Botë

Perëndimi në kërkim të mënyrës për t’i shfrytëzuar asetet e ngrira ruse

Ideja e përdorimit të aseteve të ngrira të Rusisë po fiton përkrahje kohët e fundit pasi financimi i vazhdueshëm i aleatëve për luftën mbrojtëse të Ukrainës është bërë më i pasigurt dhe Kongresi i SHBA-së është në një ngërç për të ofruar më shumë mbështetje. Në takimet e Forumit Ekonomik Botëror të javës së shkuar në Davos, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, bëri thirrje për një vendim “të fortë” këtë vit që asetet e ngrira ruse në bankat perëndimore “të drejtohen drejt mbrojtjes kundër luftës ruse dhe rindërtimit” të Ukrainës

Kanë kaluar gati dy vjet që kur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj ngrinë qindra miliarda dollarë prona ruse në hakmarrje për pushtimin e Ukrainës nga Moska. Afërsisht 300 miliardë dollarë para të Bankës Qendrore Ruse kanë mbetur të pashfrytëzuara ndërsa lufta po vazhdon, e shumë zyrtarë nga shumë vende kanë debatuar ligjshmërinë e dërgimit të parave në Ukrainë.

Ideja e përdorimit të aseteve të ngrira të Rusisë po fiton përkrahje kohët e fundit pasi financimi i vazhdueshëm i aleatëve për luftën mbrojtëse të Ukrainës është bërë më i pasigurt dhe Kongresi i SHBA-së është në një ngërç për të ofruar më shumë mbështetje.

Në takimet e Forumit Ekonomik Botëror të javës së shkuar në Davos, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy bëri thirrje për një vendim “të fortë” këtë vit që, asetet e ngrira ruse në bankat perëndimore “të drejtohen drejt mbrojtjes kundër luftës ruse dhe rindërtimit” të Ukrainës.

Sekuestrimi i aseteve

“Putini i do paratë mbi të gjitha”, tha ai. “Sa më shumë miliarda humbasin ai dhe oligarkët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij, aq më shumë ka gjasa që ai të pendohet për fillimin e kësaj lufte”.

Zyrtarët e administratës Biden, të cilët më parë e hodhën poshtë idenë si ligjërisht të rëndë, po tregojnë interesim në rritje ndaj idesë.

Penny Pritzker, përfaqësuesja e posaçme e SHBA-së për rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës, tha në forumin e Davosit se SHBA dhe aleatët e G7 janë ende në kërkim të një kuadri ligjor adekuat për të ndjekur planin.

“Bëjini të gjithë avokatët dhe të gjitha qeveritë e ndryshme dhe të gjitha partitë që të mblidhen së bashku për ta zgjidhur atë”, tha Pritzker.

“Është e vështirë, është e ndërlikuar dhe ne duhet të punojmë”.

Zyrtarët e administratës paralajmërojnë se edhe nëse mund të gjendet një mënyrë ligjore për transferimin e dollarëve të ngrirë në Ukrainë, kombi i shkatërruar nga lufta ka nevoja të menjëhershme për fonde që duhet të plotësohen me mjete të tjera, pasi ndihma e SHBA-së për ushtrinë e Ukrainës është ndalur.

Legjislacioni bipartizan që qarkullon në Uashington i quajtur Akti i Rindërtimit të Prosperitetit dhe Mundësisë Ekonomike për Ukrainasit do të përdorte asetet e konfiskuara nga Banka Qendrore Ruse dhe asete të tjera sovrane për Ukrainën.

Një zyrtar i lartë, i cili foli në kushte anonimiteti për të transmetuar diskutimet e brendshme tha se administrata në përgjithësi ishte mbështetëse e legjislacionit për t’i dhënë SHBA-së më shumë fleksibilitet për t’u siguruar që Rusia të paguajë për dëmin që ka shkaktuar dhe është në “biseda aktive” me aleatët për mënyrën më të mirë për ta bërë atë.

Por edhe nëse legjislacioni do të miratohej, Nicholas Mulder, ekspert sanksionesh në Universitetin Cornell, paralajmëroi se sekuestrimi i aseteve të ngrira mund të kishte efektin e paqëllimshëm të minimit të përpjekjeve për të siguruar financim afatgjatë për Ukrainën.

“Tani për tani ajo është duke u avancuar nga Uashingtoni si një zëvendësues dhe jo një plotësues i mbështetjes afatgjatë perëndimore për Ukrainën”, ka theksuar ai. “Nëse mjetet transferohen, edhe këto mjete do të mbarojnë herët a vonë. Por deri në atë kohë liderët perëndimorë do të kenë pushuar së ngrituri një rast politik për mbështetjen e Ukrainës dhe kthimi i mbështetjes do të jetë shumë më i vështirë”.

