Botë

Plani për armëpushimin e ri në Gaza

Udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh, ka udhëtuar në Kajro së bashku me një delegacion “të nivelit të lartë” për bisedime me shefin e Inteligjencës së Egjiptit, Abbas Kamel. Si Egjipti, ashtu edhe Katari kanë një rol kyç në përpjekjet e ndërmjetësimit dhe këto dy shtete madje ndihmuan në sigurimin e një armëpushimi njëjavor në fund të muajit të kaluar. Sipas raporteve të mediave kryesore izraelite, Izraeli u ka paraqitur një plan ndërmjetësuesve, i cili mund të sigurojë lirimin e rreth 30 deri në 40 pengjeve

Derisa një armëpushim i plotë në Rripin e Gazës po duket të jetë ende shumë larg, ka shenja të reja se një pauzë e re në luftimet midis Izraelit dhe Hamasit mund të jetë e mundur.

Megjithatë, kjo do të kërkonte një ndryshim në pozicionin publik të Hamasit. Hamasi ka thënë vazhdimisht, se do të lirojë më shumë pengje izraelite vetëm në këmbim të një armëpushimi të përhershëm.

Udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh, i cili jeton në Doha, ka udhëtuar në Kajro së bashku me një delegacion “të nivelit të lartë” për bisedime me shefin e inteligjencës së Egjiptit, Abbas Kamel. Kjo tregon një nivel serioziteti.

Si Egjipti, ashtu edhe Katari kanë një rol kyç në përpjekjet e ndërmjetësimit dhe këto dy shtete madje ndihmuan në sigurimin e një armëpushimi njëjavor në fund të muajit të kaluar.

Izraeli e ka pohuar vazhdimisht se lufta në Gaza do të përfundojë vetëm kur të arrihet qëllimi i tij për të çrrënjosur Hamasin, i cili ka qeverisur atje që nga viti 2007.

Sipas raporteve të mediave kryesore izraelite, Izraeli u ka paraqitur një plan ndërmjetësuesve, i cili mund të sigurojë lirimin e rreth 30 deri në 40 pengjeve. Kjo u jep përparësi grave të mbetura peng, si dhe burrave që janë të moshuar ose që kanë nevojë për kujdes urgjent mjekësor.

Mendohet se këto pengje mund të shkëmbehen me palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite, të cilët janë dënuar për vepra më të rënda se gratë dhe adoleshentët e liruar në marrëveshjen e mëparshme dhe se armëpushimi mund të zgjasë për një ose dy javë.

Presidenti izraelit, Isaac Herzog, u ka thënë diplomatëve të huaj të martën, se vendi i tij ishte gati për “një tjetër pauzë humanitare dhe ndihmë shtesë për të mundësuar lirimin e pengjeve”.

Më vonë, pasi takoi një grup të përzgjedhur familjesh, më të dashurit e të cilëve mbahen peng në Gaza, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se “lirimi e tyre është një qëllim kryesor”.

Ai e konfirmoi, se kreu i agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad, kishte qenë dy herë në Evropë ditët e fundit për të promovuar një marrëveshje të re të lirimit të pengjeve. Të hënën, në Poloni, ai dhe homologu i tij amerikan takuan kryeministrin e Katarit.

Udhëheqësit izraelitë kanë vazhduar të pohojnë, se vetëm presioni i fortë ushtarak ndaj Hamasit do ta sjellë atë në tryezën e bisedimeve. Megjithatë, familjet e pengjeve të mbetura kanë shprehur hapur skepticizëm për këtë.

Ankthi i tyre është rritur, që nga vrasja aksidentale e të premtes e tre pengjeve nga forcat izraelite.

Ditët e fundit, Hamasi dhe Xhihadi Islamik, një fraksion më i vogël i armatosur, kanë publikuar dy video që tregojnë gjithsej pesë burra ende të mbajtur peng, duke u lutur që të ktheheshin në shtëpi.

Javën e ardhshme, kreu i Xhihadit Islamik Palestinez, Ziyad al-Nakhalah, do të udhëtojë gjithashtu në Kajro me zyrtarë të tjerë të lartë nga grupi i tij.

Besohet se më shumë se 100 pengje mbeten në Gaza, pasi 105 civilë u liruan nga robëria në fund të nëntorit, shumica prej tyre gra dhe fëmijë izraelitë.

Katër pengje ishin liruar para kësaj dhe një ishte shpëtuar nga trupat izraelite.

Një numër trupash janë gjetur gjithashtu dhe zyra e kryeministrit izraelit ka konfirmuar vdekjen e më shumë se 20 personave që ishin mbajtur nga Hamasi.

Në nivel global, ka thirrje në rritje për një armëpushim të plotë, duke përfshirë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Me numrin e vdekjeve tani afër 20 mijë në Gaza, sipas zyrtarëve lokalë shëndetësorë në territorin e drejtuar nga Hamasi, OKB-ja vlerëson gjithashtu se 1.9 milionë nga 2.3 milionë banorët e Gazës janë larguar ose kanë humbur shtëpitë e tyre. Ekziston një shqetësim në rritje për hapësirën e kufizuar për agjencitë e ndihmës për t’i ndihmuar ata.

“Mes zhvendosjes në një shkallë të paimagjinueshme dhe armiqësive aktive, sistemi i reagimit humanitar është në prag të humnerës”, i tha Këshillit të Sigurimit, Tor Wennesland, Koordinatori Special i OKB-së për Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme, të martën.

Ndërkohë, që zyrtarët e OKB-së thonë se duhet bërë shumë më tepër, një pauzë e re në luftime të paktën mund të lejojë një rritje të shpërndarjes së ndihmave.

Përktheu: Forca Jashari