Botë

Polonia po e forcon kufirin me Bjellorusinë dhe planifikon ta përforcojë edhe atë me Rusinë

Ushtria polake

Ushtria polake

Foto: Associated Press

Polonia është duke forcuar barrierën e metaltë rreth kufirit të saj me Bjellorusinë për të penguar emigrimin ilegal, dhe po planifikon po ashtu për të përforcuar kufirin e saj me Rusinë, ka bërë të ditur të enjten ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz.

Ai ka thënë se rritja e prezencës së ushtrisë polake dhe të ushtrive aleate në rajon, shumë pranë kufirit, është duke ndihmuar në shtrëngimin e kufirit lindor të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Kjo prani është rritur që nga agresioni rus në Ukrainë në vitin 2022, raporton AP. 

“Jemi duke e riparuar barrierën në kufirin Poloni-Bjellorusi, jemi duke e forcuar këtë barrierë, atje ka kampe ushtarake... që po mbështesin Rojet Kufitare (në rajon) dhe shpenzimet për këto qëllime janë më të lartat në historinë e Polonisë”, ka thënë Kosiniak-Kamysz në Radio Zet.

Ai ka folur në favor të ndërtimit të Polonisë së një linje bunkerësh mbrojtës, llogoresh dhe hendeqesh përgjatë atij kufiri, dhe atij me enklavën ruse të Kaliningradit, hapa që shtetet baltike i kanë ndërmarrë tashmë. 

Polonia thotë se një valë masive e migrimit të paligjshëm nga Bjellorusia, veçanërisht në vitin 2022, u orkestrua nga ai vend dhe nga Rusia për të destabilizuar Poloninë, një aleate të Ukrainës, dhe të gjithë BE-në. 

Migrimi u frenua kryesisht nga barriera metalike që Polonia vendosi vitin e kaluar, por disa kalime të paligjshme vazhdojnë.