Botë

Pesë të vdekur nga dallgët e mëdha në brigjet e Australisë

Dallgët e mëdha në Australi / Foto: EPA

Dallgët e mëdha në Australi / Foto: EPA

Të paktën pesë persona janë mbytur pasi dallgët e mëdha kanë goditur disa pjesë të Australisë, raportoi të shtunën BBC-ja.

Edhe dy persona të tjerë janë zhdukur në brigjet e shteteve të Uellsit të Ri Jugor dhe Viktorias.

Të shtunën trupi i një burri u gjet në ujë pranë Tathras në Uellsin e Ri Jugor. Kjo ndodhi një ditë pasi një peshkatar 58-vjeçar dhe dy burra të tjerë u gjetën të vdekur në incidente të veçanta në këtë vend.

Ekipet e shpëtimit po kërkojnë për një burrë pranë Sidneit. Gjithashtu të premten, një grua u mbyt dhe një burrë është zhdukur pasi grupi i tyre mbeti në det në San Remo të Victorias.

"Një nga gratë arriti të kthehej në breg, por gruaja tjetër dhe burri nuk mundën", ka njoftuar policia e këtij vendi.

Kryeministrja e Victorias, Jacinta Allan, tha se ky është një fillim i tmerrshëm i fundjavës së Pashkëve.

“Mendimet e mia janë me familjen e atyre që kanë humbur jetën në rrethana kaq tragjike”, ka thënë ajo. 

Shtetet lindore të Australisë janë goditur nga dallgë të rrezikshme.

Siç bëhet e ditur, në 10 vjetët e fundit rreth 630 persona janë mbytur në plazhet e papatrulluara.