Pengjet izraelite - Yotam Haim, 28 vjeç, Samer Talalka, 22 vjeç dhe Alon Shamriz, 26 vjeç - u vranë në lagjen Shejaiya të qytetit të Gazës nga ushtria izraelite. Sipas një zyrtari ushtarak izraelit, i cili foli në kushte anonimiteti, burrat dolën pa këmisha nga një ndërtesë, duke mbajtur në duar një pëlhurë të bardhë, me mbishkrimin “SOS”, të shkruar me mbetje të ushqimit. Njëri nga ushtarët u ndie i kërcënuar, pasi burrat ndodheshin në një distancë prej dhjetëra metrash. I shpalli ata “terroristë” dhe i vranë
Tre pengje izraelite, të vrarë gabimisht nga ushtarët në Gaza, të premten, kishin përdorur ushqimin e mbetur për të shkruar shenjën “SOS”, kanë bërë të ditur autoritetet izraelite.
Burrat kishin qëndruar në ndërtesën pranë vendit ku u qëlluan, “për një periudhë kohore”, sipas Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF).
Kreu i IDF-së u tha trupave se ata “absolutisht nuk lejohen” të qëllojnë ata që dorëzohen.
“IDF-ja nuk qëllon asnjë person që ngre duart lart”, tha Herzi Halevi.
Ai tha se banorët e Gazës që mbajnë flamur të bardhë duhet të arrestohen dhe të mos pushkatohen, “nëse ulin armët dhe ngrenë duart lart”.
Zyrtarët izraelitë kanë pranuar se vrasja e tre burrave që mbanin një flamur të bardhë përbënte shkelje të “rregullave”.
Pengjet izraelite - Yotam Haim, 28 vjeç, Samer Talalka, 22 vjeç dhe Alon Shamriz, 26 vjeç - u vranë në lagjen Shejaiya të qytetit të Gazës të premten, derisa trupat izraelite përballeshin me rezistencë të ashpër.
Sipas një zyrtari ushtarak izraelit, i cili foli në kushte anonimiteti, burrat dolën pa këmisha nga një ndërtesë, dhe njëri prej tyre mbante në duar një pëlhurë të bardhë.
Njëri nga ushtarët, shtoi zyrtari, u ndie i kërcënuar, pasi burrat ndodheshin në një distancë prej dhjetëra metrash. I shpalli ata “terroristë” dhe i qëlluan. Dy u vranë menjëherë, ndërsa i treti, i plagosur, u kthye në ndërtesë.
Një thirrje për ndihmë u dëgjua në hebraisht dhe komandanti i batalionit urdhëroi trupat të mos gjuanin më. Pengu i plagosur më vonë u rishfaq, u qëllua dhe u vra, tha zyrtari.
Nuk është e qartë nëse pengjet janë braktisur nga rrëmbyesit e tyre apo kanë shpëtuar.
Të dielën, IDF-ja tha se u krye një kontroll në ndërtesë, duke zbuluar mesazhet “SOS” dhe “Ndihmë, 3 pengje”, të shkruara në pëlhurë.
Rreth 120 pengje besohet se mbahen ende në Rripin e Gazës, nga Hamasi dhe grupet aleate palestineze.
Ata u kapën peng dhe u dërguan në Gaza gjatë sulmeve të Hamasit të 7 tetorit, ku u vranë rreth 1.200 persona në Izraelin jugor. Që atëherë Izraeli ka nisur një operacion masiv hakmarrës për të shkatërruar Hamasin.
Afro 20 mijë njerëz janë vrarë në Gaza që nga 7 tetori, sipas autoriteteve lokale shëndetësore, me qindra mijëra të tjerë të dëbuar nga shtëpitë e tyre.
Që nga përfundimi i një armëpushimi të përkohshëm midis Izraelit dhe Hamasit në fillim të këtij muaji, familjet e pengjeve i kanë kërkuar qeverisë izraelite të arrijë një armëpushim të ri, për të paktën disa nga robërit, që të lirohen. Marrëveshja fillestare çoi në lirimin e më shumë se 100 pengjeve, në këmbim të palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite.
Kryeministri Benjamin Netanyahu i ka shmangur thirrjet, duke këmbëngulur se “presioni ushtarak është i nevojshëm si për kthimin e pengjeve ashtu edhe për fitoren”.
Zona të gjera të Rripit të Gazës janë shkatërruar nga bombardimet izraelite dhe Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për një katastrofë humanitare mes mungesës së gjerë të furnizimeve bazë.
Përktheu: Forca Jashari