Policia kontrolloi zyrat dhe rezidencën e një punonjësi të Parlamentit Evropian të mërkurën, si pjesë e një hetimi nën dyshimin se ligjvënësit e BE-së ishin korruptuar për të promovuar propagandën ruse për të minuar mbështetjen për Ukrainën, kanë bërë të ditur prokurorët.
Vetëm disa ditë para zgjedhjeve evropiane, zyra e prokurorit federal të Belgjikës ka thënë se kontrollet u bënë në banesën e punonjësit në Bruksel. U kontrolluan edhe zyrat e tij parlamentare në kryeqytetin e BE-së dhe në Strasburg, ku ndodhet selia e Parlamentit të BE-së në Francë, raporton AP.
Operacioni i hetimit u krye nga autoritetet belge dhe franceze, në partneritet me agjencinë e bashkëpunimit gjyqësor të BE-së, Eurojust.
Zgjedhjet në mbarë Evropën për të zgjedhur një parlament të ri të BE-së janë caktuar për 6-9 qershor.
Për hetimin ka folur muajin e kaluar edhe kryeministri belg, Alexander De Croo, i cili ka thënë se shërbimi i inteligjencës së vendit të tij ka konfirmuar ekzistencën e një rrjeti që përpiqet të minojë mbështetjen për Ukrainën.
“Kërkimet janë pjesë e një rasti të ndërhyrjes, korrupsionit pasiv dhe anëtarësimit në një organizatë kriminale dhe ka të bëjë me indikacionet e ndërhyrjes ruse, ku anëtarët e Parlamentit Evropian janë afruar dhe paguar për të promovuar propagandën ruse përmes faqes së lajmeve të Zërit të Evropës”, kanë deklaruar prokurorët.
Disa media e identifikuan të dyshuarin si Guillaume Pradoura, një punonjës i ligjvënësit të BE-së, Marcel de Graaff të partisë së ekstremit të djathtë holandez, “Forumi për Demokracinë”. Një person me njohuri për hetimin konfirmoi se raportet ishin të sakta.
De Graaff ka thënë në platformën e mediave sociale X se ai dhe Pradoura nuk ishin kontaktuar nga autoritetet.
“Për mua, e gjithë kjo vjen si një surprizë e plotë. Meqë ra fjala, unë nuk kam asnjë përfshirje në asnjë të ashtuquajtur operacion dezinformues rus. Unë kam bindjet e mia politike dhe i shpall ato. Kjo është puna ime si eurodeputet”, ka shkruar De Graaff.
Pradoura ka punuar më parë për Maximilian Krah, kandidati kryesor i “Alternativës për Gjermaninë” e ekstremit të djathtë të Gjermanisë në zgjedhjet evropiane të muajit të ardhshëm, i cili kohët e fundit u ndalua të bënte fushatë nga partia e tij.
Krah ishte nën vëzhgim pasi autoritetet në Bruksel kontrolluan zyrat e tij në Parlamentin Evropian në lidhje me një nga ndihmësit e tij, i cili u arrestua muajin e kaluar me dyshimin për spiunazh për Kinën.
Mirëpo në një postim në X ai ka thënë se asnjë nga zyrat e tij nuk ishte kontrolluar të mërkurën.
“Ish-punonjësi në fjalë ka kohë që punon për një tjetër deputet”, ka shkruar ai.
BE-ja këtë muaj ndaloi “Voice of Europe” dhe tri media të tjera ruse që të transmetohen në bllokun 27-vendesh. Sipas BE-së, ato ishin të gjitha nën kontrollin e Kremlinit dhe po synonin “partitë politike evropiane, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore”.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, BE-ja ka pezulluar “Rusia Sot” dhe “Sputnik”, mes disa mediave të tjera ruse.
De Croo ka thënë muajin e kaluar se hetimi tregoi se anëtarëve të Parlamentit Evropian iu ofruan para për të promovuar propagandën ruse.
“Sipas shërbimit tonë inteligjent, objektivat e Moskës janë shumë të qarta. Objektivi është të ndihmojë në zgjedhjen e më shumë kandidatëve pro-rusë në Parlamentin Evropian dhe të përforcojë një narrativë të caktuar pro-ruse në atë institucion”, pati deklaruar kryeministri belg.
“Qëllimi është shumë i qartë: Një mbështetje e dobësuar evropiane për Ukrainën i shërben Rusisë në fushën e betejës dhe ky është qëllimi i vërtetë i asaj që është zbuluar javët e fundit”, ka shtuar ai.
Vendet e BE-së kanë derdhur miliarda euro në Ukrainë, së bashku me sasi të konsiderueshme armatimi dhe municioni. Ato gjithashtu kanë vendosur sanksione ndaj zyrtarëve të lartë rusë, duke përfshirë presidentin Vladimir Putin, bankat, kompanitë dhe sektorin e energjisë që nga pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës në shkurt të vitit 2022.