Policia ka përdorur sprej, fishekë plastike dhe topa uji kundër protestuesve në kryeqytetin e Turqisë herët të enjten, duke ringjallur tensionet pas dy ditësh qetësie relative në protestat më të mëdha antiqeveritare të vendit në më shumë se një dekadë.
Demonstratat kanë nisur javën e kaluar pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, një rival kryesor i presidentit, Recep Tayyip Erdogan.
Herët të enjten, demonstruesit studentë u përpoqën të marshonin dhe u mblodhën për të lexuar një deklaratë pranë portave të Universitetit Teknik të Lindjes së Mesme, njoftoi transmetuesi pro-opozitës Halk TV dhe media lokale. Ata u përballën nga forcat e sigurisë që përdorën sprej, topa uji dhe fishekë plastikë. Pasoi një përplasje ku studentët u fshehën pas një barrikade.
Melih Meric, një ligjvënës i Partisë Popullore Republikane ose CHP të cilës i përket edhe Imamoglu, u pa i lagur me ujë dhe vuante nga ekspozimi ndaj sprejit.
“Miqtë e mi studentë donin vetëm të bënin një deklaratë për shtyp, por policia nuk e lejoi rreptësisht, ky është rezultati”, ka thënë Meric në video të postuara në rrjetet sociale.
Gjithashtu të enjten janë liruar tetë gazetarë që ishin burgosur pasi mbuluan protestat, ka bërë të ditur një grup për lirinë e medias.
Të paktën 1,400 njerëz janë arrestuar në gjashtë ditët e para të protestave, ka bërë të ditur të martën ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya.
Demonstratat që përfshijnë qindra mijëra kanë përfshirë qytetet kryesore.
Ndërkohë, Imamoglu, duke folur nga burgu përmes mediave sociale të mërkurën, ka denoncuar dhunën e policisë ndaj protestuesve.
"Unë nuk mund t'i quaj polici, sepse policia ime e nderuar nuk do ta bënte këtë mizori ndaj fëmijëve të vegjël të kombit”, ka thënë ai.
Imamoglu është konfirmuar si kandidati i CHP-së për zgjedhjet presidenciale të 2028-ës, por që mund të vijnë më herët. Ai ka performuar mirë në sondazhet e fundit kundër Erdoganit, për të cilin zgjedhja e tij si kryebashkiak i qytetit më të madh të Turqisë në vitin 2019 ishte një goditje e madhe.
LEXO EDHE: