Votuesit indianë janë duke kërkuar politikanë që premtojnë zgjidhje dhe qëndrueshmëri ndaj efekteve dëmtuese të klimës gjithnjë e më të nxehtë. Por deri tash ka pasur pak diskutime për ndryshimin klimatik në fushatën elektorale dhe premtimet e tyre kanë rezultuar të zbrazëta. Zgjedhjet në Indi mbahen nga 19 prilli deri më 1 qershor dhe janë të ndara në 7 faza
Rreth 970 milionë indianë janë duke votuar në zgjedhjet e përgjithshme në mes të vapës së madhe dhe ekstremeve të paparashikueshme të motit, të përkeqësuar nga ndryshimi klimatik i shkaktuar nga njerëzit. Kjo është duke shtyrë në humbje të mjeteve të jetesës, migrim të detyruar dhe rritje të kushteve të vështira të jetesës për miliona njerëz të vendit.
Votuesit janë duke kërkuar politikanë që premtojnë zgjidhje, lehtësim dhe qëndrueshmëri ndaj efekteve të gjera dhe dëmtuese të klimës gjithnjë e më të nxehtë. Në manifestimet e tyre zgjedhore, partitë kryesore politike të Indisë, duke e përfshirë partinë qeverisëse Bharatiya Janata (BJP) dhe opozitën kryesore, Partinë e Kongresit, i kanë bërë disa premtime të shumta për të vepruar në kapërcimin e dëmtimit të klimës dhe për t’i ulur emetimet e gazrave që ngrohin planetin.
Por deri më tash në fushatë ka pasur pak diskutime për ndryshimin klimatik.
“Ndryshimi klimatik nuk është akoma në titujt kryesorë gjatë këtyre zgjedhjeve, pavarësisht ndikimit të tij në jetët e miliona indianëve”, ka thënë Anjal Prakashi, autor i disa raporteve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për klimën.
Nënkontinenti indian – i rrethuar nga oqeane në tri anë dhe malet Himalaje në veri – është i cenuar nga rritja e nivelit të detit, stuhitë e forta, përmbytjet e mëdha dhe shkrirja e akullnajave. Gjithashtu, është duke përjetuar rritje ekstreme të nxehtësisë dhe thatësi të rëndë, ndërsa rriten temperaturat mesatare globale. Një raport nga Qendra për Shkencë dhe Mjedis e bazuar në Nju-Delhi ka thënë se India ka përjetuar klimë ekstreme në gati 90% të ditëve vitin e kaluar.
Thatësia ekstreme në Indinë perëndimore dhe qendrore
Ferma e melit të Vaibhav Maskes ka qenë e thatë deri në palcë në fillim të majit, edhe pse ai i ka hapur tre bunarë, 182 metra të thellë për të kërkuar ujë.
25-vjeçari jeton në Marathwada, një nga rajonet më të prekura nga nxehtësia dhe thatësia në shtetin perëndimor Maharashtra dhe fermerët atje thonë se vera e këtij viti është më e thata në pothuajse një dekadë. Por politikanët nuk kanë qenë duke i kushtuar vëmendje.
“Politikanët janë duke folur vetëm për rajonin dhe kastën. Askush nuk është duke folur për problemet e ambientit ose të fermerëve”, ka thënë Maske. “Ata janë duke thënë se kryeministri Modi është duke u dhënë para fermerëve, kjo është gjë e mirë. Por në të njëjtën kohë, taksat janë aq të larta në gjithçka duke i përfshirë edhe pajisjet e fermës, prandaj si mund t’ia dalim ne në këtë mënyrë?”
Që nga shkurti i vitit 2019, një skemë e qeverisë federale u transferon 70 dollarë rreth 100 milionë fermerëve në vit për t’i plotësuar të ardhurat e tyre. Por Maske ka thënë se kjo nuk është aq e dobishme, meqë shpenzimet e fermerëve si uji, plehu dhe pajisjet e fermës tani i kushtojnë deri në 180 dollarë në muaj.
Në vend të kësaj, Maske ka thënë se qeveritë lokale dhe federale duhet ta kenë prioritet sigurimin e një burimi të ujit për fermat. “Ata duhet të hapin kanale ose të sjellin ujë nga lumenjtë e zonave pranë, në mënyrë që ne të kemi burim të sigurt të ujit. Askush nuk ka ndërmarrë diçka rreth kësaj çështjeje”, ka thënë ai.

Ciklone më të forta dhe më të shpeshta në rajonet bregdetare
Brigjet lindore të Indisë kanë qenë për një kohë të prekura nga ciklonet, por numri i stuhive të forta është duke u rritur përgjatë bregut të vendit. Viti i kaluar ka qenë sezoni më vdekjeprurës i cikloneve në Indi gjatë kohëve të fundit, duke vrarë 523 njerëz dhe duke shkaktuar dëme me vlerë 2.5 miliardë dollarë.
Roxy Mathew Koll, shkencëtar i klimës në Institutin indian të Meteorologjisë Tropikale, ka thënë që studimet e tyre kanë gjetur se “përmbytjet janë rritur trefish që nga të ‘50-at dhe ciklonet janë rritur për 50% që nga të ‘80-at”.
Kjo është duke i bërë fatkeqësitë pikë kritike të politikave për rajonet më të prekura nga to.
Rreth 25 mijë njerëz në Lagjen Ennore në Chennai kanë planifikuar bojkotimin e zgjedhjeve të përgjithshme indiane, për shkak të mungesës së mbështetjes nga qeveria pas ciklonit “Michaung”, i cili ka shkatërruar pjesën lindore të brigjeve jugore të Indisë në dhjetor të vitit 2023.
“Politikanët vetëm sa vijnë për të kërkuar vota duke bërë premtime”, ka thënë Subhashini Ravi, banor 37-vjeçar i Ennores. “Pas përfundimit të zgjedhjeve, ata veç zhduken”.
Gjithsesi, bojkoti është anuluar në minutën e fundit, pasi qeveria rajonale u ka tha se do t’i adresonte problemet pas zgjedhjeve.
Problemet e lidhura me rajonin, këstet dhe punësimin akoma përcaktojnë preferencat politike të shumicës së indianëve, por Kolli ka thënë se në nivelet lokale, klima luan rol vetëm kur “i tërë komuniteti është i prekur”.
Autoritetet lokale dhe ato federale kanë menaxhuar të adaptohen pjesërisht ndaj cikloneve gjithnjë e më të shpeshta duke i evakuuar banorët bregdetarë në kohë dhe duke i ulur në mënyrë drastike humbjet e jetës. Por teksa ciklonet bëhen më të forta, shumë banorë si Ravi janë akoma të shqetësuar për të ardhmen.
Rritja e përmbytjeve të paparashikueshme në Assam
Mijëra njerëz në shtetin Assam janë të varur nga peshkimi dhe nga shitja e prodhimeve si orizi, juta dhe perimet nga fermat e tyre të vogla në ishujt e lumenjve në lumin Brahmaputra, të njohur në vend si Chars.
Kur ka përmbytje, banorët e ishujve Char përmes gomoneve të improvizuara kalojnë në tokë të thatë dhe rikthehen kur ulet niveli i ujit. Por përmbytjet tani janë bërë më shkatërruese dhe më të paparashikueshme për shkak të ndryshimit klimatik, thonë vendësit, duke e bërë kështu më të vështirë qëndrimin në ishuj.
Banorët janë të shqetësuar se asgjë nuk do të ndryshojë pavarësisht se për kë votojnë.
“Të gjithë politikanët premtojnë t’i zgjidhin problemet e lidhura me përmbytjet, por pas përfundimit të zgjedhjeve askujt nuk i intereson më”, ka thënë Yaad Ali, fermer 55-vjeçar në Sandahkhaiti, fshat i ndodhur në një ishull të vogël në lum në shtetin verilindor të Assamit.
Badruddin Ajmal, lideri i Frontit të Bashkuar Demokratik të të Gjithë Indisë, parti rajonale në Assam dhe opozita kryesore e shtetit, ka folur vazhdimisht për sigurimin e zgjidhjes afatgjatë nga përmbytjet gjatë fushatës së tij në këto zgjedhje.
Liderët e partive kombëtare të tilla si BJP-ja – gjithashtu në pushtet në shtetin Assam – dhe Partia e Kongresit, kryesisht e kanë injoruar problemin gjatë fushatës së tyre elektorale në Assam këtë vit.
I konsideruar si rajoni më i cenuar në botë ndaj ndryshimeve klimatike sipas një raporti të vitit 2021, Alia ka thënë se mungesa e vullnetit është duke e bërë jetën më të vështirë.

Shkrirja e akullnajave dhe reshjet intensive në Himalaje
Në qytetin Shimla në shtetin malor Himachal Pradesh, fermeri i mollëve, Sanjay Chauhan, tregon për reshjet vdekjeprurëse të vitit të kaluar në rajon, që i kanë vrarë 428 njerëz dhe kanë thyer rekordin e reshjeve lokale.
“Nuk kisha parë asnjëherë një reshje të tillë”, ka thënë Chauhani. Ai ka pësuar dëme në vlerë prej 5000 dollarësh në pemishtet e tij nga shiu i rrëmbyer dhe dëmet e pronës përgjatë vendit janë vlerësuar të kenë qenë 1.42 miliardë dollarë.
“Shumë probleme janë shkaktuar nga shkatërrimet e vitit të kaluar, por qeveria dhe liderët politikë janë duke dhënë vetëm zgjidhje të përkohshme”, ka thënë ai.
Rritjet e temperaturave globale nënkuptojnë se më shumë ujë avullohet nga nxehtësia, i cili pastaj kthehet në tokë përmes shiut të rrëmbyer. Shkrirja e shpejtë e akullnajave në rajon, që shkencëtarët thonë se mund ta humbasë 80% të volumit deri në fund të shekullit, do të thotë se rajoni i Himalajeve dhe njerëzit e tij janë të rrezikuar më shumë.
Por shqetësimet e lidhura me klimën si përmbytjet e mëdha dhe shkrirja e akullnajave nuk janë të paraqitura si problem në fushatat zgjedhore të vendit. Shumica e fjalimeve politike në Himachal Pradesh janë të fokusuara në problemet e lidhura me korrupsionin, rritjen e çmimeve dhe papunësinë, pa marrë parasysh aleancën politike.
Në ndërkohë, Chauhani ka thënë se vendësit janë “të shqetësuar se çka do të sjellin reshjet verore këtë vit”.
Rajonet e tjera gjithashtu kanë pësuar humbje të mëdha në jetë, prona dhe toka të fermave për shkak të shirave të rrëmbyer – duke e përfshirë shtetin Uttarakhand, Dehli dhe shumicën e shteteve veriore dhe perëndimore të Indisë.
“Çka na duhen neve janë strategji afatgjata për t’u përballur me rastet ekstreme të motit”, ka thënë Chauhani.