Botë

Përplaset autobusi me fermerë në Florida, tetë të vdekur

Autobusi i përplasur

Autobusi i përplasur

Një autobus që transportonte punëtorë ferme në Floridën qendrore është aksidentuar të martën, duke lënë të vdekur tetë persona dhe të plagosur rreth 40 të tjerë, kanë bërë të ditur autoritetet.

Autobusi po transportonte 53 punëtorë ferme kur u përplas me një kamion në Marion County, në veri të Orlandos, kanë bërë të ditur zyrtarët e departamentit të Autostradave të Floridës, raporton AP.

Autoritetet thonë se autobusi doli më pas nga rruga. Ai u përplas në një gardh dhe përfundoi anash në një fushë. Punëtorët po transportoheshin në Cannon Farms të Dunellon, e cila po korrte shalqinj.

“Ne do të jemi të mbyllur sot për shkak të humbjeve dhe lëndimeve të pësuara herët në mëngjes në aksidentin që ndodhi në Olvera Trucking Harvesting Corp”, ka njoftuar Cannon Farms në faqen e saj në Facebook. 

“Ju lutemi, lutuni me ne për familjet dhe të dashurit e përfshirë në këtë aksident tragjik. Ne e vlerësojmë mirëkuptimin tuaj në këtë kohë të vështirë”, thuhet më tej në deklaratë.

Cannon Farms e përshkruan veten si një operacion bujqësor komercial në pronësi të familjes që ka kultivuar tokën e saj për më shumë se 100 vjet, duke u fokusuar tani në kikirikë dhe shalqinj, të cilat i dërgon në dyqanet ushqimore në të gjithë SHBA-në dhe Kanadanë.