Në tetorin e vitit të kaluar, vajza i rrëfeu nënës për tmerrin e përdhunimit dhe se menstruacionet po i vonoheshin. Nëna e solli te Rosales, aktiviste për të drejtat e grave, që dinte se si të siguronte misoprostolin, ilaçin për nxitje të abortit që ligjërisht përdoret në shumë vende të botës. “Nuk jam pishman për atë që bëra”, thotë nëna e vajzës. “Secila nënë do të kishte vepruar njësojë”
Flokët lidhur bishtalec dhe me një bluzë të kuqe me mbishkrimin “vajzë vezulluese” përpara. Kap dorën e nënës dhe flet butë. Tregon se si ishte detyruar ta braktiste shkollën, shkaku i krizës ekonomike të Venezuelës dhe se si u përdhunua plot gjashtë herë nga një i lagjes që e kërcënonte se do t’ia lëndonte familjen nëse do ta hapte gojën.
Vetëm 13 vjeç ngeli shtatzënë.
Me nënën kërkoi një mjek që i tha se shtatzënia do t’ia rrezikonte jetën. Pastaj ish-mësuesja i siguroi ilaçet për të nxitur abortin.
Mirëpo, dhënia fund e një shtatzënie është e jashtëligjshëm në pothuajse të gjitha rrethanat në Venezuelë. Ka vendosur të flasë, thotë ajo, sepse mësuesja e saj, Vannesa Rosales, përballet me dënimin prej dhjetë vjetësh burgim për ndihmën në abort, teksa përdhunuesi i akuzuar endet i lirë.
“Çdo ditë i lutem Zotit që të lirohet, që të ketë drejtësi dhe përdhunuesin ta mbyllin në burg”, thotë vajza për gazetën “The New York Times”.
Teposhta e shtetit të Maduros
Në Venezuelë, çështja e bërë publike nga mediat vendore dhe ndërkombëtare në fillimvit, është bërë një pikë pakënaqësie për aktivistët e të drejtave të grave që thonë se rasti i saj demonstron mënyrën se si krizat ekonomike dhe humanitare ua kanë shuar mbrojtjen grave dhe vajzave të reja. (Gazeta nuk ka identifikuar vajzën për shkak se është e mitur).
Teposhta e shtetit të drejtuar nga presidenti Nicolas Maduro, e përkeqësuar edhe më shumë nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ua ka vënë drynin shkollave, ka mbyllur programet e komuniteteve, ka nxitur miliona njerëz që të ikin nga shteti dhe ka shembur sistemin e drejtësisë. Për këtë, ata që kanë mbetur janë të rrezikuar nga grupe të dhunshme që ecin lirshëm si pasojë e mosndëshkimit të krimit.
Mirëpo, përdhunimi i vajzës dhe arrestimi i mësueses Rosales është bërë pikë kthese për aktivistët që thonë se është koha që Venezuela të zhvillojë një debat të gjerë në lidhje me legalizimin e abortit që, sipas tyre, është çështje më e rëndësishme se kurrë.
Kriza ka kufizuar qasjen në kontrollin e lindjeve, ka bllokuar qendrat e maternitetit dhe ka nxitur një uri masive, shpesh duke bllokuar gratë midis funksionit të trupave të tyre dhe mizoria e një shteti të rrënuar që miliona prej tyre ua ka mohuar aftësinë për të kontrolluar jetën e tyre.
Në muajin janar, kryetari i Asamblesë Kombëtare të kontrolluar nga Maduro, Jorge Rodriguez, la gojëhapur të gjithë kur tha se të paktën ishte i hapur për të diskutuar në lidhje me legalizimin e abortit.
Kodi penal i Venezuelës që daton prej vitit 1800, ndëshkon pothuajse të gjitha llojet e abortit. Gratë shtatzëna mund të dënohen nga gjashtë deri në shtatë muaj burgim, ndërsa një deri në tre vjet për të gjithë ata që mundësojnë abortin.
Ligjet e rrepta

Nga ndëshkimet përjashtohen mjekët që kryejnë abortet për ta shpëtuar jetën e grave.
