Botë

Plakja, kriza e madhe e Kinës

Huanchun Cao

Huanchun Cao dhe bashkëshortja e tij përballen me dilemën e shumë të moshuarve në Kinë – kush do të kujdeset për ta?

Gjatë dekadës së ardhshme rreth 300 milionë njerëz, të cilët janë të moshave 50 deri 60-vjeçare, do të largohen nga fuqia punëtore kineze. Kjo është grupmosha më e madhe e vendit, gati e barabartë me numrin e popullsisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Kur pyet fermerin 72-vjeçar Huanchun Cao për pensionin e tij, ai reagon duke qeshur.

Ai mbështjell një cigare në shtëpi, ngrit vetullat dhe anon kokën – sikur i bëre një pyetje absurde. 

“Jo, jo, ne nuk kemi pensione”, thotë ai teksa shikon gruan e tij, me të cilën është i martuar për më shumë se 45 vjet.

Cao bën pjesë në gjeneratën që e ka përjetuar lindjen e Kinës komuniste. Sikur vendi i tij, ai është plakur para se të bëhej i pasur. Sikurse shumë punonjës ruralë dhe emigrantë, ai nuk ka zgjedhje tjetër përveçse të vazhdojë të punojë dhe të vazhdojë të fitojë para, pasi ka rënë në një rrjet të dobët të sigurisë sociale.

Ekonomia e ngadaltë, përfitimet e tkurrura të qeverisë dhe politika për bërjen e vetëm një fëmije, kanë krijuar një krizë zvarritëse demografike në Kinën e presidentit Xi Jinping.

Qypi i pensionit është duke u zbrazur dhe vendit është duke i mbaruar koha për të ndërtuar mjaft fonde për kujdesin e numrit në rritje të të moshuarve. 

Gjatë dekadës së ardhshme rreth 300 milionë njerëz, të cilët janë të moshave 50 deri 60-vjeçare, do të largohen nga fuqia punëtore kineze. Kjo është grupmosha më e madhe e vendit, gati e barabartë me numrin e popullsisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Kush do të kujdeset për ta? Përgjigjja varet nga vendi që shkon dhe kë pyet.

Cao dhe gruaja e tij jetojnë në provincën verilindore Liaoning, ish-qendra industriale e Kinës. 

Të detyruar të punojnë përtej moshës së pensionit

Zona të gjera tokash bujqësore dhe kodra me miniera e rrethojnë qytetin kryesor Shenyang. Shtëllunga të tymit nga fabrikat mbulojnë qiellin, krahas disa prej vendeve më të ruajtura të trashëgimisë botërore të vendit nga dinastia Qing.

Gati një çerek i popullsisë në këtë vend është 65 vjeç ose më shumë. Numri në rritje i personave në moshën e punës, po largohen nga qendrat e industrisë së rëndë, në kërkim të punëve më të mira në qytetet e mëdha.

Fëmijët e Caos janë larguar gjithashtu, por janë mjaft afër për t’i vizituar shpesh prindërit e tyre.

“Unë mendoj se mund ta vazhdoj këtë punë për katër ose pesë vjet të tjerë”, thotë Cao, pasi ai dhe gruaja e tij kthehen në shtëpi nga mbledhja e drurëve. Brenda shtëpisë së tyre, flakët kërcasin poshtë një platforme të ngrohur – e quajtur “kang” – e cila për ta është burimi kryesor i nxehtësisë.

Çifti fiton rreth 20 mijë juanë (rreth 2,500 euro) në vit. Por çmimi i misrit që ata rrisin është duke u ulur dhe ata duhet të kujdesen që të mos sëmuren, pasi nuk mund t’i përballojnë kostot. 

“Në pesë vjet, nëse jam akoma fizikisht i fuqishëm, ndoshta mund të eci i vetëm. Por nëse jam i pafuqishëm dhe i dobët, atëherë mund të mbetem i shtrirë në krevat. Kaq. Mbaron. Supozoj se do të bëhem barrë për fëmijët e mi. Atyre do t’u duhet të kujdesen për mua”, tha Cao.

Kjo nuk është e ardhmja që do 55-vjeçarja Guohui Tang. Burri i saj ka pasur një aksident në një zonë ndërtimi dhe shkollimi i vajzës së saj, që është në universitet, ia ka shteruar kursimet. 

Prandaj, ajo ka parë një mundësi në kujdesin e të moshuarve për ta financuar pleqërinë e saj. Ajo ka hapur një shtëpi të vogël kujdesi rreth një orë larg Shenyangut.

Derrat dhe patat kakarisin në pjesën e pasme të shtëpisë njëkatëshe të rrethuar me tokë bujqësore. Tangu rrit të korra për të ushqyer gjashtë banorët e saj. Kafshët nuk janë kafshë shtëpiake – ato janë gjithashtu darkë.

