Pas vrasjes së liderit politik, Ismail Haniyeh, grupit militant Hamas i është dashur të nxitojë në zgjedhjen e personit të radhës që do të ngjitet në krye. Në takimet e mbajtura në Doha të Katarit, ku janë mbledhur delegatët e shquar të lëvizjes, lider i ri i grupit është zgjedhur Yahya Sinwarin. Agjencitë e sigurisë së Izraelit besojnë se Sinwari ka planifikuar dhe ka kryer sulmin në jug të Izraelit më 7 tetor dhe ai është në maje të listës së tyre të njerëzve më të kërkuar. Zgjedhja e tij ka qenë mjaft e diskutueshme dhe shumë e shohin ngritjen e tij në pozicionin më të rëndësishëm të Hamasit si çmenduri
Gjatë javës së fundit liderët e lartë të Hamasit u mblodhën në Katar për ta zgjedhur liderin e ri politik për grupin e tyre.
Delegatët vërshuan nga e gjithë Lindja e Mesme pas gati një viti luftimesh mes Hamasit dhe Izraelit në Gazë.
Disa erdhën të tronditur, duke mos e besuar akoma se lideri politik i grupit, Ismail Haniyeh, ishte vrarë në një sulm në Teheran, që thuhet se u krye nga Izraeli.
Haniyeh, që ka qenë nëpër bisedimet e grupit të tij me Izraelin, ka luajtur rol të rëndësishëm në Hamas, duke e balancuar dëshirën e grupit militant për të luftuar me Izraelin me thirrjet për ta arritur një zgjidhje dhe ta përfundojnë konfliktin.
Pozita e tij, qartë, duhet të plotësohej menjëherë.
Në ceremoninë përkujtimore në Doha, liderët e Hamasit janë mbledhur në një tendë të madhe e të bardhë me qilima dhe karrige të zbukuruara, të dekoruar me fotografi të Ismail Haniyeh. Qindra njerëz janë mbledhur për ta nderuar Haniyehun dhe rojën e tij.
Prapaskenat para zgjedhjes
Skena ka qenë më shumë se shërbim përkujtimor – ka sinjalizuar përfundimin e një epoke dhe fillimit të një epoke të re, një faze më ekstreme.
Diskutimet e grupit kanë reflektuar shkallën e sfidave dhe krizave me të cilat po përballen.
Hamasi ka sulmuar jugun e Izraelit në 7 tetor vitin e kaluar, duke vrarë më shumë se 1200 njerëz dhe duke marrë 251 pengje në Gazë. Që nga atëherë, ofensiva e ushtrisë së Izraelit ka vrarë më shumë se 39.600 njerëz, sipas ministrisë së Shëndetësisë së udhëhequr nga Hamasi dhe ka lënduar dhjetëra mijëra të tjerë.
Më shumë se gjysma e ndërtesave në Gazë janë dëmtuar ose shkatërruar dhe gati e tërë popullata është zhvendosur. Disidentët që janë kundër Hamasit, që ka udhëhequr Gazën që nga viti 2007, janë duke u rritur. Vetë grupi ka pësuar humbje të mëdha.
Dhe mbi të gjitha, vrasja e Ismail Haniyehut më 31 korrik në Teheran – vendi ku ai gjithmonë është ndier i sigurt – ka qenë lajm më të vërtetë tronditës për grupin.
Hamasi është i bindur se Haniyehu është vrarë nga raketa e telekomanduar sa ishte duke qëndruar në telefon. Garda Revolucionare e Iranit ka thënë se është përdorur një predhë me 7 kilogram fuqi shpërthyese. Disa raportime të mediave Perëndimore kanë thënë se ai është vrarë nga një bombë e vendosur më herët në dhomën e tij.
Në ceremoninë përkujtimore të Haniyehut në Doha, një burrë në të 60-at me flokë të bardha dhe mjekër të shkurtë ka qëndruar në qoshe larg nga vëmendja.
“Kushtoji vëmendje atij”, i ka thënë BBC-së një oficer i medias së Hamasit. Kush është ai? “Ai është burri në hije, Abu Omar Hassan”, ka thënë ai.
Abu Omar Hassan, ose Mohamed Hassan Darwish, është kreu i Këshillit Suprem Shura, organi më i lartë konsultativ në Hamas. Sipas Kushtetutës së Hamasit, ai ishte në pozicionin kryesor për të qenë kreu i përkohshëm i organizatës deri në zgjedhjet që ishin caktuar marsin e ardhshëm.
“Ai është burri me misione të mëdha”, ka thënë oficeri.
Ndërsa, ceremonia përkujtimore ka përfunduar puna e vërtetë e këtyre liderëve ka filluar. Për dy ditë, fytyrat veterane të lëvizjes dhe figurat në hije kanë mbajtur mbledhje në Doha, e cila e ka pritur byronë politike të Hamasit që nga viti 2012, për ta zgjedhur një udhëheqës të ri.