“Por për t’u cilësuar si abort i ligjshëm, vajza apo gruaja së pari duhet të gjejë një mjek që do të konstatonte se gjendja e tyre kërcënon jetën”, thotë mjeku Jairo Fuenmayor, kryetar i shoqatës së gjinekologëve të Venezuelës, duke folur për “NYT”. Ai shton se çështja pastaj dërgohet për shqyrtim te bordi i etikës së spitalit. “Procesi është shumë i rëndë”, pretendon ai dhe shton se “pak gra” e kalojnë procesin e ligjshmërisë së abortit.
Vajza 13-vjeçare mund të ketë abortuar ligjshëm, por procesi aq rrallë bëhet publik sa mjekët rrallë bëjnë vlerësime, aq sa nëna dhe e bija nuk e dinin se mund të kërkonin të drejtën për abort.
Disa prej grave besojnë se vetëm përmendja e rastit te ndonjë mjek, mund t’i dërgonte ato në pranga.
Aktivistët shpresojnë që pakënaqësia e madhe në rastin e 13-vjeçares, e kombinuar edhe me ndryshimet në rajon, do të detyrojnë shtetin të bëjë ndryshime. Në muajin dhjetor, Argjentina, një prej aleateve ideologjike të Venezuelës, u bë shteti më i madh i Amerikës Latine që legalizon abortin, duke nxitur debatin rreth kësaj teme nëpër të gjitha shtetet latine që kanë disa prej ligjeve më të rrepta kundër abortit në botë.
“Mund t’i prijmë valës së triumfit që nisi në Argjentinë”, thotë Gioconda Espina, aktiviste e rryer për të drejtat e grave në Venezuelë.
Sido që të jetë, “NYT” raporton se legalizimi është shumë larg.
Venezuela është një shtet me bindje të thellë katolike. Shumica e dy krahëve politikë hedhin poshtë idenë e përfundimit të shtatzënisë, qoftë në mesin e një krize të madhe.
“Aborti është diçka që njerëzit e refuzojnë natyrshëm ose instinktivisht”, thotë Christine de Vollmer, kundërshtuese e abortit. Venezuela mund të jetë “katolike”, thotë ajo, por “nuk mendoj se ka të bëjë me këtë”.
Hugo Chávezi, që e nisi revolucionin socialist të vendit në vitin 1999, kurrë nuk mbajti ndonjë qëndrim të fortë për abortin, ama shpesh u kërkoi aktivistëve feministë – shumë prej të cilëve mbështetën të drejtat e abortit dhe kauzën e tij – që të vënë përpara lëvizjen e tij të madhe politike, sesa kërkesat e tyre.
Shumë aktivistë për të drejtat e abortit, të ngopur me mënyrën sesi pasardhësi i Chávezit, Maduro, e trajtoi krizën, thonë se janë lodhur në pritje.
Në diskutimet me zyrtarët e qeverisë, ata janë përpjekur të formulojnë legalizimin si një çështje të drejtësisë sociale, në përputhje me qëllimet e supozuara socialiste të qeverisë.
Mérida është qyteti me kulturë konservatore, ku jeton vajza 13-vjeçare me nënën dhe shtatë vëllezërit dhe motrat e saj. Babai i saj vdiq nga një plumb qorr në vitin 2016, thotë nëna e saj. Familja jeton kryesisht me ndihmat nga motra e madhe që jeton në Kolumbinë fqinje.
“Hamë shumë pak”, thotë nëna e vajzës.
Beteja e nënës
Jeta e tyre sillet përreth kishës të cilën e vizitojnë çdo të mërkurë dhe të diele.
Pasi shkolla e lagjes u mbyll dy vjet më parë, Rosales, 31-vjeçare, një nga mësueset e saj, mbeti në shërbim të komunitetit, duke siguruar vakte ushqimi dhe mbështetje emocionale teksa shërbimet shtetërore pakoheshin.
Në tetorin e vitit të kaluar, vajza i rrëfeu nënës për tmerrin e përdhunimit dhe se menstruacionet po i vonoheshin, ka shkruar gazeta amerikane. Nëna e solli te Rosales, aktiviste për të drejtat e grave, që dinte se si të siguronte misoprostolin, ilaçin për nxitje të abortit që ligjërisht përdoret në shumë vende të botës.
“Nuk jam pishman për atë që bëra”, thotë nëna e vajzës. “Secila nënë do të kishte vepruar njësojë”.
