Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, i ka kërkuar qeverisë së vendit të sigurojë që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të mund të marrë pjesë në kremtimet për shënimin e 80-vjetorit të çlirimit të Aushvicit në fund të këtij muaji, pa rrezikun e arrestimit, ka bërë të ditur të enjten një ndihmës i presidentit polak.
Netanyahu është bërë i kërkuar ndërkombëtarisht pasi Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJNP), gjykata më e lartë në botë për krimet e luftës, lëshoi një urdhërarresti për të dhe të tjerët në lidhje me luftën 15-mujore në Gaza, duke i akuzuar ata për krime kundër njerëzimit, raporton AP.
Ka pasur raporte që thonë se urdhri mund të pengojë Netanyahun të udhëtojë në Poloni për të marrë pjesë në ceremonitë që shënojnë përvjetorin e çlirimit në vitin 1945 të kampit të vdekjes Aushvic-Birkenau nga forcat sovjetike më 27 janar.
Vendeve anëtare të GJNP-së, si Polonia, u kërkohet të ndalojnë të dyshuarit që përballen me një urdhër nëse shkelin në tokën e tyre, por gjykata nuk ka asnjë mënyrë për ta zbatuar këtë. Izraeli nuk është anëtar i GJNP-së dhe konteston juridiksionin e tij.
Gjykata ka më shumë se 120 shtete anëtare, megjithëse disa vende, përfshirë Francën, kanë thënë tashmë se nuk do ta arrestonin atë. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka shkuar edhe më tej duke thënë se do të kundërshtonte urdhrin duke ftuar Netanyahun në Hungari.
Nuk është e qartë nëse Netanyahu dëshiron të marrë pjesë në këtë ngjarje. Ministria e Jashtme polake, në përgjigje të një pyetjeje me email, ka thënë të enjten se "nuk ka marrë asnjë informacion deri më tani që tregon se kryeministri Benjamin Netanyahu do të marrë pjesë në kremtimin e 80-vjetorit të çlirimit të Aushvicit".
“Polonia është një vend i sigurt dhe çdo lider që viziton Poloninë ka të drejtën e mbrojtjes së dhënë nga Ministria e Brendshme”, ka thënë ai.