Përkrahja e SHBA-së për Izraelin në luftën kundër Hamasit pritet të shkaktojë probleme për presidentin Joe Biden në zgjedhjet presidenciale. Votuesit myslimanë janë të pakënaqur me qëndrimet e tij për luftën në Gaza
Lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka nxitur tensionet mes hebrenjve dhe myslimanëve nëpër botë, përfshirë edhe periferinë e Detroidit, në të cilën jeton komuniteti më i madh i arabëve amerikanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përkrahja e fuqishme për Izraelin nga demokratët, përfshirë presidentin Joe Biden, ka fyer përkrahësit e tij myslimanë dhe mund të ndikojë te zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Michigan, Wisconsin dhe Pennsylvania ishin baza e të ashtuquajturit “muri i kaltër” i shteteve në të cilat Bideni arriti t’i kthente dhe e ndihmuan që të fitonte zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Sipas të dhënave, rreth 3.5 milionë amerikanë identifikohen si myslimanë, ose 1.1 e përqindjes së popullsisë. Këta myslimanë përkrahin demokratët.
Jonathan Hanson nga Universiteti i Michiganit ka vlerësuar se shteti mund të jetë vendimtar në garën presidenciale.
“Michigani ka qenë shtet me rëndësi të madhe në disa zgjedhje. Natyrisht, në vitin 2016, Michigani vendosi ngushtë për Donald Trumpin. Pastaj, në vitin 2020, u fitua nga Joe Bideni me më shumë vota, por ishte ngushtë”, ka thënë ai.
Pasi Donald Trumpi fitoi shtetin e Michiganit për më pak se 11 mijë vota në vitin 2016, Wayne County dhe komunitetet e mëdha myslimane i ndihmuan Bidenit që të kthente kontrollin me më shumë se 154 mijë vota.
“Michigani përbëhet nga komuniteti më i madh i Lindjes së Mesme. Pra, arabët amerikanë përbëjnë numrin e madh të votuesve në Michigan. Dhe zakonisht ata kanë qenë shumë përkrahës të kandidatëve demokratë”, ka thënë Hanson.
Analistët thonë se për Bidenin shqetësimi më i madh do të jetë humbja e entuziazmit te votuesit arabë, të cilët mund të mos dalin në zgjedhje për shkak të qëndrimeve se Bideni nuk ka bërë mjaftueshëm për të drejtat e palestinezëve.
“Në vitin 2024, unë pres që gara të jetë shumë e ngushtë. Sondazhet kanë treguar se përkrahja për Bidenin është dobësuar krahasuar se ku ishte para katër vjetësh”, ka thënë Hanson.
Situata në Michigan reflekton tensionet më të gjera në krejt SHBA-në. Mosmarrëveshje të vogla janë shfaqur në shtetet si Karolina e Veriut, Ohio, Wisconsin dhe California.
Në Kongres, lufta ka detyruar demokratët që të vendosen në pozicionin e përhershëm historik, atë të mbështetjes pa kushte për Izraelin, mirëpo qëndrimi i tyre është testuar.
Krahu progresiv i partisë ka bërë thirrje për rishikim të ndihmave ushtarake që SHBA-ja i ofron Izraelit pas shqetësimeve se ky armatim mund të përdoret për të kryer krime lufte.
Shtëpia e Bardhë është duke bërë presion për pauzë humanitare në luftime me qëllim që Gaza të furnizohet me ndihma.
Ndërkaq Bideni mund të përmirësojë imazhin e tij para votuesve myslimanë duke arritur marrëveshjen e paqes që do t’i jepte fund konfliktit dhe të bënte më shumë punë për territoret palestineze.