Grenlanda, pjesë e NATO-s përmes anëtarësisë së Danimarkës, ka rëndësi strategjike për ushtrinë amerikane dhe për sistemin e saj të paralajmërimit të hershëm për raketa balistike, pasi rruga më e shkurtër nga Evropa në Amerikën e Veriut kalon përmes ishullit arktik. Ushtria amerikane ka prani të përhershme në bazën ajrore, Pitufik, në veriperëndim të Grenlandës.
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur dëshirën që ta bëjë Grenlandën pjesë të SHBA-së.
Ai nuk e ka përjashtuar as përdorimin e forcës ushtarake ose ekonomike për ta detyruar Danimarkën që ta dorëzojë ishullin me rëndësi strategjike dhe të pasur me minerale.
“Grenlanda është një vend i jashtëzakonshëm dhe njerëzit do të përfitojnë jashtëzakonisht nëse dhe kur të bëhet pjesë e vendit tonë”, ka shkruar Trumpi në rrjetin Truth Social të hënën. “Kjo është një marrëveshje që duhet të bëhet”, ka thënë ai një ditë më pas. E djali i tij, Donald Trump Jr., bëri një vizitë private në Grenlandë.
Trumpi ka kërcënuar edhe me tarifa “shumë të larta” mbi Danimarkën, nëse e pengon në qëllimin e tij.
Presidenti i zgjedhur, që do të rikthehet në post më 20 janar, pati shprehur interesim për blerjen e ishullit - me vetëm 57.000 banorë - nga Danimarka qysh në vitin 2019, por u refuzua.
Grenlanda, pjesë e NATO-s përmes anëtarësisë së Danimarkës, ka rëndësi strategjike për ushtrinë amerikane dhe për sistemin e saj të paralajmërimit të hershëm për raketa balistike, pasi rruga më e shkurtër nga Evropa në Amerikën e Veriut kalon përmes ishullit Arktik. Ushtria amerikane ka prani të përhershme në bazën ajrore, Pitufik, në veriperëndim të Grenlandës.
Shtetet e Bashkuara kanë shprehur interesim për zgjerimin e pranisë ushtarake atje, duke përfshirë edhe vendosjen e radarëve për të monitoruar ujërat midis ishullit, Islandës dhe Britanisë, të cilat shërbejnë si portë për anijet e marinës ruse dhe nëndetëset bërthamore.
Grenlanda është gjeografikisht pjesë e kontinentit të Amerikës së Veriut dhe është jetike për Shtetet e Bashkuara që të parandalojnë ndonjë fuqi tjetër të madhe për të krijuar terren në ishull, ka thënë Ulrik Pram Gad, studiues dhe ekspert për Grenlandën në Institutin danez për Studime Ndërkombëtare.
Ajo është e pozicionuar mes SHBA-së dhe Rusisë.
Kryeqyteti i ishullit, Nuuk, është më afër Nju-Jorkut sesa kryeqyteti danez, Kopenhaga. E ky vend krenohet me pasuritë e tij minerale, naftën dhe gazin natyror, por zhvillimi i tij ka qenë i ngadalshëm.
Një sondazh i vitit 2023 ka treguar se 25 nga 34 mineralet e konsideruara “lëndë të para kritike” nga Komisioni Evropian, janë gjetur në Grenlandë.
Ato përfshijnë sasi të konsiderueshme materialesh që përdoren në bateri, të tilla si grafiti dhe litiumi, si dhe të ashtuquajturat elemente të rralla të tokës që përdoren në automjetet elektrike dhe turbinat me erë.
Grenlanda e ka ndaluar nxjerrjen e naftës dhe gazit natyror për arsye mjedisore, ndërsa zhvillimi i sektorit minerar është penguar nga burokracia dhe kundërshtimet e njerëzve indigjenë.
Kjo ka bërë që ekonomia e Grenlandës të varet nga peshkimi, i cili përbën mbi 95% të eksporteve të saj, dhe subvencionet vjetore nga Danimarka, të cilat mbulojnë afërsisht gjysmën e buxhetit publik.
