Kim Jong Un tashmë ka edhe një mik të ri – presidentin rus, Vladimir Putin. Ai e ka ndihmuar Korenë e Veriut me ushqim dhe karburant në këmbim të armëve dhe ushtarëve. Pheniani nuk ka më nevojë për lehtësim nga sanksionet e SHBA-së
Kamerat u përpoqën të merrnin pamje të qarta teksa Donald Trump ndërmori hapat e tij të parë historikë në territorin e Koresë së Veriut me Kim Jong Unin. Qe viti 2019 dhe presidenti i atëhershëm i 45-të i Shteteve të Bashkuara u përshëndet me udhëheqësin e Koresë së Veriut, e më pas në Kim e çoi atë përtej zonës që ndan vendin e tij nga Koreja e Jugut – dy vende zyrtarisht akoma në luftë.
Pas tyre, Zona e Demilitarizuar (DMZ) shumë e fortifikuar, ishte në kaos teksa ekipet televizive u përpoqën të merrnin një pamje të qartë përmes një vargu truprojash të Koresë së Veriut, të cilët dukeshin të befasuar nga vërshimi i medieve amerikane.
Ky takim ishte organizuar me nxitim dhe kjo u vu re.
“Nuk e prisja kurrë që të takohesha në këtë vend”, i tha Kim presidentit amerikan Trump. Trumpi kishte organizuar takimin e minutës së fundit në Twitter, siç njihej atëherë, vetëm 30 orë më parë, kur sugjeroi takimin me kryetarin Kim në DMZ “vetëm për t’ia shtrënguar dorën dhe për t’i thënë ‘Hello(?)!’”.
Ftesa e improvizuar krijoi një moment të tretë dhe të fundit të jashtëzakonshëm televiziv mes një presidenti “showman” dhe një diktatori dikur të izoluar.
Tani, duket se mund të ndodhin edhe më shumë gjëra. Trump i tha prezantuesit të Fox News, Sean Hannity, në një intervistë të transmetuar muajin e kaluar se ai do ta kontaktojë përsëri Kimin.
“Merrem vesh lehtë me të”, ka shtuar Trump. “Ai nuk është një fanatik fetar. Po del të jetë një djalë i zgjuar”.
BBC-ja e kupton se ka pasur shumë pak kontakte mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut në katër vitet e fundit gjatë administratës së Joe Bidenit. Uashingtoni ka dërguar mesazhe, por nuk ka pasur përgjigje nga Pheniani.
Takimi i fundit midis përfaqësuesve të dy vendeve nuk çoi përpara një marrëveshje të shumëpritur për ta detyruar Korenë e Veriut të heqë dorë nga armët e saj bërthamore.
Që atëherë, Kim ka avancuar programin e tij raketor dhe pretendon se ka testuar me sukses një raketë hipersonike, pavarësisht se u nënshtrohet sanksioneve të rrepta ndërkombëtare.
Është shumë larg nga koha kur Trumpi mburrej se të dy “ranë në dashuri”.
Shtrohet pyetja, a mundet marrëdhënia e tyre të përmirësohet apo do të kemi një raport krejt ndryshe kësaj radhe?
Në fund të fundit, Uashingtoni do të ketë të bëjë me një Kim shumë të ndryshëm tani. Në katër vjetët e fundit, aleancat dhe pasuritë e tij kanë ndryshuar - dhe marrëdhëniet e tij me një lider tjetër botëror duket se janë forcuar gjithashtu. Pra, a mund të nënkuptojë se e gjithë kjo ka ndryshuar për mirë dinamikën e tij me Trumpin?
A mund të përmirësohet marrëdhënia e tyre?
“Është padyshim një mundësi”, thotë Jenny Town, bashkëpunëtore e lartë në Qendrën Stimson.
“Kjo mund të kuptohet nga vendimi i Donald Trumpit për të emëruar një të dërguar special për çështje të ndjeshme që përfshijnë Korenë e Veriut. Mendoj se na jep një tregues se ku dëshiron të qëndrojë presidenti amerikan në raport me Kimin”.
Trump ka rikthyer disa nga ata që ndihmuan në mbajtjen e takimeve të tij me Kimin, duke përfshirë ish-ambasadorin në Gjermani, Richard Grenell, i cili është zgjedhur si i dërguari i tij presidencial për misionet speciale në “disa nga pikat më të nxehta” në mbarë botën, përfshirë Korenë e Veriut.
Por ka pasur ndryshime në vitet e fundit.
“Koreja e Veriut do të kalojë vitin e parë duke u përpjekur t’i dëshmojë Trumpit se Kim Jong Un nuk është ai që ishte më 2017, se ai është më i fortë ushtarakisht, se ai është politikisht më i fortë dhe se, nëse ata ndonjëherë kthehen në atë pikë, negociatat do të jenë shumë më ndryshe”, argumenton Town.
Kim tashmë ka edhe një mik të ri, presidentin rus, Vladimir Putin.
