Botë

Polonia synon të vendosë deri në një milion mina në kufijtë lindorë

Polonia

Zëvendësministri Bejda deklaroi se Polonia për momentin nuk ka mina antipersonel por i ka kapacitetet për t’i prodhuar

Polonia planifikon të rifilloj prodhimin vendor të minave antipersonel, me synim që të prodhoj deri në një milionë për t’i fortifikuar kufijtë me Rusinë dhe Bjellorusinë, sipas një zëvendësministri, ka raportuar “Kyiv Post”.

Deklarata e Pawel Bejdas erdhi pasi Polonia dhe vendet baltike kanë njoftuar për planet për t’u larguar nga Konventa e Ottawës, e cila i ndalon minat antipersonel.

Largimi nga traktati i vitit 1997-s, i cili është ratifikuar apo pranuar nga më shumë se 160 vende por jo nga Rusia, do t’i mundësojë Polonisë dhe tri vendeve baltike të furnizohen me mina përsëri. 

Bejda ka deklaruar se Polonia nuk ka pasur zgjidhje pos të tërhiqet nga konventa pasi vendi i tij po përballet me një “kërcënim shumë real dhe shumë serioz” në kufijtë e tij me Bjellorusinë dhe Rusinë.
Ai shtoi se rritja e kapaciteteve të mbrojtjes është pjesë e projektit “Mburoja Lindore” e Warshawës për të përforcuar seksionin e saj të krahut lindor të NATO-s.

Në një intervistë, Bejda deklaroi se Polonia për momentin nuk ka mina antipersonel por i ka kapacitetet për t’i prodhuar. 

Ai shtoi se prodhimi do të bëhej nga kontraktorë privat të mbrojtjes dhe firma shtetërore, duke theksuar se edhe potenciali i prodhimit duhet të shtohet. 

Ai deklaroi se prodhuesi shtetëror i armëve PGZ do të përfshihet për të arritur qëllimin e prodhimit të “disa qindra mijëra, mund të themi një milionë” mina antipersonel, dhe se kjo do të zgjaste tetë deri në nëntë muaj.

Ministri i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, ka deklaruar se largimi nga Konventa e Ottawës do të duhet të aprovohet nga Kabineti, Parlamenti dhe presidenti i vendit, dhe do të përfundoj me një njoftim në Kombet e Bashkuara, procedurë që do të mund të marrë deri në gjashtë muaj.