Botë

Presidenti sirian pritet nga Erdogani, flasin për rimëkëmbjen e Sirisë

Ahmad al-Sharaa dhe Recep Tayyip Erdogan

Foto: Associated Press

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmad al-Sharaa, është takuar të martën me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. 

Al-Sharaa po qëndron në Ankara, për bisedimet që priten të përqëndrohen në rimëkëmbjen ekonomike të Sirisë, si dhe praninë e forcave të udhëhequra nga kurdët në veri të vendit, të cilën Turqia e konsideron si një kërcënim sigurie, raporton AP.

Ahmad al-Sharaa, i cili është emëruar president i përkohshëm javën e kaluar, raportohet të jetë pritur në Ankara me një ceremoni të thjeshtë, në krahasim me krerët e tjerë të shtetit, të cilët zakonisht priten me trupa ushtarake.

Al-Sharaa, ish-udhëheqësi rebel që drejtoi kryengritësit që rrëzuan presidentin Bashar Assad në dhjetor, ka bërë në Turqi udhëtimin e tij të dytë ndërkombëtar pas vizitës së tij në Arabinë Saudite.

Turqia ishte një mbështetëse e fortë e grupeve kundër Asadit gjatë luftës civile 13-vjeçare të vendit dhe konsiderohet të jetë një nga aleatët kryesorë të administratës së re.

Zyra e Erdoganit ka thënë se bisedimet janë fokusuar në hapat drejt rimëkëmbjes ekonomike të Sirisë dhe sigurisë dhe stabilitetit të saj.

Turqia ka pritur numrin më të madh të refugjatëve sirianë pas shpërthimit të luftës civile siriane në vitin 2011.