Në total, Danimarka shpenzon më pak se 1 miliard dollarë çdo vit në Grenlandë.
Shkrirja e shpejtë e akujve e viteve të fundit mund t’i rihapë rrugë për rikthimin e shpimeve të naftës dhe zbulimit të minierave për minerale kyçe. Shkrirja e akullit hap rrugë edhe për rrugë të reja transporti – duke ofruar alternativa për Kanalin e Suezit, përmes Arktikut që shkurton udhëtimin nga Evropa Perëndimore në Azinë Lindore. Kina dhe Rusia ishin dakorduar në nëntor për të bashkëpunuar në zhvillimin e rrugëve të reja transporti në Arktik.
Trumpi ka thënë se SHBA-së i duhet kontrolli mbi Grenlandën – dhe Kanalin e Panamasë – për “siguri ekonomike” dhe e ka përshkruar kontrollin mbi territor si “domosdoshmëri absolute”.
Pasuria e Grenlandës me lëndë të para për teknologjinë e gjelbër ka tërhequr interesim nga e gjithë bota – përfshirë Kinën që e dominon prodhimin global në këtë aspekt. Duke e marrë Grenlandën, SHBA-ja mund ta mbajë Kinën jashtë tregut të kësaj teknologjie.
E kujt është Grenlanda dhe a mund ta blejë Trumpi?
Grenlanda ka qenë pjesë e Danimarkës për më shumë se 600 vjet, por tani kontrollon shumicën e punëve të saj të brendshme si një territor gjysmësovran nën mbretërinë daneze.
Ajo është bërë territor zyrtar i Danimarkës në vitin 1953 dhe i nënshtrohet Kushtetutës daneze, që do të thotë se çdo ndryshim në statusin e saj ligjor, do të kërkonte ndryshime kushtetuese.
Danimarka e kontrollon edhe politikën e jashtme dhe të sigurisë së Grenlandës. Ajo ka parlamentin e vet dhe dy përfaqësues në Parlamentin e Danimarkës.
Në vitin 2009, ishullit i është dhënë një autonomi e gjerë vetëqeverisëse, përfshirë edhe të drejtën për të shpallur pavarësinë nga Danimarka përmes referendumit.
Kryeministri i Grenlandës, Mute Egede, i cili i ka intensifikuar përpjekjet për pavarësi, ka thënë vazhdimisht se ishulli nuk është në shitje dhe se i takon popullit të tij të vendosë për të ardhmen e vet.
Në vitin 2019, edhe Grenlanda, edhe Danimarka e patën refuzuar ofertën e Trumpit për blerjen e ishullit.
Kur Grenlanda ka qenë koloni, SHBA-ja, nën presidentin e atëhershëm, Harry Truman, kishte bërë përpjekje ta blinte - si aset strategjik gjatë Luftës së Ftohtë - për 100 milionë dollarë ar, por Kopenhaga nuk kishte pranuar ta shiste.
Çka nëse Grenlanda bëhet e pavarur?
Nëse Grenlanda bëhet e pavarur, ajo mund të zgjedhë që të bashkohet me SHBA-në.
Shumica e banorëve të Grenlandës e duan pavarësinë, por pak e shohin si të zbatueshme, marrë parasysh varësinë ekonomike nga Danimarka, e cila është pjesë e Bashkimit Evropian.
Një opsion mund të jetë krijimi i një pakti të ashtuquajtur “lidhje e lirë” me Shtetet e Bashkuara, i ngjashëm me statusin e ishujve të Paqësorit: Ishujt Marshall, Mikronezia dhe Palau.
“Grenlanda po flet për t’u bërë e pavarur nga Danimarka, por asnjë grenlandez nuk dëshiron të kalojë nën një pronar të ri kolonial”, ka thënë Ulrik Pram Gad, studiues dhe ekspert për Grenlandën.
