Botë

Gjykata e BE-së gjobit Poloninë me 1 mln euro në ditë sherri i gjyqësorit

“Në vendimin e marrë sot, nënkryetari i Gjykatës ka obliguar Poloninë që ta paguajë... një penallti prej 1 milion eurosh në ditë, duke nisur nga data kur ky vendim i dorëzohet Polonisë”, thuhet në deklaratën e Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian

Polonia duhet të paguajë 1 milion euro në ditë për anashkalimin e thirrjes së Bashkimit Evropian për ta pezulluar dhomën disiplinore të Gjykatës Supreme, ka vendosur të mërkurën gjykata më e lartë e BE-së, në episodin më të fundit të përplasjes rreth sundimit të ligjit që i rrezikon marrëdhëniet e Varshavës me bllokun.

Konflikti i kahershëm rreth reformave polake në gjyqësor, për të cilat blloku pretendon se e minojnë pavarësinë e gjykatave, është thelluar sivjet, duke e vënë në pikëpyetje pozitën e ardhshme të anëtares më të madhe lindore të BE-së në bllok, ka shkruar agjencia e lajmeve Reuters.

“Në vendimin e marrë sot nënkryetari i Gjykatës ka obliguar Poloninë që ta paguajë... një penallti prej 1 milion eurosh në ditë, duke nisur nga data kur ky vendim i dorëzohet Polonisë”, thuhet në deklaratën e Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian.

Polonia ka pretenduar se do ta shpërbëjë dhomën si pjesë e reformave më të gjera, porse ende nuk ka paraqitur plane të detajuara.

Gjykata e BE-së tanimë ka gjobitur Poloninë me 500,000 euro në ditë rreth sfidimit të vendimit të gjykatës për t’i ndalur operimet në minierën e thëngjillit Turow, afër kufirit me Republikën Çeke, ka kujtuar Reutersi. Megjithëkëtë, vendi është zotuar që t’i vazhdojë operimet dhe ka bërë të ditur se nuk do t’i paguajë penalltitë rreth minierës.

Një zëdhënës i Qeverisë në Varshavë nuk i është përgjigjur kërkesës së Reutersit për të komentuar nëse Polonia do ta paguajë gjobën më të fundit.

Megjithëkëtë, zëdhënësi Piotr Muller në Twitter ka shkruar: “Shtegu i ndëshkimeve dhe shantazheve ndaj vendit tonë nuk është i duhuri”.

Vendimi i së mërkurës ka nxitur përgjigje të ashpër nga zëvendësministri i Drejtësisë, Sebastian Kaleta.

“Gjykata e shpërfill dhe e injoron plotësisht Kushtetutën polake dhe vendimet e Tribunalit Kushtetues”, ka shkruar ai në Twitter, raporton Reuters.

Nacionalistët në pushtet nga Partia Ligj dhe Drejtësi (PiS) thonë se ekzekutivi i BE-së, Komisioni Evropian, po e tejkalon mandatin e tij, duke u munduar që t’i stopojë reformat e saja në gjyqësor.

Me kërkesë të kryeministrit Mateusz Morawiecki, Tribunali Kushtetues i Polonisë ka ekzaminuar nëse elemente të caktuara të traktateve të BE-së janë në përputhshmëri me kushtetutën polake. Në fillim të muajit Tribunali ka vendosur se nuk janë duke e marrë një vendim për të cilin kritikët pretendojnë se e krijon një problem ekzistencial për bllokun, meqenëse e konteston primatin e ligjeve të BE-së, një dogmë kjo për integrimin evropian.

Që nga nisja e përplasjes, Polonia është akuzuar për ngecje në aspektin e pavarësisë së gjyqësorit dhe lirinë e shtypit në krahasim me vendet e tjera anëtare të BE-së. Blloku pretendon se Polonia ka politizuar gjyqësorin me anë të emërimit të gjykatësve besnikë të partisë në pushtet.