Ai e ka ndihmuar Korenë e Veriut me ushqim dhe karburant në këmbim të armëve dhe ushtarëve të cilët i ka shfrytëzuar në luftën me Ukrainën. Pheniani nuk ka më nevojë për lehtësim nga sanksionet e SHBA-së.
Koreja e Veriut “përgatiste” njerëzit për Trumpin
Rachel Minyoung Lee, e cila ka punuar si analiste e lartë e medieve koreanoveriore për qeverinë amerikane i tha BBC-së se Pheniani i ka “përgatitur” njerëzit e tij duke i informuar ata në mediat shtetërore për kthimin e Donald Trumpit.
Por ajo beson se “kriteri për hyrjen në bisedime do të jetë më i lartë se më parë”.
“Dy gjëra do të duhet të ndodhin”, shtoi ajo. “Shembull të ftohen marrëdhëniet e Koresë së Veriut me Rusinë; ose Shtetet e Bashkuara i bëjnë një ofertë Koresë së Veriut që është në mënyrë drastike e ndryshme nga ajo që bëri në e kaluara”.
Trump ndezi spekulimet se ai është i gatshëm t’i rifillojë bisedimet me Kimin gjatë një ceremonie të nënshkrimit të fundit në Zyrën Ovale, kur tha: “Isha shumë miqësor me të. Më ka pëlqyer. Shkonim shumë mirë”.
Por administrata Trump duhet të jetë realiste këtë herë, thotë Sydney Seiler, i cili deri vitin e kaluar ishte zyrtar i inteligjencës i SHBA-së.
“Ndoshta Koreja e Veriut do të ulet dhe do të flasë, dhe ndoshta do të përmbahet nga lëshimet e raketave me rreze të gjatë dhe nuk do të kryejnë një test të shtatë bërthamor dhe çështja do të jetë kryesisht e menaxhueshme. Ky është skenari më i mirë. Skenari më i keq është që edhe nëse bisedojnë ata do të vazhdojnë të lëshojnë, do të vazhdojnë të testojnë raketa. Pra, Donald Trump duhet të marrë parasysh: cila është vlera e angazhimit të Koresë së Veriut?”
Selfie, fotografi dhe një drekë e anuluar
Kur Trumpi mori detyrën në janar të vitit 2017, ai ishte paralajmëruar për Korenë e Veriut. Tre presidentët e fundit ishin përpjekur dhe dështuan t’i bënin presion shtetit që të hiqte dorë nga armët bërthamore pas disa raundeve bisedimesh dhe sanksionesh.
Pas inaugurimit të Donald Trumpit, Kim gjuante një raketë pothuajse çdo muaj.
Presidenti shkroi në Twitter për të transmetuar zemërimin e tij duke kërcënuar se Koreja e Veriut do të kaplohet nga “zjarri e tërbimi”. Ai e quajti Kimin si “Njeriu i Vogël Raketë”, në këmbim Pheniani e quajti Trumpin “Dotard”.
Më pas erdhën kërcënimet për shtypjen e butonave bërthamorë, fillimisht nga Pheniani, më pas nga Uashingtoni.
Trump shkroi në Twitter se edhe ai kishte një buton bërthamor, “por është një buton shumë më i madh dhe më i fuqishëm se i tij, dhe se ky buton, funksionon plotësisht!”.
Pas një viti shkëmbimesh të ashpra dhe skandaloze - që i bëri disa në Seul të pyesin nëse duhet të bëhen gati për luftë - gjithçka ndryshoi.
Presidenti liberal i Koresë së Jugut, Moon Jae-in kishte shpresuar se një thyerje akulli me Phenanin do të ndihmonte. Ai lindi në një kamp refugjatësh pasi prindërit ikën nga lufta në veri. Ai madje kishte vizituar tezen e tij atje në një shkëmbim të rrallë familjar mes dy vendeve.
Kur Pheniani hapi derën dhe pyeti - a mund të marrë pjesë Koreja e Veriut në Lojërat Olimpike Dimërore? Seuli, i udhëhequr nga Moon, e hapi atë gjerësisht.
Trump mbërriti në Singapor për samitin e tij me Kim duke premtuar se do të bënte histori.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut bëri një shëtitje gjatë natës në qendër të qytetit plot shkëlqim dhe bëri selfie sikur të ishte në një natë jashtë me miqtë. Ai mezi kishte udhëtuar jashtë kufijve të tij - por dëshironte të tregonte se edhe ai dinte të bënte “shou”.
Por edhe pas shtrëngimit të duarve me Trumpin, kjo formë tashmë shumë personale e diplomacisë solli shumë pak fryte në rrugën e premtimeve konkrete për çarmatosjen e Koresë së Veriut.
Ata të dy nënshkruan një deklaratë për të punuar drejt denuklearizimit dhe premtuan të takohen përsëri.
