Policitë e gjashtë shteteve evropiane dhe Interpolit janë i duke rihapur hetimet për 46 gra që janë vrarë ose kanë vdekur nën rrethana të dyshimta, si përpjekje për t’i identifikuar, ka thënë agjencia ndërkombëtare e policisë të martën.
“Ne duam të gjejmë përgjigje për familjet dhe të sjellim drejtësi për viktimat”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, Jürgen Stock në një deklaratë.
Përpjekja, e quajtur operacioni “Më identifiko”, u zgjerua nga një iniciativë e vitit 2023 që përfshinte Belgjikën, Holandën dhe Gjermaninë dhe tani edhe Francën, Italinë dhe Spanjën.
Faza e parë synon të nxjerrë në dritë emrat dhe fatin e 22 grave, trupat e të cilave janë gjetur ndër vite, raporton Reuters.
Kjo fazë përfshin rreth 1800 deklarata nga publiku, përfshirë informacione që mundësuan identifikimin e viktimës britanike Rita Roberts përmes tatuazhit të saj të lules, 31 vjet pasi iu gjet trupi në Belgjikë.
“Ne nuk mund ta bëjmë të vetëm”, ka thënë Stock, duke shtuar se ndihma e publikut është e rëndësishme.
Në hetimin e ri që përfshin 46 raste, forcat e policisë do të bashkojnë aftësitë analitike dhe metodat mjekoligjore, të tilla si profilizimi i ADN-së dhe rindërtimi i fytyrës.
Interpoli ka publikuar në faqen e internetit ekstrakte të të ashtuquajturave alarme rreth rasteve, të cilat janë kërkesa për informacion mbi trupat e paidentifikuar. Alarmet përfshijnë detaje nga të dhënat biometrike deri te përshkrimet fizike të trupit ose veshjeve.