Tangu bën me gisht kah një grup prej katër personash duke luajtur me letra, ndërsa dielli shkëlqen nëpër këtë objekt. 

“Ai burri 85-vjeçar nuk ka pension, ai varet tërësisht nga djali dhe vajza e tij. Djali paguan njërin muaj, vajza tjetrin, por ata kanë nevojë të jetojnë gjithashtu”.

Ajo është e shqetësuar se asaj do t’i duhet të varet në vajzën e saj të vetme.

Për gjenerata të tëra, Kina është mbështetur në parimin që prindërit, gjyshërit dhe të moshuarit duhet të trajtohen me nder dhe respekt, për të mbuluar mungesat e qendrave të kujdesit për të moshuarit. Ka qenë detyra e djalit ose vajzës për t’u kujdesur për prindërit e moshuar. 

Por tani ka më pak djem dhe vajza për të mbështetur prindërit e moshuar – një arsye është rregulli strikt “një fëmijë” që ka parandaluar çiftet të kishin dy ose më shumë fëmijë nga vitet 1980 deri 2015.
Me rritjen e shpejtë të ekonomisë, të rinjtë gjithashtu janë larguar nga prindërit e tyre, duke e lënë një numër të madh të të moshuarve të kujdesen për veten ose të varen nga pagesat e qeverisë.

Por fondi i pensionit mund të mbesë pa para deri në vitin 2035, sipas Akademisë së Shkencave Kineze, të udhëhequr nga shteti. Ky ka qenë vlerësim i vitit 2019, para mbylljes nga pandemia, e cila ka goditur rëndë ekonominë e Kinës.

Plani për rritjen e moshës së pensionimit

Kinës mund t’i duhet ta rrisë moshën e pensionimit, e cila ka qenë në letra për vite. Ajo ka moshën më të ulët të pensionimit në botë – 60 për burrat, 55 për gratë që kryejnë punë në menaxhim (në zyra) dhe 50 për gratë e klasës punëtore.

Por ekonomistët thonë se ky është proces i ngadaltë nëse Kina dëshiron ta shmangë atë, të cilës disa i frikësohen se mund të shndërrohet në krizë humanitare në 25 vjet. 

Në ndërkohë, shumë më shumë të moshuar janë duke u zhytur në pensionet e tyre. 

“Mirë se vini në shtëpinë time”, thotë 78-vjeçarja Feng, që dëshironte ta përdorte vetëm mbiemrin e saj.

Është e vështirë t’i ndjekësh hapat e saj, ndërsa nxiton nëpër korridor për ta lajmëruar burrin se mysafirët janë rrugës për në dhomën e tyre në shtëpinë e kujdesit “Sunshine”. Klasa e ushtrimeve të mëngjesit, ku ajo ka qenë duke qeshur dhe duke bërë thashetheme me shoqen e saj, sapo ka mbaruar. 

Banorët në shtëpinë e kujdesit të Tangut

Nevoja për shtëpi kujdesi

Shtëpia ishte ndërtuar për të strehuar më shumë se 1,300 banorë. Rreth 20 të rinj vijnë të jetojnë këtu vullnetarisht dhe falas, në këmbim të kujdesit ndaj disa të moshuarve. Kompanitë private e financojnë pjesërisht shtëpinë, duke e larguar presionin nga qeveria vendore.

Ky është eksperiment teksa liderët kërkojnë zgjidhje për Kinën e moshuar. Në Hangzhou, në jug të Kinës, ata mund t’i përballojnë eksperimentet e tilla.

Kjo është botë tjetër prej Liaoningit, ku po ngrihen kompanitë e teknologjisë të tilla si Alibaba dhe Ant, magnete për sipërmarrësit e rinj dhe ambiciozë. 

Çifti Feng ka qenë duke jetuar këtu për tetë vjet. Shtëpia e pleqve duket e shoqërueshme dhe ka mjaft gjëra për të bërë – që nga palestra dhe tavolina e tenisit deri te këndimi dhe drama.

“Është shumë e rëndësishme të arrish të kalosh pjesën e fundit të jetës në një vend të mirë”, thotë Fengu. Ajo dhe burri i saj janë të martuar për më shumë se 50 vjet. Ishte dashuri në shikim të parë, thonë ata.

Kur nipi i tyre ka diplomuar nga shkolla e mesme, ata kanë vendosur se puna e tyre ka përfunduar.
“Ka disa njerëz të së njëjtës moshë që mendojnë si ne”, thotë Fengu. “Duket se ne i kushtojmë vëmendje shijimit të jetës. Ata që nuk bien dakord mendojnë se nuk është e nevojshme të paguash një shumë të madhe parash për të jetuar këtu, meqë kanë shtëpinë e vet”.

Por ajo thotë se është më mendjehapur: “E kam menduar gjatë. Ia kam dhënë shtëpinë djalit tim. Ajo çka na duhet neve janë kartat e pensionit”.

