Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili vuri veton të shtunën ndaj të ashtuquajturit "ligji rus" që synon median, e që ka shkaktuar protesta masive për javë të tëra.
Ligji do t'u kërkonte mediave dhe OJQ-ve të regjistrohen si "në ndjekje të interesave të një fuqie të huaj" nëse marrin më shumë se 20% të financimit të tyre nga jashtë, raporton AP.
Kritikët e ligjit thonë se ai i ngjan shumë legjislacionit të përdorur nga Kremlini për t’ia mbyllur gojën kundërshtarët dhe se ai do të pengojë ofertën e Gjeorgjisë për t'u bashkuar me BE-në.
Presidentja Zourabichvili, e cila është gjithnjë e më shumë në kundërshtim me partinë në pushtet të Gjeorgjisë, ka thënë të shtunën se ligji bie ndesh me Kushtetutën e Gjeorgjisë dhe "të gjitha standardet evropiane" dhe shtoi se ai "duhet të shfuqizohet".
Partia në pushtet, “Ëndrra Gjeorgjiane”, ka një shumicë të mjaftueshme për të kapërcyer veton e Zourabichvilit dhe pritet ta bëjë këtë në ditët në vijim.
Qeveria gjeorgjiane këmbëngul se ligji synon të promovojë transparencën dhe të frenojë atë që ajo e konsideron të dëmshme, ndikimin e huaj në vendin prej 3.7 milionë banorësh.