Plani “Sky Shield”, i hartuar nga disa ekspertë ushtarakë evropian parasheh që një forcë ajrore evropiane me 120 avionë luftarakë mund të vendoset për të siguruar qiellin nga sulmet ruse në Kiev dhe Ukrainën perëndimore pa nevojën e provokimit të një lufte më të gjerë me Moskën, ka raportuar “The Guardian”.
Përkrahësit e këtij plani argumentojnë se kjo zonë e mbrojtur ajrore e udhëhequr nga Evropa, e cila do të operonte ndaras nga NATO-ja, për të ndaluar sulmet me dronë dhe raketa në qytete dhe infrastrukturë, potencialisht duke shërbyer si pjesë e “armëpushimit në qiell” të propozuar këtë javë nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Do të mbronte tre reaktorë bërthamor të Ukrainës dhe qytetet e Odesës dhe Lvivit, por jo linjën e frontit në lindje të vendit – dhe, sipas një dokumenti të publikuar rishtazi, do të “kishte ndikim më të madh ushtarak, politik dhe socio-ekonomik se 10,000 trupa evropiane të vendosura aty”.
Mbështetësit përfshijnë Philip Breedlove, ish-gjeneral i forcave ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Richard Shirreff, ish-gjeneral ushtarak britanik dhe zëvendës komandant suprem i NATO-s në fillim të dekadës së kaluar, si dhe ish-presidenti i Polonisë Aleksander Këaśniewski.
Ka pasur edhe më herët propozime të ngjashme që nga fillimi i pushtimit rus tri vjet më parë, por pa sukses. Ky propozim i fundit erdhi pas takimit të tensionuar në mes presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë të premten e kaluar. Pas së cilit SHBA-ja ka ndaluar ndihmën ushtarake dhe të inteligjencës për Ukrainën, duke ia lënë rolin udhëheqës Evropës për të ndihmuar Ukrainën.
Ndaj planit që është bërë në bashkëpunim me forcat e armatosura ukrainase dhe me forcat ajrore të Britanisë, nuk ka pasur kundërshtime nga liderët evropianë për patrullimin e qiellit ukrainas derisa lufta vazhdon.
Kjo do të ishte edhe si ilustrim për Ukrainën, si garantim i sigurisë nëse arrihet një armëpushim. Por shqetësimi kryesor në qarqet politike është mundësia e konfliktit të drejtpërdrejtë me Rusinë, nëse një avion luftarak sulmohet ose rrëzohet nga cilado anë. Gjithsesi planifikuesit e këtij programi kanë deklaruar se konfrontimi ka gjasa shumë të vogla që ndodhë pasi forcat ajrore ruse nuk kanë fluturuar jashtë zonës së okupuar që nga viti 2022. Që nënkupton se zona e ndarjes de facto do të ishte më shumë se 200 km.