Botë

Plani i Egjiptit për Gazën përjashton Hamasin nga qeverisja e enklavës

Lufta në Gaza

Foto: Associated Press

Një plan për Gazën i formuluar nga Egjipti parasheh përjashtimin e Hamasit nga qeverisja e enklavës sapo të përfundojë lufta, tregon një draft i planit që është parë nga CNN.

Plani pritet të diskutohet nga liderët arabë në një samit urgjent në Kajro të martën dhe do t'i paraqitet presidentit të SHBA-së Donald Trump në javët e ardhshme, kanë thënë burime zyrtarë jordaneze për CNN. 

Egjipti po propozon formimin e një komiteti palestinez të pavarur, teknokratik për të qeverisur Gazën për një periudhë të përkohshme 6-mujore "nën ombrellën" e Autoritetit Palestinez (PA) me bazë në Bregun Perëndimor, anëtarët e të cilit nuk do të kishin asnjë lidhje me fraksionet palestineze, thuhet në dokument.

I quajtur "Gaza 2030" dhe me një logo presidenciale egjiptiane, dokumenti me 90 faqe propozon që Egjipti dhe Jordania të trajnojnë forcat policore palestineze për të siguruar Rripin. 

Propozimi u formulua si një përgjigje ndaj planit të Trumpit për të marrë pronësinë e Gazës, për të dëbuar banorët e saj në vendet fqinje dhe për ta kthyer atë në një "rivierë" të Lindjes së Mesme.

Mirëpo plani hedh poshtë zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza dhe i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të trajtojë "katastrofën humanitare" të krijuar nga lufta e Izraelit atje.

Plani i pasluftës, thuhej në dokument, kërkon marrëveshje për qeverisjen kalimtare "në një mënyrë që ruan zgjidhjen me dy shtete (për konfliktin izraelito-palestinez) dhe parandalon shpërthimin e konflikteve të reja".