Ai e sheh të pamundur që Grenlanda të votojë për pavarësinë pa e siguruar mirëqenien e popullsisë së saj.
Çka do Grenlanda?
Shumica e banorëve të Grenlandës e mbështesin pavarësinë, por janë të ndarë sa i përket kohës kur dhe ndikimit të mundshëm në standardet e jetesës.
Që nga viti 2019, politikanët e Grenlandës kanë thënë vazhdimisht se janë të interesuar për forcimin e bashkëpunimit dhe të tregtisë me Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, Aaja Chemnitz, anëtare grenlandeze e Parlamentit danez, ka thënë se ideja për marrjen e kontrollit nga SHBA-ja, duhet të refuzohet me vendosmëri.
“Nuk dua të jem një gur shahu në ëndrrat e nxehta të Trumpit për ta zgjeruar perandorinë e tij duke përfshirë edhe vendin tonë”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.
E së fundmi ka pasur tensione midis Grenlandës dhe Danimarkës. Ka pasur nervozizëm të shtuar në Grenlandë mbi hetimet për skandalin e kontraceptivëve të viteve 1960 dhe 1970, që shtynë kryeministrin e Grenlandës ta akuzojë Danimarkën për gjenocid. Në këtë skandal autoritetet daneze akuzohen se kishin realizuar një program të kontraceptivëve për t’ua ndaluar shtatzënitë grave në Grenlandë.
Javën e kaluar, kryeministri i Grenlandës, Mute Egede, në fjalimin për Vitin e Ri u shpreh se do të donte që Grenlanda të çlirohej nga “prangat e kolonializmit” për të përcaktuar të ardhmen e vet, por pa e përmendur SHBA-në.
Vizita e djalit të Trumpit vjen vetëm disa muaj para zgjedhjeve të planifikuara për në prill në Grenlandë. Pas tyre, kryeministri Egede ka thënë se duhet të ketë “hapa të mëdhenj” për “krijimin e kornizës për Grenlandën si shtet i pavarur”.
Sipas marrëveshjes së vitit 2009 me Danimarkën, Grenlanda duhet të mbajë një referendum të suksesshëm përpara se të shpallë pavarësinë.
Çka thotë Danimarka?
Oferta e Trumpit në vitin 2019 për ta blerë ishullin, qe refuzuar me ashpërsi nga Danimarka - aleate e ngushtë e Shteteve të Bashkuara - dhe është cilësuar si “absurde” nga kryeministrja Mette Frederiksen.
“Ne kemi nevojë për bashkëpunim shumë të ngushtë me amerikanët”, u shpreh të martën Frederiksen kur është pyetur për interesimin e ripërtërirë të Trumpit për këtë çështje.
“Nga ana tjetër, do të doja t’i inkurajoja të gjithë që ta respektojnë faktin se grenlandezët janë një popull, është vendi i tyre dhe vetëm Grenlanda mund ta përcaktojë dhe definojë të ardhmen e Grenlandës”, ka thënë tutje kryeministrja daneze.
E kërcënimi i Trumpit mori përgjigje edhe nga Bashkimi Evropian. Autoritetet franceze kanë paralajmëruar se Bashkimi Evropian nuk do t’i lejojë vendet e tjera t’i sulmojnë kufijtë sovranë të tij. Të njëjtin qëndrim e kanë dhënë edhe autoritetet gjermane.
Ndërsa nga administrata në largim në SHBA kanë thënë se ideja e Trumpit nuk do të ndodhë. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë në konferencën e përbashkët me Barrotin se në katër vjetët e fundit, administrata amerikane ka punuar për t’u afruar me aleatët dhe jo për veprime që të ketë largime. “Duke e thënë këtë, ideja e dhënë për Grenlandën është dukshëm jo e mirë. Por më e rëndësishmja është se as nuk do të ndodhë. Prandaj ne nuk duhet të humbim kohë duke folur për të”, ka thënë ai.