Kina e mban çelësin për t'i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, ka thënë presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, në një intervistë me Bloomberg.
Sipas Stubbit, Rusia është shumë e varur nga Kina pas sanksioneve ekonomike nga Perëndimi.
“Unë argumentoj se Rusia është kaq e varur nga Kina tani saqë një telefonatë nga presidenti Xi Jinping do ta zgjidhte këtë krizë. Nëse ai do të thoshte, 'Koha për të filluar negociatat për paqen'. Rusia do të detyrohej ta bënte këtë. Nuk do të kishin zgjidhje tjetër”, ka thënë ai.
Stubb, vendi i të cilit iu bashkua aleancës ushtarake të NATO-s në prill të vitit të kaluar, ka thënë se ndërmjetësimi për zgjidhje paqësore të luftës në Ukrainë do të ishte në interesin e Kinës.
“Nëse Kina është vërtet e interesuar për marrëdhënie harmonike midis shteteve kombëtare, ajo nuk mund të lejojë një vend si Rusia të drejtojë një luftë perandorake, në fund të fundit, agresive dhe koloniale kundër një shteti kombëtar të pavarur. Kjo është gjëja e duhur për të bërë. Dhe kjo do të tregonte gjithashtu lidershipin e Kinës”, ka shtuar Stubb.
Kina edhe pse ka bërë thirrje për paqe, nuk e ka dënuar luftën e Rusisë në Ukrainë. Disa ekspertë vlerësojnë se është në dobi të Kinës që lufta në Ukrainë të vazhdojë.