Pica “No 40” për një kohë të gjatë ka qenë më e shitura në një restorant në qytetin gjerman të Dusseldorfit, derisa Policia zbuloi përbërësin sekret: copa kokaine.
Autoritetet kanë thënë se zbulimi i skemës së shpërndarjes së paligjshme të narkotikëve u lejoi të shkatërronin një rrjet krimi të organizuar. Rreth 150 policë, përfshirë njësitë elitare, javën e kaluar kanë kontrolluar 16 prona në nëntë qytete, arrestuan tre të dyshuar dhe sekuestruan armë në një depo, raportoi DPA.
Pakot e kokainës fshiheshin në kutitë e pivace të porositura.
Kryeinspektori Michael Graf von Moltke ka thënë se Policia ka qenë duke e hetuar picerinë që nga marsi, kur nga një inspektim i ushqimit u zbulua droga në kuzhinë. Hetuesit e vunë biznesin nën vëzhgim dhe vunë re se pica “No 40” ishte e preferuara.
“Ishte një nga picat më të shitura. Një pako kokainë vendosej nën secilën pjesë. Kjo ishte e re për ne dhe na befasoi sepse pronari asnjëherë nuk ishte i akuzuar për drogë”, ka thënë von Moltke.
Kur policët shkuan ta intervistonin pronarin, 36-vjeçar me shtetësi kroate, ai e hodhi një çantë me kokainë nga dritarja, por ajo ra në duart e policëve, shtoi Policia.
Policia konfiskoi 1.6 kilogramë kokainë, 400 gramë kanabis dhe 268,000 euro si dhe orë të shtrenjta e një armë, një shpatë dhe thika.
Dy ditë pasi pronari u lirua pasi nuk kishte të kaluar kriminale, ai e hapi restorantin dhe filloi të shiste sërish picën e famshme duke lejuar hetuesit që të gjurmonin zinxhirin e furnizimit. Shpejt u vunë pas të dyshuarit kryesor, ka thënë Von Moltke, që ishte një rus i njohur për Policinë për drogë.
Policia ka thënë se rusi, një gjerman dhe një maroken janë në mbajtje, ndërsa edhe 12 të tjerë janë të dyshuar. Pronari i picerisë është në mbajtje që nga gushti dhe restoranti mbetet i mbyllur. Banda e tyre akuzohen për shit-blerjen e kilogramëve kanabisi dhe kokaine.