Poloni

Pesë të vdekur si pasojë e erërave të forta në Poloni

Pesë të vdekur si pasojë e erërave të forta në jug të Polonisë

 

Pesë persona, në mesin e tyre edhe dy fëmijë, kanë humbur jetën si pasojë e erërave të forta që goditën jugun e Polonisë të hënën. Erërat që kanë arritur një shpejtësi prej 155 km/h në pjesët më të larta të maleve Tatra, kanë shkaktuar rrëzimin e pemëve.

Në qytetin Rabka-Zdrój, dy gra dhe një fëmijë gjashtëvjeçar kanë vdekur pasi janë shtypur nga një pemë, raporton The Guardian.

Një grua tjetër vdiq pasi një pemë u rrëzua mbi makinën e saj në qytetin e Zakopane në rrëzë të maleve Tatra. Si pasojë e rrëzimit të pemëve, në të njëjtin qytet, jetën e ka humbur edhe një fëmijë tjetër.

Autoritetet lokale kanë paralajmëruar për erërat e rrezikshme që arrijnë një shpejtësi prej të paktën 100 km/h dhe kanë mbyllur qarkullimin në rrugët malore në parkun kombëtar Tatra.

Zjarrfikësit kanë ndërhyrë 140 herë të hënën në mëngjes për të hequr pemët që kishin bllokuar rrugët dhe për të ndihmuar pronarët e shtëpive, çatitë e të cilëve janë shkatërruar, sipas mediave lokale.

Erërat e forta ndodhën pas tre ditësh me mot jashtëzakonisht të ngrohtë. Më 30 mars, temperaturat arritën një rekord të ri për atë muaj, me 26.4 gradë Celsius në qytetin Tarnów, sipas medias shtetërore PAP.