Ata kanë zgjedhur Yahya Sinwarin, veçse liderin e grupit në Gazë që nga viti 2017. Zgjedhja e tyre mund të jetë befasuese për shumë, por kush ka ndjekur karrierën e tij që nga lirimi prej burgut izraelit në vitin 2011, në marrëveshjen për shkëmbimin e ushtarit izraelit të kapur peng, Gilad Shalit, e di se me gjasë ai do ta udhëhiqte Hamasin një ditë.
Shenja dalluese e lëvizjes
Asnjë lider politik i Hamasit nuk ka qenë kaq i afërm me krahun e djathtë të grupit. Vëllai i tij Mohammed udhëheq batalionin më të madh ushtarak të Hamasit, ndërsa Mohammed Deifi - veterani i pakapshëm i Hamasit që ka udhëhequr krahun e armatosur për dy dekada derisa Izraeli ka thënë se e ka vrarë muajin e kaluar- ka qenë fqinji, miku dhe shoku i tij i klasës. Dyshja është rritur së bashku në kampin e refugjatëve të Khan Younisit në Gazë.
Pavarësisht të gjithave, shumë e shohin zgjedhjen e tij në pozicionin më të rëndësishëm në Hamas si çmenduri. Agjencitë e sigurisë së Izraelit besojnë se Sinwari ka planifikuar dhe ka kryer sulmin në jug të Izraelit dhe ai është në maje të listës së tyre të njerëzve më të kërkuar.
“Jo të gjithë njerëzit brenda udhëheqësisë së Hamasit kanë qenë në favor të këtij vendimi”, ka thënë një zyrtar i lartë i Hamasit. “Disa liderë kanë ngritur shqetësimet e tyre, të tjerët kanë kërkuar një njeri më të moderuar. Por në fund ai ka fituar shumicën e votave”.
Një tjetër zyrtar i Hamasit, që ka marrë pjesë në mbledhjet e tyre, ka thënë se lëvizja është ndier sikur nuk ka qenë në gjendje ta zgjidhte operatorin e fuqishëm Abu Omar Hassan, meqë ka pasur profil të vogël publik dhe se ka qenë i panjohur jashtë lëvizjes, ndërsa sulmi i 7 tetorit i ka dhënë Yahya Sinwarit famë botërore.
“Sinwari është bërë shenjë dalluese pas sulmit të 7 tetorit dhe ka pasur popullaritet në botën islamike dhe arabe”, ka thënë zyrtari. “Ai ka lidhje të ngushta me boshtin e rezistencës së mbështetur nga Irani dhe zgjedhja e tij në mes të luftës i dërgon Izraelit mesazh provokues e sfidues”.
“Boshti i rezistencës” është rrjet i grupeve të armatosura të mbështetura nga Irani. Anëtarët e tjerë siç është Hezbollahu i bazuar në Liban gjithashtu paraqesin kërcënim ndaj Izraelit.
Shumë zyrtarë arabë e disa perëndimorë kanë qenë kundër zgjidhjes së Sinwarit si lider i Hamasit për shkak të lidhjes së tij me sulmet e 7 tetorit. Ai dhe organizata që tani drejton janë të cilësuar si terroristë nga shumë qeveri të Perëndimit.
“Një nga arsyet pse e kemi votuar atë është sepse duam të nderojmë për planifikimin e detajuar të sulmeve”, ka thënë zyrtari. “7 tetori i përket atij prandaj ai e meriton ta udhëheqë lëvizjen”.
Përpjekjet e reja për armëpushim
Dhjetë muaj nga sulmi, të gjitha përpjekjet për ta pranuar një marrëveshje për armëpushim kanë dështuar deri më tani. Sipas BBC-së, dy ndërmjetësit kryesor – Katari dhe Egjipti – janë duke punuar për një propozim të ri për armëpushim.
Rrjedhjet e informacionit sugjerojnë se plani është bazuar në bindjen e Iranit për të mos u kundërpërgjigjur ushtarakisht ndaj vrasjes së Haniyehut në territorin e tij, në shkëmbim që Izraeli ta përfundojë luftën në Gazë dhe t’i tërheqë trupat e tij nga korridori “Philadelphi”.
Korridori “Philadelphi” është zonë tampon, vetëm 100 metra e gjerë në disa pjesë, e cila shtrihet përgjatë anës së Gazës në kufirin 13-kilometërsh me Egjiptin. Kufiri tjetër i vetëm tokësor i Gazës është me vet Izraelin.
“Inteligjenca egjiptiane veçse ka dërguar një ekip në Doha dhe atje po mbahen takime për ta formuluar planin e veprimit të bazuar në parandalimin e përshkallëzimit të situatës në rajon nga një përgjigje e mundshme iraniane... në shkëmbim të armëpushimit”, ka thënë një zyrtar palestinez me njohuri të negociatave të armëpushimit në Doha.
Për tani, konflikti është duke u afruar gjithnjë e më shumë, me Sinwarin, figurën më ekstremiste në Hamas, të vendosur në krye të grupit për pesë vjetët e ardhshëm – nëse i mbijeton luftës.