SHBA-ja njoftoi në fillim të pushtimit të Rusisë se Amerika dhe aleatët e saj kishin bllokuar qasjen në më shumë se 600 miliardë dollarëve që Rusia mbante jashtë kufijve të saj – duke përfshirë afërsisht 300 miliardë dollarë fonde që i përkisnin Bankës Qendrore të Rusisë. Që atëherë, SHBA dhe aleatët e saj kanë vazhduar të vendosin raunde sanksionesh të synuara kundër kompanive dhe elitës së pasur me lidhje të ngushtë me presidentin rus Vladimir Putin.

Image

Ndihma për Ukrainën

Vlerësimi i fundit i dëmit të Ukrainës nga Banka Botërore, i publikuar në mars 2023, vlerëson se kostoja për rindërtimin dhe rimëkëmbjen e vendit është 411 miliardë dollarë gjatë 10 viteve të ardhshme, që përfshin nevojat për fonde publike dhe private.

Që nga fillimi i luftës në shkurt 2022, Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës afërsisht 111 miliardë dollarë në armë, pajisje, ndihmë humanitare dhe ndihma të tjera. Vende të tjera gjithashtu i kanë ofruar Ukrainës mbështetje të konsiderueshme – Britania e Madhe njoftoi një paketë ndihme prej 3 miliardë dollarësh të premten.

Në Shtëpinë e Bardhë, Drejtoresha e Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit Shalanda Young, këtë muaj i tha një grupi gazetarësh se ndërkohë që po studiohet mundësia e sekuestrimit të aseteve ruse, ajo nuk do të kishte një ndikim të menjëhershëm në nevojat financiare të Ukrainës.

“Kjo nuk e shlyen nevojën për të siguruar fonde qysh tani”, ka thënë Young. “Ky është një përfitim i ardhshëm për Kievin, mendoj se duhet ta shikojmë dhe ta marrim seriozisht”.

Sergej Aleksashenko, një ish-bankar rus, i cili tani është anëtar i Komitetit rus kundër luftës me disidentë të tjerë, tha se ai beson fuqishëm se Rusia duhet të detyrohet të kompensojë Ukrainën. “Unë nuk besoj se ka ndonjë mënyrë për të konfiskuar asetet e Banka Qendrore Ruse pa vendosur një gjykatë për këtë çështje”.

“Sepse nëse nuk ka bazë ligjore për të konfiskuar asetet ruse dhe nëse kjo bëhet me vendim të administratës, kjo do të thotë se nuk ka sundim të ligjit në SHBA dhe nuk ka mbrojtje të pronës private”.

Ai tha se një vendim administrativ për konfiskimin e aseteve të Rusisë mund t’i shtyjë vendet si Kina - mbajtësi më i madh i dollarit amerikan - të përcaktojë se nuk është e sigurt të mbahen rezervat e saj në dollarë.

Po bëhen disa përpjekje për të kapur fondet ruse dhe ato të oligarkëve të sanksionuar në rrethana të kufizuara. Majin e kaluar, Departamenti i Drejtësisë njoftoi se kishte transferuar 5.4 milionë dollarë të sekuestruara nga manjati rus Konstantin Malofeyev në një fond të Departamentit të Shtetit për rindërtimin e Ukrainës.

Dhe në dhjetor, prokurori federal i Gjermanisë paraqiti një mocion për konfiskimin e pasurisë në lidhje me më shumë se 720 milionë euro të depozituara nga një institucion financiar rus në një llogari bankare në Frankfurt për shkak të një përpjekjeje të dyshuar për të shkelur rregullat e embargos.

Belgjika, e cila mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian për gjashtë muajt e ardhshëm, tani po udhëheq bisedimet nëse do të konfiskohen asetet e Rusisë. Belgjika është gjithashtu vendi ku mbahen shumica e aseteve të ngrira.

Vendi po mbledh taksat mbi asetet. Kryeministri belg Alexander De Croo tha në tetor se 1.7 miliard euro në mbledhjen e taksave ishin tashmë në dispozicion dhe se paratë do të përdoren për të blerë pajisje ushtarake, ndihma humanitare dhe për të ndihmuar në rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta.

Por vendet e BE-së janë të shqetësuara se shkuarja më tej duke konfiskuar asetet mund të hapë rrugën për probleme serioze ligjore dhe gjithashtu mund të destabilizojë sistemin financiar.

Maria Snegovaya, bashkëpunëtore e lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, paralajmëroi se nëse nevojat imediate të Ukrainës nuk plotësohen, “asnjë sasi e aseteve ruse të sekuestruara fatkeqësisht nuk do të kompensojë atë që mund të ndodhë”.

“Dhe deri atëherë do të jetë shumë dërrmuese”.

Përktheu: Blerta Haxhiu