Netanyahu gjithashtu është nën presion të madh që të kënaqë anëtarët e koalicionit të tij, duke intensifikuar luftën kundër Hamasit që qeveris Gazën, teksa tenton të shmangë thirrjet për përmbajtje nga SHBA-ja.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kundërshtuar çfarëdo forme të sovranitetit palestinez në Gazën e pasluftës, ka deklaruar zyra e tij të shtunën, duke refuzuar edhe këshillat e presidentit amerikan, Joe Biden, për zgjidhjen dyshtetërore me palestinezët.
Është shenjë e presionit me të cilin po përballet qeveria e Netanyahut si brenda ashtu edhe jashtë. Qindra protestues të shtunën u mblodhën para shtëpisë së kryeministrit, për t’i bërë thirrje që të veprojë më mirë për lirimin e më shumë se 100 pengjeve që po mbahen nga Hamasi dhe grupet tjera militante.
Netanyahu gjithashtu është nën presion të madh që të kënaqë anëtarët e koalicionit të tij, duke intensifikuar luftën kundër Hamasit që qeveris Gazën, teksa tenton të shmangë thirrjet për përmbajtje nga SHBA-ja.
Në deklaratën e zyrës së kryeministrit thuhej se Netanyahu e bëri të qartë të premten në bisedën e tij të parë me Biden në gati një muaj se qëndrimi i tij për Gazën e pasluftës nuk ka ndryshuar. Netanyahu ka përsëritur qëndrimet se Izraeli duhet të mbajë kontrollin e sigurisë mbi territorin e Gazës pasi Hamasi të shkatërrohet – “kërkesë që bie në kundërshtim me kërkesën për sovranitetin palestinez”, thuhet në deklaratë.
Duke diskutuar pozicionin e administratës së tij, Bideni ka thënë të premten se “ekzistojnë sërë llojesh zgjidhjesh me dy shtete. Ka numër vendesh që janë anëtare të OKB-së që janë ende nuk kanë ushtritë e tyre”. I pyetur nëse zgjidhja me dy shtete ishte e pamundur me Netanyahun në pushtet, Bideni është përgjigjur: “Jo nuk është e pamundur”.
Të shtunën, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë se “refuzimi për të pranuar zgjidhjen me dy shtete për izraelitët dhe palestinezët, dhe mohimi i të drejtës për shtetësi për popullin palestinez, janë të papranueshme”. Duke folur në Ugandë, ai ka thënë se refuzimi do të “zgjaste pafundësisht” konfliktin.
Ndërkaq, vetëm marrëveshja e armëpushimit mund të mundësojë lirimin e pengjeve që po mbahen nga militantët në Gazë, dhe qëndrimet se ata mund të lirohen me masa të tjera janë shpërndarje e iluzioneve, ka thënë ish-shefi i ushtrisë izraelite, Gadi Eisenkot, një nga katër anëtarët e kabinetit të luftës, në deklaratën e tij të parë publike në lidhje me drejtimin e luftës.
Komentet e Eisenkotit ishin shenja më e re e mosmarrëveshjeve mes liderëve politikë dhe ushtarakë në lidhje me drejtimin që duhet të ketë ofensiva e Izraelit ndaj Hamasit, që tani ka hyrë në muajin e katërt.
E nxitur nga sulmi i Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit, në të cilin u vranë 1 mijë e 200 persona, shumica civilë, lufta e Izraelit ka bërë rrafsh me tokë pothuajse krejt Rripin e Gazës, shtëpi e 2.3 milionë palestinezëve. Izraeli ka deklaruar se 130 pengje ende janë në Gazë, por jo të gjithë prej tyre besohet se janë të gjallë.
Ofensiva e Izraelit, më vdekjeprurësja dhe shkatërrimtarja në historinë e re të konfliktit, ka lënë të vrarë 25 mijë palestinezë. Ndërkaq, 80 për qind e popullsisë është zhvendosur nga Gaza.