Për herë të parë ndonjëherë, Japonia ka lëshuar alarmin për “megatërmet” të mundshëm disa orë pasi një tërmet me magnitudë 7.1 ballë goditi vendin, raporton “Sky News” të premten.
Agjencia meteorologjike japoneze ka thënë se mundësia që një tërmet i madh të godasë nga Shizuoka në perëndim të Tokios deri në majën jugore të Kyushu është më i lartë se zakonisht dhe vlerësoi se mund të jetë aq i fortë sa 9.1 ballë.
Ndërsa ka thënë se alarmi - i cili pritet të jetë në fuqi për një javë - nuk do të thotë domosdoshmërisht që një “megatërmet” do të ndodhë. Por u ka bërë thirrje njerëzve në rajon që të përgatiten për evakuim nëse ndodh.
Fumio Kishida, kryeministri i Japonisë, ka anuluar vizitën në Kazakistan për shkak të paralajmërimit.
Alarmi për “megatërmet” u dha pak më shumë se dy orë pasi tërmeti goditi brigjet e prefekturës Miyazaki. Tre persona u lënduan.
Çfarë është “megatërmeti”?
Ndërsa nuk ka përkufizim zyrtar të një megatërmeti, ato zakonisht konsiderohen të jenë dridhje me një magnitudë më të madhe se 8.0.
Këto incidente sizmike - të quajtura edhe tërmete megatrosti - ndodhin kur një pllakë tektonike futet nën një tjetër.
Lëkundjet më të mëdha ndonjëherë në Japoni ishin në vitin 2011, ku një tërmet me magnitudë 9.0 goditi Oqeanin Paqësor 72 km në lindje të Gadishullit Oshika.
Më shumë se 19 mijë njerëz vdiqën nga tërmeti dhe cunami që pasoi, i cili gjithashtu shkaktoi incident të madh në termocentralin bërthamor Fukushima Daiichi.