Botë

Presidenti i Argjentinës mohon pretendimet se ka mashtruar me kriptovaluta

Javier Milei

Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, ka mohuar se ka promovuar kriptovalutën që është lansuar së fundi, e cila kolapsoi disa momente pasi ai e kishte përmendur në një postim në rrjete sociale të premten, raporton “BBC”. 

Kriptovaluta “$Libra” shpejt u rrit në vlerë përpara se të binte, duke u shkaktuar humbje të mëdha shumicës së njerëzve që investuan në të. 

Një gjykatës do të përcaktojë nëse presidenti duhet të përballet me akuza për mashtrim lidhur me incidentin. 

Të hënën, president Milei tha se kishte vepruar “me mirëbesim” dhe hodhi poshtë ankesat e investuesve, duke i krahasuar veprimet e tyre me njerëzit që luajnë bixhoz. 

“Nëse shkoni në një kazino dhe humbni para, çfarë ka për t’u ankuar kur i dini rreziqet?” – pyeti Milei. 
Milei foli për incidentin në një intervistë për kanalin televiziv argjentinas “Todo Noticias” të hënën, pas një fundjave gjatë së cilës ai kishte qëndruar jashtëzakonisht i qetë në rrjetet sociale. 

Ai ka këmbëngulur se postimi i tij në platformën “X”, që përmbante një vegëz të një faqe që shet “$Libra”, nuk përbënte miratim për këtë kriptovalutë. 

“Unë nuk e promovova atë, thjeshtë e shpërndava”, tha ai. 

Postimi i Milenit, të cilën e fshiu vetëm pas disa orësh, mori kritika të rënda jo vetëm nga rivalët politikë në Argjentinë, por edhe nga ata që kishin investuar në kriprovaluta. 

Disa kanë argumentuar se “$Libra” ishte skemë mashtrimi, ku promovuesit shtyjnë blerësit që të blejnë, e më pas ndalojnë aktivitetin tregtar dhe marrin paratë e mbledhura nga shitjet. 

Zyra e Mileit ka insistuar se ai nuk ishte në asnjë mënyrë i përfshirë në zhvillimin e “$Libra” dhe njoftuan se Zyra Anti-Korrupsion do të përcaktonte nëse presidenti kishte bërë shkelje.