Një zyrtar izraelit, i informuar mbi bisedimet, tha se një delegacion i Izraelit pritet të mbajë bisedime në Kajro këtë mbrëmje, raporton “BBC”.
Delegacioni po synon të shohë nëse mund të afrohet deri te një marrëveshje e armëpushimit në Gaza.
Hamasi të hënën njoftoi se ka pranuar propozimin për armëpushim në Gaza, të bërë nga Egjipti e Katari.
Mirëpo, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se propozimi “është larg plotësimit të kërkesave të Izraelit”.
Zyrtari izraelit ka përmendur katër aspekte të propozimit me të cilin Hamasi është pajtuar, por që Izraeli nuk pajtohet.
Së pari ka thënë është çështja se në dokument flitet për “përfundim të luftës, e përshkruhet si armëpushim i përhershëm”.
Po ashtu, sipas dokumentit, zyrtari ka thënë se ushtaret izraelite është paraparë të lirohen tepër vonë gjatë procesit të lirimit të pengjeve.
Në dokument thuhet se nëse 33 pengje të gjalla nuk mund të gjenden në fazën e parë, atëherë trupat mund të zëvendësohen në vend të tyre, gjë që zyrtari izraelit tha se është e papranueshme.
Izraeli po ashtu beson se do të obligohet të lirojë një numër të burgosurve nga lista që Hamasi do ta dorëzojë dhe pa pasur fuqinë që të kundërshtojë lirimin e ndonjërit.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka thënë delegacionit në Kajro që të qëndrojë i vendosur lidhur me kërkesat esenciale për lirimin e pengjeve izraelite që mbahen në Gaza nga 7 tetori dhe kërkesat esenciale që garantojnë sigurinë e Izraelit.
Izraeli të hënën ka nisur ofensivën në lindje të qytetit Rafah. Tha se ka goditur disa shënjestra të Hamasit.
Zëdhënësi i Qeverisë së Izraelit, David Mencer, ka thënë se tunelet përfundi pikëkalimit kufitar në Rafah janë përdorur nga Hamasi për të kontrabanduar armë në Gaza.
E ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Yoav Gallant, ka thënë se ofensiva në Rafah do të vazhdojë derisa të mos lirohen gjithë pengjet që po mbahen në Gaza.
“Operacioni do të vazhdojë derisa të eliminohet Hamasi në zonën e Rafahs dhe në gjithë Rripin e Gazës apo derisa të kthehen në shtëpi pengjet”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratë thuhet se Izraeli është i gatshëm të bëjë kompromise për hatër të kthimit të pengjet, porse nëse nuk është ky opsion, atëherë “do të thellohet operacioni”.
E një zyrtar i lartë i Hamasit ka thënë se delegacioni i tij, që po niset për në Kajro për të biseduar për paqe, do të jetë “rasti i fundit” për Izraelin që të sigurojë lirimin e pengjeve.
Duke folur në kushte anonimiteti për agjencinë “AFP”, zyrtari i Hamasit tha se fillimisht negociouesit kishin anuluar planet që të udhëtonin në Egjipt, porse kanë vendosur megjithatë të udhëtojnë.
Ai ka thënë se vendimi i kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, “që të pushtojë Rafahn”, jep indikacione se ai dhe ushtria izraelite “kanë marrë vendim që të lënë të burgosurit (pengjet) të vdesin”.
“Do të jetë mundësia e fundit për Netanyahun dhe familjet e të burgosurve Zionistë që të kthejnë fëmijët e tyre”, ka thënë zyrtari.
Hamasi mori të paktën 252 pengje gjatë sulmit në jug të Izraelit më 7 tetor. 128 prej tyre ende llogaritet se mbahen në Gaza.
Në sulmin vdiqën afro 1200 persona, sipas shifrave të Izraelit.
E në sulmet izraelite në Gaza janë vrarë rreth 34,700 palestinezë sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës.