Shpërblim për informacion

Policia gjermane ofron 5000 euro për informacione për një sulm në një sinagogë

Policia gjermane

Policia gjermane

Foto: Associated Press

Policia gjermane ka dalë të enjten me një shpërblim duke kërkuar nga dëshmitarët e mundshëm që të ofrojnë informacione lidhur me një sulm me zjarrvënie në një sinagogë në veri të qytetit Oldenburg, javën e kaluar.

Policia po ofron 5000 euro, dhe i ka kërkuar publikut që të paraqesë rrëfimet e mundshme të dëshmitarëve përmes një llogarie online, raporton AP.

Një person i panjohur ka hedhur përmbajtje shpërthyese në një sinagogë, duke shkaktuar dëmtime të vogla. Në kohën kur ka ndodhur sulmi, nuk kishte ndonjë ngjarje në sinagogë, dhe asnjë person nuk është lënduar. Autori është arratisur. 

“Akti i urryer të premten e kaluar ka shkaktuar hutim mbarëkombëtar, por edhe solidaritet të madh me komunitetin hebre. Tani jemi duke u mbështetur në bashkëpunimin e publikut për të na ndihmuar në zgjidhjen e rastit”, ka thënë në një deklaratë shefi i policisë së Oldenburgut, Andreas Sagehorn.

Policia ka deklaruar se shpreson që fotografitë dhe videot, siç janë pamjet e kamerave të sigurisë, dhe pamjet private të veturave, mund të kenë kapur autorin duke e kryer sulmin. 

Gjermania është ballafaquar me një rritje të theksuar të krimeve antisemitike, që prej sulmit të Hamasit në jug të Izraelit, më 7 tetor, dhe luftës në Gaza e cila ka nisur si pasojë e këtij sulmi. Në tetor, një koktej molotovi ishte hedhur në një sinagogë në Berlin.