Presioni ishte më i lartë në shfaqjen e dytë të Trumpit dhe Kimit në Vietnam. Fotografitë më nuk mjaftonin për një president të SHBA-së, i cili mburrej për aftësitë e tij për të bërë marrëveshje.
Por, dreka në Hanoi u anulua.
“Bixhozi” nuk dha rezultat
BBC-ja ka folur me tre persona që morën pjesë në samit për të diskutuar së bashku se çfarë shkoi keq. Duket se të dy drejtuesit mund ta kenë mbivlerësuar veten.
Trump ofroi heqjen e sanksioneve të SHBA-së ndaj Koresë së Veriut nëse Kim heq dorë nga të gjitha armët e tij bërthamore, materiali bërthamor dhe objektet bërthamore.
Presidenti thuhet se ishte paralajmëruar se Veriu e kishte refuzuar këtë marrëveshje në të kaluarën, por ai ndjeu se raporti i tij personal me udhëheqësin e Koresë së Veriut do ta ndihmonte atë të kishte sukses.
Nuk ndodhi.
Kim luajti “bixhoz” me Trumpin duke pranuar një marrëveshje më modeste. Ai gjithashtu mendoi se marrëdhënia e tyre personale do ta lejonte atë të mbizotëronte. Ai ofroi të çmontonte kompleksin e tij bërthamor të vjetër në Yongbyon për t’i dhënë fund të gjitha sanksioneve të SHBA-së që nga viti 2016.
“Singapori i kishte dhënë Kim Jong Un një prestigj dhe besimin se më në fund, Shtetet e Bashkuara po vijnë në vete dhe po flasin me mua sipas kushteve të tij”, thotë Seiler.
“Kim erdhi në tavolinë duke pritur, sepse ai ishte stërvitur, se Donald Trump është politikisht i dëshpëruar, ai nuk po e dëgjon më John Boltonin, është i gatshëm të pajtohet me një marrëveshje”.
Por presidenti ishte informuar gjithashtu. Atij i kishin thënë se Veriu ende mund të prodhonte uranium në një qendër pasurimi pranë Phenianit. SHBA-ja tha se kishte monitoruar vende të tjera që Veriu mendonte se do t’i mbante sekret për disa kohë.
“Unë mendoj se ata u befasuan që ne e dinim”, tha Trumpi më vonë.
Marrëveshja që Kim ofroi nuk ishte asgjë, por nuk ishte mjaft e mirë për presidentin amerikan.
“Kim Jong Un vjen në tryezë dhe ai nuk kishte plan B”, thotë Seiler.
“Pra, kur Donald Trump thotë se ne duhet të bëjmë më shumë se kaq, Kim Jong Un mbetet krejtësisht pa ide”.
A u përpoq Kim ta shpëtonte marrëveshjen?
BBC-ja kupton nga burimet e saj se Kim u përpoq ta shpëtonte marrëveshjen. Ai dërgoi një ndihmës për t’i kujtuar Uashingtonit se çfarë ishte në tryezë dhe se ata do të çmontonin të gjithë fabrikën e Yongbyonit.
Por Trumpi tashmë po shkonte në aeroport.
“Historia e Hanoit duhet të kuptohet mirë”, thotë Seiler. “Tema e zakonshme është që Donald Trump doli nga dhoma. Ishte një marrëveshje gjithçka ose asgjë, dhe kur Kim Jong Un nuk ishte i gatshëm t’i vendoste të gjitha në tryezë, Donald Trump eci”.
Ndërsa Trump u kthye në Uashington, koreanoveriorët ndërmorën hapin e paprecedentë për të mbajtur një konferencë shtypi. Ministri i Jashtëm Ri Yong Ho u tha gazetarëve se kjo mundësi mund të mos vijë më kurrë.
Ende nuk ka ndodhur dhe Kim mund të mendojë dy herë për të marrë pjesë përsëri në bisedime.
“Patjetër që kishte një mundësi atje”, thotë Jenny Town.
“Kim Jong Un në fakt kishte krijuar pritshmëri të brendshme në Korenë e Veriut se ata ishin në prag të një përparimi dhe se do të sillte përfitime. Nëse do të kishim përfituar nga ai moment, mund të kishim qenë në një rrugë shumë të ndryshme. A do ta arrinit lehtësisht denuklearizimin? Absolutisht jo. Por a do të ishim në një vend shumë të ndryshëm për sa i përket tensioneve në Gadishullin Korean dhe se sa larg ka shkuar Koreja e Veriut në zhvillimin e saj bërthamor, ndoshta nuk do ta dimë kurrë, por padyshim që ekzistonte një vullnet që nuk ekziston tani”.
Diplomacia e pazakontë e Donald Trumpit uli tensionet për një kohë, por nuk e ndaloi zgjerimin e programit të armëve të Phenianit.
Por pas tri takimesh u duk se kishte një lidhje mes Donald Trumpit dhe Kim Jong Unit që ofronte njëfarë shprese se një ditë do të kishte paqe në Gadishullin Korean.