Botë

Përdhunuesi serial dënohet me 42 burgime të përjetshme në Afrikë të Jugut

Nkosinathi Phakathi

Një përdhunues serial nga Afrika e Jugut - i cili dhunoi edhe fëmijë nëntë vjeç – është dënuar me 42 burgime të përjetshme, raporton BBC.

Nkosinathi Phakathi u dënua për 90 akuza për përdhunim - sulme që i kreu midis viteve 2012 dhe 2021.

40-vjeçari i detyronte fëmijët ta shikonin duke përdhunuar viktimat e tij dhe gjithashtu detyronte djemtë e rinj t’i përdhunonin shoqet e tyre, ka thënë Autoriteti Kombëtar i Prokurorisë së Afrikës së Jugut (NPA).

Krimet e Phakathit ndodhën në ose rreth Ekurhulenit, një komunë në lindje të qytetit të Johanesburgut.

Gjykata e Lartë e Johanesburgut të premten e dënoi Phakathin për akuza përfshirë përdhunimin, rrëmbimin, vjedhjen dhe sulm.

Gjykata ra në përfundim se Phakathi nuk ka treguar shenja pendimi.

Shumica e viktimave të Phakathit ishin nxënës, më e reja ishte një vajzë nëntë vjeçare, thuhet në deklaratën e NPA. Viktima më e vjetër ishte 44 vjeç.

Sipas NPA, Phakathi kishte në shënjestër viktimat kur udhëtonin për në ose nga puna ose shkolla.

Phakathi humbi këmbën pasi u qëllua nga policia gjatë arrestimit në vitin 2021.

Afrika e Jugut vuan nga një shkallë në rritje e krimit të dhunshëm, me përdhunime dhe vrasje të shfrenuara.

Ka pasur më shumë se 9.300 përdhunime midis prillit dhe qershorit të këtij viti, me 0.6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat e policisë.