Botë

Politikani gjerman do të dalë në gjyq për përdorim të sloganit nazist

Björn Höcke

Björn Höcke

Foto: Associated Press

Një nga figurat më të rëndësishme në partinë e ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë” do të dalë para gjykatës të enjten, nën akuzat se ka përdorur dy herë një slogannazist, disa muaj para zgjedhjeve rajonale në të cilat po garon për t’u zgjedhur guvernator i shtetit të tij.

Björn Höcke, 52 vjeç, është lider i degës rajonale të “Alternativës për Gjermaninë” (AfD) në shtetin lindor të Thurnigias, dhe një figurë e fuqishme në parti, raporton AP.

Ndonëse asnjëherë nuk ka qenë formalisht lider nacional i AfD-së, ish-profesori i historisë ka qenë vazhdimisht me ndikim, pasi partia 11-vjeçare ka shkuar vazhdimisht më tej djathtas dhe ka rrëzuar disa liderë relativisht të moderuar.

Në gjykimin në gjykatën e shtetit në Halle, ai do të përballet me akuzat për përdorim të simboleve të organizatave jokushtetuese.

Höcke akuzohet se e ka përfunduar një fjalim të tij në Merseburg në maj të vitit 2021 me fjalët “Gjithçka për Gjermaninë”. 

Prokurorët pretendojnë se ai ishte në dijeni të origjinës së frazës si një slogan i stuhive të nazistëve SA. 

Ata pretendojnë se ai e përsëriti përdorimin e fjalëve në një ngjarje partie në Gera dhjetorin e kaluar, "duke e ditur sigurt për ndëshkueshmërinë" lidhur me sloganin.

Prokurorët thonë se Höcke ka thënë “Gjithçka për....” dhe ka inkurajuar audiencën që të bërtiste “Gjermaninë!”.

Përdorimi i simboleve të organizatave jokushtetuese mund të ndëshkohet me gjobë ose me dënim me burgim deri në tre vjet. 

Höcke e pati quajtur njëherë memorialin e Holokaustit në Berlin një “monument të turpit” dhe pati bërë thirrje që Gjermania të bëjë “ndërrim prej 180 shkallësh” për mënyrën se si e kujton të kaluarën.