Autoritetet malajziane kanë shpëtuar më shumë se 400 fëmijë dhe adoleshentë të mërkurën, nën dyshimet se janë abuzuar seksualisht në shtëpitë e bamirësisë, të drejtuara nga një organizatë islame biznesi me lidhje me një sekt fetar të ndaluar, ka thënë zyrtari i lartë i policisë, raporton Reuters.
Policia ka arrestuar 171 të rritur, përfshirë edhe mësues fetarë islamikë, gjatë bastisjeve të koordinuara në 20 godina përgjatë dy shteteve malajziane, ka thënë inspektori gjeneral i policisë, Razarudin Husain.
Të shpëtuarit përfshijnë 201 djem dhe 201 vajza, të moshave nga 1 deri në 17, pas raportimeve të supozuara për neglizhim, abuzim, ngacmim dhe dhunë seksuale. Të gjitha shtëpitë drejtoheshin nga Global Ikhwan Services and Business (GISB).
GISB-ja, një firmë malajziane, operon në shumë vende, duke përfshirë Indonezinë, Singaporin, Egjiptin, Arabinë Saudite, Francën, Australinë dhe Tajlandën, sipas faqes së saj të internetit.
Në një deklaratë, GISB-ja i mohoi raportet e veçanta në rrjetet sociale se kishte shfrytëzuar dhe përdorur fëmijë si punëtorë, duke thënë se kompania nuk angazhohet në asnjë aktivitet të paligjshëm dhe se do të bashkëpunonte me autoritetet për ta zgjidhur këtë çështje.
Husain ka theksuar se hetimet paraprake të policisë kishin gjetur se të miturit e shpëtuar ishin fëmijë të punonjësve malajzianë të GISB-së, të cilët iu nënshtruan formave të shumta të abuzimit.
Sipas tij, disa fëmijë që protestuan ose u sollën keq, u dogjën me lugë të nxehtë në krahë, çka u shkaktoi lëndime, ndërsa të tjerët u ngacmuan seksualisht nën pretekstin e kryerjes së trajtimit mjekësor sipas mësimeve islame.
Fëmijët do të dërgohen për ekzaminim shëndetësor, sipas Husainit, duke shtuar se rasti po hetohet sipas ligjeve që mbulojnë veprat seksuale kundër fëmijëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore.