Hetuesit në ishullin spanjoll të Mallorcas po shqyrtojnë nëse mbingarkesa dhe çështjet strukturore shkaktuan shembjen e një restoranti dhe klubi në plazh, duke lënë të vdekur katër persona dhe duke të lënduar 16 të tjerë.
Klubi dykatësh i Medusa Beach në Palma de Mallorca u shemb të enjten mbrëma, duke lënë shumë të tjerë të bllokuar nën rrënoja, raporton The Guardian.
Një zjarrfikës i ka thënë gazetës lokale "Última Hora" se kishte gjetur një skenë "makthi", me njerëz që bërtisnin dhe qanin.
Të premten, Policia Kombëtare e Spanjës ka thënë se ata që kishin humbur jetën ishin një grua spanjolle 23-vjeçare që punonte në klub, dy turiste gjermane në të 20-at e tyre dhe një burrë senegalez 44 vjeç.
Të gjithë 16 personat e plagosur ishin holandezë, sipas një zëdhënësi të këshillit të Palmas.
Kryebashkiaku i qytetit ka thënë se tetë nga të plagosurit janë ende në spital të premten, mirëpo të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë.
Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme gjermane ka thënë se konsullata e saj në Mallorca ishte në kontakt të ngushtë me autoritetet.
Ndërsa këshilli i Palmës shpalli tri ditë zie, ekspertët thanë se po përpiqeshin të përcaktonin shkakun e aksidentit.
“Hetimet janë ende në vazhdim, por gjithçka tregon për një kombinim të një strukture të vjetruar dhe peshës së tepërt”, ka deklaruar Eder García, shefi i zjarrfikësve të Palma.
LEXO EDHE: