Botë

Pretendohet zbulimi i një krematoriumi klandestin në Meksikë

meksike

Vullnetarë të shumtë në Mexico City pretendojnë se kanë gjetur një krematorium klandestin (furrë ku digjen kufomat), zbulimi i fundit i zymtë në vendin ku më shumë se 100 mijë njerëz listohen zyrtarisht si të zhdukur.

Është hera e parë që dikush pretendon se ka gjetur një vend të tillë asgjësimi trupash në kryeqytet, raporton CBS News.

Autoritetet të cilat merren me kërkimin e personave të zhdukur thonë se kartelet e drogës dhe bandat e tjera të krimit të organizuar, shpesh përdorin naftë ose substanca të tjera për të djegur trupat, në mënyrë që të mos lënë gjurmë të krimit, por deri më tani ka pasur pak prova për këtë në Mexico City.

Ceci Flores, udhëheqëse e grupit të të ashtuquajturave “nëna në kërkim” nga Meksika veriore, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se ekipi i saj kishte gjetur eshtra rreth një grope të djegur në periferi të qytetit.

Flores ka thënë se ekipi kishte gjetur eshtra, karta identiteti dhe fletore për fëmijë në një zonë rurale në anën jugore të qytetit.

Prokurorët e qytetit të Meksikës kanë bërë të ditur se po hetojnë natyrën e mbetjeve të gjetura dhe nëse ato u përkasin njerëzve.

Vullnetarët për kërkimin e të zhdukurve, kryesisht nënat e të zhdukurve, zakonisht nuk i drejtojnë gishtin askujt për humbjen e fëmijëve të tyre. Ato thonë se duan vetëm të gjejnë eshtrat e tyre.  

Qeveria meksikane ka shpenzuar pak për të kërkuar të zhdukurit. Vullnetarët duhet të qëndrojnë pranë ekipeve zyrtare të kërkimit për t’i ndihmuar. E qeveria nuk ka financuar apo zbatuar në mënyrë adekuate bazën e të dhënave gjenetike për të ndihmuar në identifikimin e mbetjeve të gjetura.

Familjarët e viktimave mbështeten në këshilla anonime, ndonjëherë nga ish-anëtarë të karteleve të drogës apo bandave kriminale, për të gjetur vende ku dyshohet se janë fshehur trupat.

Nëse ata gjejnë diçka, autoritetet e vendit dërgojnë ekipe policore dhe mjeko-ligjore për të tërhequr mbetjet, të cilat në shumicën e rasteve nuk identifikohen kurrë.

Të paktën shtatë nga vullnetarët për kërkimin e personave të zhdukur të Meksikës janë vrarë që nga viti 2021.

Në mars, disa familjarë të cilët kërkonin të dashurit e tyre të zhdukur thanë se gjetën dhjetëra çanta të mbushura me mbetje njerëzore në një varrezë klandestine në El Salto. Në të njëjtin rajon në shkurt të 2023-s, 31 trupa u zhvarrosën nga autoritetet e vendit.