Policia në Magdeburg, qyteti ku ndodhi sulmi të premten në mbrëmje, ka bërë të ditur të dielën se viktimat janë katër gra të moshave nga 45 deri në 75 vjeç, si dhe një djalë 9-vjeçar për të cilin dihej një ditë më parë.
Autoritetet kanë bërë të ditur po ashtu se 200 njerëz janë lënduar, përfshirë 41 të cilët ndodhen në gjendje të rëndë, raporton AP.
Të lënduarit po trajtohen në spitale të shumta në Magdeburg, i cili është rreth 130 kilometra në perëndim të Berlinit.
Autoritetet e kanë identifikuar të dyshuarin për sulmin në Magdeburg si një mjek saudit i cili mbërriti në Gjermani në vitin 2006 dhe kishte marrë leje qëndrimi të përhershëm.
I dyshuari është sjellur të shtunën në mbrëmje gjyqit i cili me dyer të mbyllura urdhëroi që ai të mbahet në paraburgim në pritje të një aktakuze.
Policia nuk e ka përmendur publikisht emrin e të dyshuarit, por disa media gjermane e identifikuan atë si Taleb A., duke mbajtur mbiemrin e tij në përputhje me ligjet e privatësisë dhe raportuan se ai ishte specialist në psikiatri dhe psikoterapi.
Duke e përshkruar veten si një ish-mysliman, i dyshuari duket se ka qenë një përdorues aktiv i platformës së mediave sociale X, duke shpërndarë dhjetëra postime çdo ditë me fokusim në tema anti-islame, duke kritikuar fenë dhe duke uruar myslimanët që kishin lënë besimin.
Ai gjithashtu ka akuzuar autoritetet gjermane se nuk kanë bërë sa duhet për të luftuar atë që ai e quajti "islamifikimi i Evropës".
Tmerri i shkaktuar nga një akt tjetër i dhunës masive në Gjermani bën që emigracioni të mbetet një çështje e rëndësishme dërsa Gjermania po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme më 23 shkurt.
Figura të krahut të djathtë nga e gjithë Evropa kanë kritikuar autoritetet gjermane për lejimin e niveleve të larta të migrimit në të kaluarën dhe për atë që ata e shohin si dështime të sigurisë tani.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili njihet për një pozicion të fortë kundër emigracionit prej vitesh, përdori sulmin në Gjermani për të sulmuar politikat e migracionit të Bashkimit Evropian.
Orbani është zotuar të "luftojë" kundër politikave të BE-së për migracionin "sepse Brukseli dëshiron që Magdeburgu t'i ndodhë edhe Hungarisë".