Botë

Pretendime për inskenim të vrasjeve në luftën Izrael – Gazë

Një nga termat kyç të përdorur për të mohuar ose minimizuar vuajtjet njerëzore në Gaza është “Pallywood”, kombinim përçmues i “Palestinë” dhe “Hollywood”. Përkrahësit e saj pretendojnë se pamjet e rreme ose të inskenuara të “aktorëve të krizës” palestineze që paraqiten si viktima të vërteta civile shpërndahen rregullisht në internet për të ndikuar në opinionin publik dhe për të mashtruar mediat globale.

Nëna dhe gjyshi i foshnjës palestineze pesëmuajshe Muhammad Hani al-Zahar mbajtën trupin e tij të pajetë përpara një spitali pas rifillimit të armiqësive në Gaza në ditën e parë të dhjetorit.

Mirëpo kur pamjet e familjes së pikëlluar duke mbajtur trupin në krahë u bënë virale në mediat sociale, shumë postime pretendonin në mënyrë të rreme se Muhamedi ishte thjesht kukull dhe jo një foshnjë e vërtetë.

Këto pretendime u përforcuan në një artikull nga “Jerusalem Post”, gazetë izraelite me ndikim, e cila tregoi një imazh të Muhamedit dhe deklaroi se vërtetonte se ai ishte kukull. Pas një reagimi të ashpër, gazeta e hoqi artikullin nga faqja e saj e internetit, duke thënë në X (ish-Twitter) se raporti “ishte i bazuar në burime të gabuara”.

Disa javë më parë, një video e vëllezërve izraelitë Rotem Mathias, 16 vjeç, dhe dy motrave të tij, Shakked dhe Shir, u bë virale në internet. Rotem ishte dëshmitar i vrasjes së prindërve të tij nga persona të armatosur të Hamasit më 7 tetor, teksa ishin strehuar në shtëpinë e tyre në një kibuc pranë kufirit me Gazën.

Videoja virale shfaqi video të modifikuara nga intervistat e vëllezërve dhe motrave me mediat amerikane ABC dhe CNN disa ditë pas sulmit. Pretendohej në mënyrë të rreme se ata ishin “aktorë të krizës” që po gënjenin për vdekjen e prindërve të tyre dhe po përpiqeshin të mbanin të qeshurën e tyre para kamerave.

Këta janë vetëm dy shembuj - të parë miliona herë secili - që tregojnë përçarjen e mediave sociale në luftën Izrael-Gaza që ka sjellë mohimin e mizorive dhe vuajtjet njerëzore në ballë të debatit në internet rreth konfliktit.

“Aktorët e krizës”

Një nga termat kyç të përdorur për të mohuar ose minimizuar vuajtjet njerëzore në Gaza është “Pallywood”, kombinim përçmues i “Palestinë” dhe “Hollywood”. Përkrahësit e saj pretendojnë se pamjet e rreme ose të inskenuara të “aktorëve të krizës” palestineze që paraqiten si viktima të vërteta civile shpërndahen rregullisht në internet për të ndikuar në opinionin publik dhe për të mashtruar mediat globale.

Një analizë e BBC Verify sugjeron se vetëm në X, termi “Pallywood” ka parë rritjen më të madhe në numrin e përmendjeve në 10 vjetët e fundit.

Gjatë shpërthimeve të mëparshme të konfliktit izraelito-palestinez në 2014, 2018 dhe 2021, fjala “Plywood” arriti kulmin e vazhdueshëm ose në 9500, ose 13000 përmendje në një muaj të vetëm në X. Pas sulmit të Hamasit të 7 tetorit, numri i përmendjeve arriti kulmin në 220.000 në nëntor.

BBC Verify ka zbuluar se në mesin e atyre që ndanin termin “Pallywood” në mediat sociale në muajt e fundit, duke përfshirë X, Facebook dhe Instagram, ishin zyrtarë izraelitë, të famshëm dhe blogerë të njohur nga Izraeli dhe SHBA-ja.

Nga ana tjetër, teksa mbështetësit e palestinezëve nuk kanë një term të vetëm të përdorur për të mohuar mizoritë e kryera nga Hamasi më 7 tetor në Izrael, postimet që bëjnë pretendime të tilla marrin në mënyrë rutinore miliona shikime në mediat sociale. Disa thonë në mënyrë të rreme se Hamasi nuk vrau civilë atë ditë, ose se shkalla e viktimave civile është ekzagjeruar masivisht. Disa madje shkojnë më tej, duke pretenduar në mënyrë të rreme se shumica e viktimave u vranë nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit, jo nga Hamasi.

Ekspertët e specializuar në përpjekjet e pajtimit shqetësohen se dezinformatat virale që mohojnë vuajtjet e palës tjetër mund të jenë çhumanizuese dhe mund të ndikojnë në perspektivat afatgjata të përmirësimit të marrëdhënieve midis komuniteteve të prekura.

