Hidhërimi dhe zemërimi janë shtuar në Magdeburg të Gjermanisë pasi një sulmues përdori një korsi për automjetet e emergjencës për të hyrë në një treg Krishtlindjesh, duke lënë të vdekur pesë persona dhe duke plagosur më shumë se 200.
Në një vizitë të shtunën, kancelari gjerman Olaf Scholz, ministrat dhe liderët politikë rajonalë u "sulmuan" nga pjesëtarët e publikut, teksa disa u shprehën të indinjuar se mund të ketë pasur një gabim të sigurisë, raporton BBC.
Autoritetet gjermane po përballen gjithashtu me pyetje pas raportimeve se ata ishin paralajmëruar vitin e kaluar për të dyshuarin.
Policia ka thënë se po kryen një vlerësim nëse autori mund të ishte një kërcënim i mundshëm një vit më parë.
Të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit dhe përballet me akuzat për vrasje, tentim vrasje dhe lëndim të rëndë trupor.
Zakonisht në këtë periudhë të vitit, qendrat e qyteteve gjermane janë plot me blerës dhe argëtues që pinë verë të zier, por këtë vit disponimi është ndryshe.
Tregu kryesor i Krishtlindjeve është i rrethuar me shirita dhe nga furgona policie, ndërsa oficerë të armatosur patrullojnë dyqanet dhe qendrat tregtare aty pranë.
Siguria është rritur në tregjet e Krishtlindjeve në të gjithë Gjermaninë që nga një sulm i ngjashëm në Berlin në vitin 2016, kur një burrë u fut me një kamion në një turmë tregu, duke vrarë 12 persona.