Rosales tha se ia siguroi pilulat dhe vajza i dha fund shtatzënisë. Një ditë më vonë, nëna e saj shkoi në polici për të raportuar përdhunimin. Mirëpo, policia filloi të merrte në pyetje nënën, mori vesh për abortin dhe menjëherë i kërkuan që ta dërgonin te mësuesja.
Para krizës ekonomike, prokurorët e përgjithshëm në të gjithë vendin ndiqnin një politikë joformale në të cilën ata zgjodhën të mos akuzonin gratë që i dhanë fund shtatzënisë ose gratë që ndihmonin në abort, thotë Zair Mundaray, ish-prokuror i lartë, duke arsyetuar se ndjekja penale mund t’i kriminalizonte viktimat.
Por shumë prej atyre prokurorëve, përfshirë Mundarayn, kanë ikur nga vendi nga frika e përndjekjes politike. Ish-prokurori thotë se kjo marrëveshje jo e shkruar ishte prishur.
Arrestimi i mësueses
Deri në dhjetor, Rosales ishte në paraburgim për dy muaj, duke fjetur në dysheme në një qeli me më shumë se një duzinë grash të tjera, përfshirë, për një kohë, nënën e vajzës, e cila gjithashtu u arrestua dhe u mbajt për tre javë.
Rosales shpejt dëgjoi nga avokatja e saj se do të akuzohej jo vetëm për lehtësimin e një aborti, por edhe për komplot për të kryer një krim, akuzë që mund ta fuste atë në burg për më shumë se dhjetë vjet.
Në një ditë dhjetori, e dashura e Rosales, Irina Escobar dhe një grup mbështetësish u ulën jashtë gjykatës së shtetit, ku Rosales duhej të merrte pjesë në seancën e parë dëgjimore. Gjykatësi mund të pushojë rastin dhe ta lironte Rosalesin që gjyqin ta priste në shtëpi.
“Në rrugë, Escobar ecte dhe kthehej me orë të tëra. E dinte që njerëzit ndonjëherë zhdukeshin për muaj ose me vite në sistemin e drejtësisë Venezuelës dhe shqetësohej se edhe partneren e saj e priste i njëjti fat”, ka shkruar “NYT”.
Avokatja e Rosalesit, Venus Faddoul, doli nga gjykata. Nuk do të ketë seancë sot, tha ajo. Dhe ndoshta do të kalonin disa javë para se gjykatësit të merrte rastin në dorë.
Escobari ra përtokë, e lodhur nga zemërimi dhe ankthi. Pak minuta më vonë nisi t’i zihej fryma dhe kishte të dridhura. “Ne jemi të pafuqishme”, bërtiti ajo.
Në janar, Faddoul, së bashku me aktivistë të tjerë, vendosën ta publikoni rastin e 13-vjeçares. Historia shkaktoi aq shumë pakënaqësi në rrjetet sociale sa prokurori i përgjithshëm i Venezuelës, Tarek Saab, në “Twitter” konfirmoi lëshimin e urdhër arrestit për përdhunuesin e 13-vjeçares.
Autoritetet në Mérida liruan Rosalesin që tani po pret gjyqin në arrest shtëpiak.
Aktivistët e të drejtave të abortit muajin e kaluar u takuan për orë të tëra me Rodríguezin, kryetarin e Asamblesë Kombëtare. Në mesin e shumë ideve, i propozuan edhe një ndryshim në kodin penal. Shoqata me ndikim e peshkopëve katolikë u përgjigj me një letër në të cilën i lutej shtetit që të mbante status quonë.
Organizatat e fuqishme ndërkombëtare, ka njoftuar shoqata, po përpiqeshin të legalizonin abortin “duke prezantuar koncepte të rreme të modernes dhe duke shpikur të drejta të reja të njeriut dhe duke arsyetuar politikat që bien ndesh me planet e Zotit”
Rosalesi mbetet në paqartësi ligjore. Gjashtë muaj pas arrestimit të saj, ende nuk ka pasur ditën e saj të parë në gjykatë. Personi i akuzuar është akoma i lirë.
“Kjo shkon përtej të qenët një shtet neglizhues”, thotë ajo. “Ky është një shtet që po punon në mënyrë aktive kundër grave”.