Botë

Pjesa më e madhe e Kubës pa rrymë, ndërsa uragani Oscar po afrohet

Kuba pa rryme

Foto: AFP

Pjesa më e madhe e Kubës ka mbetur pa energji elektrike të dielën ndërsa uragani Oscar po afrohet, raporton “BBC”. 

Dy ditë më parë centrali kryesor energjetik i vendit dështoi dhe la pa rrymë deri 10 milionë banorë. 

Furnizimi me energji elektrike u kthye pjesërisht të shtunën, para se të dështonte sërish në orët e vona. 

Presidenti i Kubës, Miguel Diaz-Cantel, ka thënë se autoritetet në ishull “po punojnë shumë për t'i mbrojtur njerëzit dhe resurset ekonomike, duke marrë parasysh uraganin Oscar që po afrohet”. 

Me shpejtësi deri 140 kilometra në orë, Oscar pritet të arrijë në Kubë të dielën pasdite me kohë lokale, dhe mund të shkaktojë vërshime e rrëshqitje dheu në zonat lindore, sipas Qendrës Kombëtare të SHBA-së për Uragane.