Dhoma e çiftit në shtëpinë e kujdesit kushton rreth 2,000 juanë (rreth 250 euro) në muaj. Si ish-punonjës të kompanive nën pronësi të shtetit, ata të dy kanë mjaft para të pensionit për t’i paguar shpenzimet.

Pensioni i tyre është shumë më i lartë se mesatarja në Kinë, rreth 170 juanë (rreth 20 euro) në muaj në vitin 2020, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës së OKB-së.

Por edhe me klientët me pensione të mira, shtëpia e kujdesit “Sunshine” është duke funksionuar me humbje. Drejtori thotë se shtëpitë e kujdesit janë të kushtueshme për t’i nisur dhe duhet kohë për të nxjerrë fitim.

Pekini është duke u bërë presion firmave private për të ndërtuar qendra të kujdesit ditor, reparte dhe infrastruktura të tjera për kujdes, për t’i plotësuar boshllëqet e lëna nga qeveritë vendore me borxhe. Por a do të vazhdojnë të investojnë nëse nuk ka fitime?

Vendet e tjera të Azisë Lindore, siç është Japonia janë gjithashtu duke kërkuar fonde për t’u kujdesur për numrin e madh të të moshuarve. Por Japonia veç ka qenë e pasur në momentin kur ka pasur një nga popullsitë më të vjetra në botë.

Megjithatë, Kina është duke u plakur shpejt. Kështu, shumë njerëz të moshuar janë të detyruar të gjejnë zgjidhje vetë – në një moshë kur ata duhet ta planifikojnë pensionimin.

Shuishui 55-vjeçare ka gjetur një karrierë të re në të ashtuquajturën “ekonomi e flokëve të argjendtë” – përpjekje për të shfrytëzuar fuqinë blerëse të të moshuarve të klasës së mesme.

“Unë mendoj se çfarë mund të bëjmë është të përpiqemi t’i influencojmë njerëzit rreth nesh që të jenë më pozitivë dhe të vazhdojnë të mësojnë. Të gjithë mund të kenë të ardhura në nivele të ndryshme, por në çfarëdo situate të jesh, përpjekja për të qenë pozitiv është më e mira”.

Shuishui e di se është pjesë e pjesës së privilegjuar në Kinë. Por ajo është e vendosur të mendojë për më të mirën. Një ish-biznesmene, ajo tani është modele e sapo trajnuar.

Në brigjet me diell të Kanalit të Madh në Hangzhou ajo dhe tri gra të tjera, të gjitha 55-vjeçare, janë duke rregulluar makijazhin dhe flokët e tyre.

Secila e ka zgjedhur veshjen e vet tradicionale kineze kuq e ari – funde mëndafshi të gjata deri në tokë dhe xhaketa të shkurtra me lesh për t’i mbajtur ngrohtë nga i ftohti pranveror. Këto gjyshe magjepsëse janë duke modeluar për mediat sociale.

Ato ecin në mënyrë të pasigurt me taka të larta mbi urën historike me kalldrëm “Gongchen” ndërsa përpiqen të buzëqeshin dhe të qeshin para kamerës, teksa një ekip specialistësh të mediave sociale u japin udhëzime.

Kjo është pamje e plakjes me hijeshi që Shuishui dëshiron ta shohë bota dhe se ndihet sikur është duke bërë diçka për ta rritur ekonominë në rënie.

Por kjo pamje përgënjeshtron realitetin e miliona të moshuarve në Kinë.

Në Liaoning, tymi nga drutë del nga oxhaqet, duke sinjalizuar kohën e drekës. Cao është duke rregulluar zjarrin në kuzhinën e tij, për ta nxehur ujin në mënyrë që ta gatuajë orizin.

“Kur të arrij moshën 80-vjeçare, shpresoj se fëmijët e mi do të kthehen për të jetuar me mua”, thotë ai teksa gjen një tenxhere. “Unë nuk do t’u bashkëngjitëm atyre në qytet. Banesa e tyre nuk ka ashensor dhe të duhet t’i hipësh pesë kate. Kjo është më e vështirë sesa të hipësh në një kodër”.

Për Caon ky është realiteti. Ai duhet të vazhdojë të punojë derisa të mos mundet më.

“Njerëzit e thjeshtë si ne jetojnë kështu”, thotë ai, duke treguar me gisht te fushat jashtë, të cilat janë akoma të mbuluara me ngricë. 

Pranvera do ta kthejë sezonin e mbjelljes – dhe kështu më shumë punë për të dhe gruan e tij. 

“Nëse e krahason këtë me jetën në qytet, normalisht që fermerët e kanë jetën më të vështirë. Si mund ta sigurosh jetesën nëse nuk mund ta përballosh vështirësinë?”

Përgatiti: Latra Gashi