Botë

Perëndimi dhe Rusia shkëmbejnë të burgosurit, më i madhi që nga Lufta e Ftohtë

Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai amerikan Joe Biden / Ilustrim

Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai amerikan Joe Biden / Ilustrim

Perëndimi dhe Rusia kanë arritur marrëveshje për shkëmbim të të burgosurve që po konsiderohet si më i madhi që nga Lufta e Ftohtë, raporton BBC të enjten.

Shkëmbimi do të përfshijë 24 të burgosur që mbahen në Rusi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani dhe tri shtete perëndimore.

Reporteri i “Wall Street Journal”, Evan Gershkovich, është në mesin e të liruarve nga Rusia.

Gershkovich, veterani i marinës amerikane Paul Whelan dhe gazetarja ruso-amerikane Alsu Kurmasheva do të lirohen sipas marrëveshjes së rënë dakord nga administrata Biden, konfirmoi një zyrtar i lartë amerikan.

Shkëmbimi nuk ka ndodhur ende, por pritet gjatë ditës së sotme.

Veprimi vjen pas ditësh spekulimesh për shkëmbim të madh midis vendeve të ndryshme, të cilat u rritën pasi disa disidentë dhe gazetarë të burgosur në Rusi u zhvendosën nga qelitë e burgut në vende të panjohura.

Vladimir Kara-Murza, kundërshtar i Kremlinit me shtetësi të dyfishtë ruso-britanike, është një nga ata të arrestuar, vendndodhja e të cilëve nuk dihet, gjë që ka nxitur pritshmëritë se edhe ai mund të lirohet.

Të tjerë potencialisht në listë janë politikani i opozitës ruse Ilya Yashin dhe aktivisti veteran i të drejtave të njeriut Oleg Orlov.

Në Gjermani, Vadim Krasikov - i identifikuar nga zyrtarët gjermanë si kolonel në shërbimin e inteligjencës FSB të Rusisë - po vuan dënimin e përjetshëm për vrasjen e një kundërshtari të Kremlinit në vitin 2019 në një park të Berlinit.

Ai mund të jetë ndër të burgosurit që Rusia merr në këmbim. Nëse të gjitha shkëmbimet ndodhin, do të jetë një nga shkëmbimet më të mëdha midis Rusisë dhe Perëndimit në histori.

Kjo nuk do të thotë se marrëdhëniet Perëndim – Lindje po përmirësohen.

Biden: Marrëveshja me Rusinë për shkëmbimin e të burgosurve, vepër e diplomacisë

8 muaj më parë / 1 gus 2024 18:33
Joe Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka thënë se marrëveshja Perëndim-Rusi për shkëmbimin e të burgosurve është vepër e diplomacisë. 

Në një adresim për media pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, Bideni ka thënë se agonia e këtyre të burgosurve ka marrë fund. 

“Marrëveshja që siguroi lirinë e tyre ishte një vepër e diplomacisë. Gjithsesi, ne kemi negociuar lirimin e 16 personave nga Rusia—duke përfshirë pesë gjermanë dhe shtatë shtetas rusë që ishin të burgosur politikë në vendin e tyre. Disa nga këta gra dhe burra janë mbajtur padrejtësisht për vite me radhë. Të gjithë kanë duruar vuajtje të paimagjinueshme dhe agonia e tyre sot ka marrë fund”, ka thënë Bideni. 

Ai ka thënë se amerikanët Evan Gershkovich, Paul Whelan, Alsu Kurmasheva dhe Vladimir Kara-Murza “më në fund po kthehen në shtëpi”.

Reporteri i “Wall Street Journal”, Evan Gershkovich, i cili është në mesin e të liruarve nga Rusia, ka ateruar në Rusia në Turqi. 

Ky shkëmbim i të burgosurve po konsiderohet si më i madhi që nga Lufta e Ftohtë.


Biden: Pse Trumpi nuk i liroi të burgosurit?

Gjatë adresimit të tij për media pas lirimit të të burgosurve nga Rusia, presidenti amerikan joe Biden është pyetur se çfarë do t’i thoshte ish-presidentit Donald Trump, i cili pati thënë se është në gjendje të negocionte lirimn e tyre. 

“Pse nuk e bëri kur ishte president?”, u përgjigj Bideni duke u larguar nga salla ku po mbahej konferenca. 

Para gazetarëve, Bideni tha se SHBA-ja do të vazhdojë të punojë për lirimin e të gjithë amerikanëve të ndaluar gabimisht në mbarë botën.

Ai shtoi se familjet e të burgosurve që janë liruar sot nuk kanë hequr dorë kurrë nga shpresa.