Botë

Pistorius, vrasësi më i famshëm në botë

Pistorius nuk është personazh i famshëm që kërkon rikthimin pasi ka dalë mode ose është sfiduar me probleme të tjera personale. Karriera e tij si sportist ka përfunduar. Markat nuk do të duan ta sponsorizojnë atë. Ai nuk do të kërkohet as si komentues sportiv.

Ish-kampioni paralimpik është liruar me kusht nga burgu në Afrikën e Jugut të premten, pasi ka vuajtur gjysmën e dënimit të tij më shumë se 13-vjeçar për vrasjen e të dashurës së tij, Reeva Steenkamp, në ditën e Shën Valentinit në vitin 2013.

Kthesat e gjyqit të tij gati një dekadë më parë e kanë magjepsur vendin- dhe lirimi i tij është ngjarje masive lajmesh në Afrikën e Jugut dhe në mbarë botën.

I amputuari i dyfishtë ka fituar gjashtë medalje ari në tri Lojëra Paralimpike dhe bëri histori në vitin 2012 duke u bërë vrapuesi i parë i amputuar që garoi në Lojërat Olimpike, në Londër.

Mirëpo Pistorius tani njihet si vrasës i dënuar.

Ai nuk është personazh i famshëm që kërkon rikthimin pasi ka dalë mode ose është sfiduar me probleme të tjera personale. Karriera e tij si sportist ka përfunduar. Markat nuk do të duan ta sponsorizojnë atë. Ai nuk do të kërkohet as si komentues sportiv.

37-vjeçari, dikur i quajtur “Blade Runner”, thuhet se duket fizikisht shumë ndryshe nga atleti që njerëzit e kujtojnë.

Dënimi i tij do të përfundojë vetëm në vitin 2029. Deri atëherë ai do t’iu nënshtrohet kushteve dhe mund të kthehet në burg nëse i shkel ato.

Kërkesat përfshijnë qëndrimin në shtëpi në orare të caktuara çdo ditë, ndjekjen e programeve të detyrueshme dhe moslejimin e konsumimit të alkoolit ose drogave të ndaluara.

Ashtu si njerëzit e tjerë të liruar me kusht në Afrikën e Jugut, atij i është ndaluar komunikimi me mediat.

Kohët e fundit, shumë debate dhe komente publike kanë theksuar nevojën për t’u fokusuar te viktimat e krimit dhe jo tek autorët e krimit.

Zakonisht, kur një person dënohet për vrasje pas gjyqit, rrëfimi i vrasësit - i cili mund të ketë qenë shumë shqetësues për familjen e viktimës - zakonisht zbehet nga diskutimi publik, me vrasësin shpesh të fshehur nga sytë për dekada.

Në këtë rast, vrasësi është me famë botërore dhe lirohet kur ishte ende në fundin e të tridhjetave.

Steenkamp ishte e diplomuar në juridik dhe modele e suksesshme, e ardhmja e saj u mor në moshën vetëm 29 vjeçe.

Ndalesa e intervistave në media për Pistoriusin do të përfundojë dhe ai më pas do të jetë i lirë të flasë.

Gwyn Guscott, shoqja e ngushtë e Steenkampit, thotë se “sa herë që fillojmë të përpunojmë dhe pajtohemi me gjërat, Oscar shfaqet”.

Ajo parashikon se ai përfundimisht do të kërkojë të përdorë vëmendjen e medias për të treguar edhe një herë versionin e tij të ngjarjeve.

“Ai mund të dalë dhe të flasë me publikun, dhe ndoshta do të na kthejë të gjithëve prapa”.

Nëna e Steenkampit, June, ka thënë se nuk beson se Pistorius ishte rehabilituar dhe as nuk e beson historinë e tij duke pretenduar se ai mendonte se vajza e saj ishte një hajn natën kur e qëlloi.

Por në ditën e lirimit të tij, ajo tha se ajo dhe bashkëshorti i saj i ndjerë, Barry, kishin pranuar që lirimi me kusht ishte pjesë e sistemit të drejtësisë të Afrikës së Jugut, megjithëse ata kurrë nuk ishin pajtuar me vdekjen e vajzës së tyre.

“Kushtet e vendosura nga bordi i lirimit me kusht, i cili përfshin kurse dhe programe për menaxhimin e zemërimit për dhunën me bazë gjinore, dërgojnë një mesazh të qartë se dhuna me bazë gjinore merret seriozisht”, thuhet në deklaratën e saj.

“A ka pasur drejtësi për Reevan? A ka shërbyer Oscar kohë të mjaftueshme në burg? Nuk mund të ketë kurrë drejtësi nëse i dashuri juaj nuk kthehet më dhe asnjë kohë e shërbyer nuk do ta kthejë Reevan. Ne, që mbetemi pas, jemi ata që e shërbejmë një dënim të përjetshëm”.

Lirimi i Pistoriusit nuk është mirëpritur nga familja Steenkamp.

“Dëshira ime e vetme është që do të më lejohet të jetoj në paqe vitet e mia të fundit me fokusin tim të mbetur në Fondacionin Reeva Rebecca Steenkamp, për të vazhduar trashëgiminë e Reevas”, ka thënë June Steenkamp.

Përktheu: Blerta Haxhiu