“Rreziqet më të mëdha, mendoj, janë erozioni i besimit dhe erozioni i ndjeshmërisë”, ka thënë Harriet Vickers, drejtuese e programit në Fondacionin Tim Parry dhe Johnathan Ball për Paqen, organizatë bamirëse që mbështet viktimat e konfliktit, dhunës politike dhe akteve të terrori.

“Ai minon aftësinë për të filluar edhe afrimin e përpjekjeve të pajtimit”.

Ajo shtoi se narrativat e rreme dhe retorika çnjerëzore gjithashtu mund të “kenë një efekt të thellë përtej atyre që ndikohen drejtpërdrejt nga dhuna dhe në fakt mund të çojnë më tej dëmin që u bëhet atyre individëve”.

Rrëfimet e rreme rreth “aktorëve të krizës” ose mohimit të mizorisë nuk janë të reja për ata që studiojnë dezinformimin.

Koncepti i “aktorëve të krizës” në veçanti - që janë njerëz që pretendojnë ose paguhen për të kryer ndonjë tragjedi apo fatkeqësi të veçantë - ka qenë i popullarizuar në mesin e nxitësve të teorive konspirative për vite me radhë.

U përdor gjerësisht për të pretenduar se prindërit e fëmijëve të vdekur në të shtënat në shkollën Sandy Hook në SHBA po shtirnin disi tragjeditë e tyre personale.

Keqinformime për çdo luftë

Në vitet e fundit pretendime të ngjashme virale u postuan në lidhje me vrasjen e civilëve ukrainas në Bucha, dhe viktimat e luftës në Siri.

Por vëllimi i retorikës çnjerëzore të postuar gjatë kësaj lufte ka habitur edhe ata që merren përditë me përmbajtje të tilla.

Eliot Higgins, themeluesi i uebsajtit investigues Bellingcat që ka raportuar luftërat në Siri dhe Ukrainë vitet e fundit, thotë se vëllimi i dezinformatave në luftën aktuale izraelito-Gaza është “unik për këtë konflikt”.

“Kam parë të njëjtin lloj intensiteti të toksicitetit dhe reagimeve të ndyra dhe dezinformatave, mënyrën se si i trajtojnë gratë dhe fëmijët dhe gjëra të tilla, me Sirinë, me Ukrainën dhe kaq shumë tema të ndryshme - thjesht ka më shumë njerëz që e bëjnë këtë”, është shprehur ai për BBC-në.

Higgins shtoi se për shkak se shumë njerëz kanë pasur opinione shumë të forta për secilën anë të konfliktit për vite me radhë, “ka më shumë njerëz që po ndajnë gjëra sepse po përngjajnë me ta emocionalisht”.

Në nëntor, një video që tregonte grimin dhe gjakun e rremë që aplikohej në fytyrën e një aktori fëmijë u postua në X nga Ofir Gendelman, zëdhënësi i kryeministrit izraelit në botën arabe.

“Shikoni vetë se si ata falsifikojnë lëndimet dhe evakuojnë civilët e “të plagosur”, të gjitha para kamerave. Pallywood zbulohet përsëri”, ka theksuar Gendelman në një postim që u shikua miliona herë përpara se të fshihej.

Videoja ishte, në fakt, pamje nga prapaskenat e një filmi libanez 45 sekonda, i bërë në nder të Gazës dhe i postuar në internet në tetor.

Shqetësim për publikun

Regjisori Mahmoud Ramzi, i cili hyri në Instagram për të kundërshtuar personalisht pretendimin e rremë të bërë në lidhje me filmin e tij, i tha BBC-së se në fund, keqinformimi mund të kishte rezultuar kundër, me polemika që ndihmoi filmin e tij të arrinte një audiencë shumë më të madhe.

BBC ka kontaktuar Gendelmanin për koment, por ai nuk është përgjigjur.

Të tjerë kanë shprehur shqetësim për njerëzit e vërtetë që e gjejnë veten në mes të luftërave të dezinformimit në internet. James Longman, korrespondenti i ABC-së që intervistoi Rotemin dhe motrat e tij, thotë se duke parë Rotemin duke rrëfyer vdekjen e prindërve të tij, ai dhe kameramani i tij u përlotën.

“Ai ishte në lot, motra e tij ishte në lot, gjyshi i tyre, i cili ishte me ne, kameramani ynë, portierët e spitalit, infermieret, mjekët dhe unë isha në lot. Dua të them të gjithë ne që rrinim atje duke dëgjuar atë që ai duhej ta thoshte”, ka thënë ai për BBC.

”Ishte e jashtëzakonshme ta dëgjoja atë të thoshte, të shikoja reagimet e tij teksa shpjegonte se çfarë kishte ndodhur”.

Longman ka theksuar se ishte i tronditur kur pa pretendime të rreme për vëllezërit e motrat që ndaheshin në internet dhe shkoi te X për ta debutuar atë. Postimi i tij u shpërnda gjerësisht dhe bëri që të paktën një nga mesazhet virale për vëllezërit dhe motrat të fshihej më pas nga personi që e postoi atë.

“Por kjo nuk e bën më situatën më pak të tmerrshme për familjen e Rotem”, ka përfunduar Longman.

Përktheu: Blerta Haxhiu