Rusia ka njoftuar se situata është “shumë e tensionuar” ndërsa vërshimet po vazhdojnë në qytetin Orenburg dhe zonat përreth, raporton “BBC”.
“Sasi e madhe e ujit po vjen në rajone të reja”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov të mërkurën.
Niveli i ujit në lumin Ural në afërsi të Orenburgut është rritur për mbi 10 metra të mërkurën, ka njoftuar agjencia ruse e lajmeve “RIA”, dukshëm mbi pikën kritike.
Vërshimet po përshkruhen si më të rëndat që kanë goditur rajonin në 80 vjetët e fundit.
Mijëra persona kanë ikur nga shtëpitë e tyre në jug të Rusisë dhe zyrtarët në Kazakistanin fqinj kanë thënë se shifrat e të evakuarve janë rritur në 97 mijë. Fshatra të tërë janë përmbytur.
Deri 2000 shtëpi kanë përmbytur në Orenburg, ku niveli i ujit ka kaluar nivelin kritik prej 9.3 metrave dhe po vazhdon të rritet. Qyteti ka popullatë rreth 550 mijë banorë dhe gjendet rreth 1500 kilometra në juglindje të Moskës.
“Deri më tash, parashikimi nuk është i favorshëm. Niveli i ujit vazhdon të rritet”, ka thënë Peskov, duke shtuar se “sasi të mëdha” të ujit së shpejti do të arrijnë edhe rajonet fqinje Kurgan e Tyumen.
Peskov ka shtuar se situata “sigurisht kërkon angazhim më energjik nga zyrtarët qeveritarë në të gjitha nivelet për t’i ndihmuar njerëzit”.
Ai ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk planifikon t’i vizitojë zonat e përmbytura dhe ka thënë se ai “po merr informata dhe ka koordinuar punën në të gjitha nivelet e autoriteteve”.
Javën e kaluar, disa lumenj – përfshirë lumin Ural, të tretin më të madh në Evropë – dolën nga shtrati pas shkrirjes rapide të borës dhe akullit.
Qyteti Orsk, rreth 300 kilometra nga Orenburgu, është vërshuar kur uji e kaloi digën dhe nisi të përhapej me shpejtësi. Autoritetet thonë se situata është tash stabile.
Lumi Ural rrjedh nëpërmjet Orskut deri në Kazakistan e më pas në Detin Kaspik.
Përmbytjet po rrezikojnë disa zona në veri të Kazakistanit dhe shumë diga dhe rezervuare kanë arritur kapacitetet maksimale.
Lideri rajonal Gauez Nurmukhambetov ka paralajmëruar se një “rrjedhje masive e ujit” po shkon në drejtim të qytetit Petropavlovsk, që ka popullatë rreth 200 mijë banorë.
“Sërish po them, sasi masive”, ka thënë ai.
Presidenti i Kazakistanit, Kasym-Zhomart Tokayev, i ka bërë thirrje shtetit që të bashkohet për të përballuar atë që ka thënë potencialisht do të jetë “katastrofa më e madhe në 80 vjetët e fundit, si për nga shkalla ashtu edhe pasojat”.