Autoritetet në SHBA kanë nisur kërkimin për një person të armatosur në juglindje të Kentuckyt që ka shtënë në drejtim të veturave në autostradë të shtunën, raporton “BBC”.
Rasti ndodhi rreth orës 17:30 me kohë lokale. Policia ka njoftuar se nëntë vetura ishin goditur nga plumbat në “Interstate 75”.
Shtatë persona janë lënduar, përfshirë pesë seriozisht, është thënë nga Zyra e Sherifit të Laurel Countyt.
Personat janë lënduar në të shtënat dhe një aksident me veturë që i pasoi të shtënave.
Policia ka thënë se Joseph A. Couch (32), është person me interes lidhur me rastin dhe ka shtuar se ai konsiderohet i rrezikshëm dhe i armatosur. Policia ka thënë se është shtënë në të dy anët përgjatë autostradës.
“Interstate-75” u mbyll për disa orë për shkak të rreziqeve. Dyshohet se është shtënë nga një pjesë malore në afërsi të autostradës.
Duke folur për “CNN”, Christina DiNoto, tha se “ishte sikur një gur goditi pjesën e pasme të dritares sime”, dhe e lëndoi në afërsi të veshit.
Ajo tha se vetëm gjysmë ore me vonë e kuptoi se kishte pasur të shtëna.