohtë”, ka shtuar ai.
Muaji i kaluar ishte më i lagësht se mesatarja në pjesën më të madhe të Evropës veriperëndimore, qendrore dhe verilindore.
Evropa Jugore ishte më e thatë se mesatarja.
Të dhënat nga “Copernicus” tregojnë se bota është në trajektore të qartë drejt temperaturave gjithnjë e më të ngrohta.