Botë

“Polexiti” dhe rreziku nga “fillimi i shembjes” së BE-së

Nëse nuk e ruajmë parimin e BE-së, që thotë se rregullat e përbashkëta respektohen njësoj kudo në Evropë, atëherë e gjithë Evropa do të nisë që të shembet”, ka thënë Vera Jourova, komisionere e BE-së nga Republika Çeke, fqinje e Polonisë. “Kjo është arsyeja përse duhet të reagojmë kundruall këtij kapitulli të ri që Gjykata Kushtetuese polake ka nisur që ta shkruajë”, ka shtuar Jourova, e cila është e ngarkuar për çështjen e vlerave dhe transparencës në Komisionin Evropian

Bashkimi Evropian “do ta fillojë së shemburi” po qe se nuk e sfidon vendosmërisht vendimin e gjykatës së lartë të Polonisë që i vë ligjet kombëtare para atyre të Evropës, ka paralajmëruar të hënën një zyrtare e lartë e bllokut 27-anëtarësh.

Tribunali kushtetues i Polonisë ka vendosur javën e shkuar kundër doktrinës qendrore të integrimit evropian, duke e përshkallëzuar përplasjen e thellë rreth vlerave themelore mes Varshavës euroskeptike dhe shumicës së vendeve të tjera anëtare të BE-së, ka raportuar Reutersi.

Më shumë se 100,000 persona kanë protestuar në të gjithë Poloninë gjatë së dielës në mbështetje të BE-së, duke e dhënë alarmin për mundësinë që vendi ta ndjekë shembullin e Britanisë së Madhe dhe të largohet nga blloku në atë që njihet si “Polexit”.

“Nëse nuk e ruajmë parimin e BE-së, që thotë se rregullat e përbashkëta respektohen njësoj kudo në Evropë, atëherë e gjithë Evropa do të nisë që të shembet”, ka thënë Vera Jourova, komisionere e BE-së nga Republika Çeke, fqinje e Polonisë. “Kjo është arsyeja përse duhet të reagojmë kundruall këtij kapitulli të ri që Gjykata Kushtetuese polake ka nisur që ta shkruajë”, ka shtuar Jourova, e cila është e ngarkuar për çështjen e vlerave dhe transparencës në Komisionin Evropian.

Reutersi ka vlerësuar se në njërën mënyrë apo tjetrën, vendimi i gjykatës polake do t’i kushtojë pikërisht Varshavës. Vendimi është vazhdimësi e përplasjes së kahershme dhe përçarëse, në të cilën Polonia është akuzuar nga një numër i madh vendesh perëndimore, organizatave të të drejtave të njeriut dhe aktivistëve për cungimin e pavarësisë së mediave dhe gjykatave, si dhe për cenimin e të drejtave të grave, emigrantëve dhe përkatësve të grupit LGBT qëkur partia Ligj dhe Drejtësi (PiS) ka ardhur në pushtet më 2015.

Komisioni, i cili është gardian i traktateve të BE-së, tanimë është duke e bllokuar miratimin e planit polak për rimëkëmbje, të domosdoshëm për t’ia hapur Varshavës qasjen në miliarda eurot e ofruara nga vendet e tjera të bllokut dhe që synojnë ofrimin e ndihmës për ringjalljen e rritjes ekonomike të goditur nga pandemia e koronavirusit, ka shkruar Reuters.

Në Varshavë, kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, ka hedhur poshtë të hënën idenë për një “Polexit”.

“Ky është një mit i dëmshëm, të cilin opozita po e zëvendëson me mungesën e saj të ideve rreth pozitës së duhur të Polonisë në Evropë”, ka thënë ai.

Komisioneri i BE-së për Industri nga Franca, Thierry Breton, ka thënë se nuk beson “as për një sekondë” se ndonjëherë do të ketë një “Polexit”.

Mbështetja për anëtarësimin në BE vazhdon të jetë theksueshëm e lartë në Poloni, vendin më të madh të ish-bllokut komunist dhe përfituesi kryesor i ndihmave financiare nga blloku.